E qeshura e Kryeministrit të vendit tim
Nga Albert Vataj –
E qeshura e Kryeministrit të vendit tim është vetë panorama e ditës së kësaj tërësie administrative që quhet Shqipëri. Ajo është ndjellakeqe dhe si e tillë ajo paralajmëron gjithnjë shpresëhumbje dhe ëndërrvrasje.
E qeshura e Kryeministrit të vendit tim nuk është diçka ndryshe ngase është e sotmja dhe pritshmëritë e popullit tim. Ajo është një gëzim ndjellakeq, një gazmim morti, një gjëndje apatie, hutimi, çoroditje, shastisje. Megjithatë është një moment hareje dhe lumturie që del nga suaza, derdhet.
E qeshura e Kryeministrit të vendit tim, nuk e di pse më ngjet me një letër të zhubravitur dhe të hedhur tej, si kufoma e një rebelimi nervash të papërmbajtura. Një zhubrosje hijerëndë dhe rënkuese, gati-gati mëshiruese. Por ka raste që stampimi i kësaj shprehie që eksplodon në çdo kronikë televizive, gazetë apo portal, rreket të më thotë diçka tjetër, kurrsesi jo diçka të admirueshme. Ndoshta ai ka zgjedhur të mos jetë shenjtor, i përulur dhe i dhëmshur, blatues asaj që beson dhe martir i idealit, por gjithsesi admiruesit gjithnjë i nevojiten një vullneti synimesh dominuese.
Fatmirësisht kam patur kohë t’i dedikoj një vramëndje qeshjes së Kryeministrit të vendit tim, këtij detaji të shprehisë emocionale dhe asaj plotësie që është gati ta pëlcasë para syve sa herë të bie të përballesh me të si me një eksplodim verbues drite. Ndoshta ai ka problem me pasqyrimin e asaj që thelbësorja e tij shpërfaq, qoftë dhe përmes një të qeshure që mund t’i bashkëngjitet çdo lloj neverie. Ndoshta ngase nuk është i prerë të ketë një buzëqeshje të tillë joshëse dhe hipnotizuese, siç e kishte idhulli i tij, diktatori komunist, Enver Hoxha. Gjithsesi kjo nuk ka cenuar pritshmërinë e tij. Qartazi nuk i ka prishur punë ta përmbushë e ta tejkalojë, në të gjithë perimetrin e asaj çfarë një despot dëshmon në atë që i lejon ai vetes dhe atë që ai e rrëmben përdhunshëm përmes vullnetit të lirë të sovranit.
Pas qeshjes e tij, e cila ngjet më shumë një e zgërdhirë, ose një tendosje e sforcuar e muskujve, gjithnjë jam përpjekur të shquaj atë njeriu cinik, fyes dhe përçmues. Ai ka shumë mënyra dhe nuk ka nguruar t’i përdorë të gjitha, për të treguar prototipin e një arroganti të neveritshëm, një prepotenti që imponon të gjitha trajtat urrejtjes. Mënyra e tij e shprehjes së gjendjes shpirtërore që shpërfaqet përmes të qeshurave, tregon se ai jo vetëm që vuan, por dëshmon gjithashtu për molepsjen e tij sadiste.
Pjesë e buzëqeshjes, si aksesor i marrëdhënies dhe komunikimit, është edhe vetë teatraliteti i tij ironik, virtuoziteti i tij grotesk në një skenë tragjikë. Ai është i njëtrajtëshm dhe tej i ngurtësuar në situata dhe momente të ndryshme. Nga Rama njeri, tek Rama Kryeministër, nuk ka ndonjë ndryshim të dukshëm. Një personalitet kontravers dhe karakter dyshues e bartin identitetin e tij fizik dhe integritetin e tij intelektual, nga një fasadë e errët në një panoramë morte. Përball të tjerëve ai është gjithnjë i njëjti, imponues, fyes, mospërfillës, arrogant dhe ironik.
E qeshura e Kryeministrit të vendit tim është e tillë groteske si vetë jeta, e çdoditshmja e këtyre njerëzve, të cilët nuk të lejojnë as t’i mëshirosh, sepse është seriotipi i këtij shtetari, i cili ka nxitur këtë speciale në kohëpaskohje të evoluojë për tu përshtatur me habitatin. Kryeministri me qeshjen e tij vrastare është e njëjtë me çfarë ata që e votbesuan, ngërdheshje, e shëmtuar dhe tejet neveritëse.