E pabesueshme, e mëshirueshme
Nga Edi Rama /
Eshtë e pabesueshme edhe për mua që ka kohë që nuk çuditem nga ushqimi i paçertifikuar që Partia Demokratike u jep përditë shqiptarëve, njësoj si ato thertoret e kthesës së Kamzës të cilat shisnin mish të therur në kohë reale mes baltës e gjakut.
Eshtë e pabesueshme që Partia Demokratike, në injorancë të plotë të historisë, aktualitetit dhe të nesërmes së projektuar të kishës së vjetër të Dhërmiut, t’i bashkohet një kujeje të pabesueshme të kujt u vu në mbrojtje të ngrehinës skandaloze të së ashtuquajtur kishë; një ngrehinë e ndërtuar jo nga kisha, po nga brutaliteti individual i viteve ’90 mbi një monument kulture, të cilën në asnjë lloj konkursi për t’a gjetur se çfarë është, nuk do të dilte dot njeri në botë që të thoshte është kishë.
Po jo vetëm kaq, është e pabesueshme që Partia Demokratike, për të sharë medoemos qeverinë, t’i bashkohet një përçapjeje dhe një përçartjeje që nuk ka asnjë lidhje me raportet e shtetit me fenë; nuk ka asnjë lidhje me marrëdhëniet e qeverisë me kishën e me klerin ortodoks; nuk ka asnjë lidhje me fqinjin jugor jo e jo. I cili nga ana e tij, duhet të vetëdijësohet se asnjë çështje apo problem i Kishës Autoqefale Shqiptare apo i ortodoksëve shqiptarëve nuk ka asnjë lidhje me shtetin fqinj.
Ortodoksët shqiptarë janë qytetarë shqiptarë që kanë shtetin e tyre dhe hapësira e ushtrimit të besimit të tyre nuk është protektorat i asnjë shteti tjetër. Ashtu sikundër Kisha Autoqefale Shqiptare, çdo problem që ka pasur, ka apo do të ketë me shtetin, e ka trajtuar, e trajton apo do ta trajtojë me shtetin shqiptar e me institucionet e tij. Prandaj, çdo ndërhyrje në këtë mes, është ndërhyrje e papranueshme në punët e brendshme të Shqipërisë.
Shqipëria është një vend ku kisha ortodokse është në shtëpinë e saj dhe jo në shtëpinë e komshiut, e po njësoj në shtëpinë e tyre janë edhe besimtarët ortodoksë të minoritetit grek. Të cilët e marrin meshën mes ortodoksëve shqiptarë dhe gëzojnë po njësoj si ata, të njëjtën liri fetare të garantuar nga Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë.
Këto të vërteta janë të qarta si drita e diellit dhe shosha e politikës së kujtdo apo e politizimit nga kushdo, të çfarëdo problemi në këtë mes, nuk mund të lejohet të dëmtojë cilësinë e lartë të marrëdhënieve ndërfetare në Shqipëri apo të marrëdhënieve të shtetit e të qeverisë shqiptare me të gjitha institucionet klerikale të Shqipërisë.
Eshtë ky vendi për të nënvizuar se marrëdhëniet e qeverisë sonë me klerin ortodoks dhe me përfaqësuesit e tij më të lartë, si edhe marrëdhëniet e mia personale me kryepeshkopin Anastas, kanë qenë gjithnjë të shkëlqyera. Mosdakordësitë krejt të natyrshme për ndonjë problem krejt periferik jashtë çdo natyre fetare, nuk e zbehin dot shkëlqimin e kësaj marrëdhënieje dhe të respektit të merituar që kleri ortodoks, ashtu si edhe çdo kler tjetër në Shqipëri ka marrë prej nesh.
Gabojnë ata që në emër të Kishës Ortodokse e trajtojnë me fjalorin e ngarkuar të deklaratave të ditëve të fundit, prishjen e asaj ngrehine pa lidhje me trajtën e me funksionet e një kishe. Po vetëm zoti është i pagabueshëm, të gabosh është njerëzore. Jam i bindur se shumë shpejt do të kemi mundësinë ta tresim bashkarisht, me mirëkuptimin e përhershëm, renë e përkohshme të këtij keqkuptimi të përfaqësuesve të Kishës Ortodoke ndaj nesh. Sepse s’ka mendje të arsyeshme që ta ketë të pamundur ta kuptojë se çka po bëhet në atë truall në Dhërmi është një punë fisnike, që ngre lart vlerat e fesë, të historisë e të trashëgimisë kulturore të atij vendi dhe të kësaj toke. Bashkia e Himarës do të rindërtojë aty shembëlltyrën e kishës së vjetër të Dhërmiut dhe meriton vetëm përgëzime në synimin e vet, për ta bërë atë truall përçues të jehonës së një kohe e historie të shkuar që brezat po edhe vizitorët meritojnë ta përjetojnë.
Ndërsa me Partinë Demokratike ndryshon shumë puna, sepse është e pabesueshme që një forcë e madhe politike shqiptare t’i fryjë një zjarri të patolerueshëm për historinë e për të ardhmen e Shqipërisë. Unë e di, siç e dinë shumica dërrmuese e shqiptarëve, se Partia Demokratike është në vazhdën e një rrënimi dëshpërues dhe po ashtu, të gjithë e dimë se njerëzit e dëshpëruar bëjnë gjëra të dëshpëruara. Po që dëshpërimi në PD të arrinte deri në orvajtjen e dëshpëruar për të sulmuar qeverinë e Shqipërisë në emër të lirisë fetare, kjo është e pabesueshme. Dhe prandaj është thjesht e vetëm e mëshirueshme.