
Këshilli Bashkiak i Tiranës është mbledhur këtë të enjte, por një rëndësi të veçantë mori transferimi i kryebashkiakut Erion Veliaj nga paraburgimi i Durrësit drejt atij të Fierit. Demokratja Ilda Zhulali, tha se Veliaj është dërguar në Fier për një status në Facebook.
”Toni Gogu e transferoi në Fier pa asnjë dokument zyrtar dhe e ka çuar në izolim, për një status në Facebook. Këshilli sot duhet të kërkojë dorëheqjen e Ramës, hetim të dhunës policore, ndalim të gazit lotsjellës në zona të banuara të Tiranës. Të shtyhet miratimi i kredive të buta derisa të mësojmë sa nga përfituesit e kaluar janë bërë me shtëpi”, tha mes të tjerash Zhulali.
Këshilltari tjetër i PD, Fabian Topollaj tha se është detyrim ndaj shqiptarëve që të bëhet publike çfarë po ndodh me kryebashkiakun e Tiranës. ”Mund të jem i vetmi që nuk ia kam numrin Erion Veliajt, por jemi të detyruar të punojmë me të, Gjykata Kushtetuese e ka lënë atë në detyrë. Kemi detyrim të themi çfarë ndodh me të që është i izoluar dhe nuk ushtron dot detyrën e tij”, tha mes të tjerash Topollaj.
Këshilltari socialist Halit Valteri ngriti shqetësimin për kushtet e paraburgimit, duke kërkuar verifikimin e të drejtave të tij dhe të nevojave shëndetësore. “Asnjë masë paraburgimi nuk duhet të shërbejë si justifikim për trajtim çnjerëzor”, deklaroi ai, duke kërkuar përgjigje nga Ministria e Drejtësisë dhe burgjet.
Nga ana tjetër, demokrati Dorjan Teliti e cilësoi transferimin e Veliajt si një veprim me prapavijë politike, duke kritikuar mënyrën sesi u krye pa njoftim paraprak. “E marrin e çojnë atje në Fier, e paketojnë”, u shpreh Teliti, duke kërkuar përgjegjësi për urdhrat dhe mënyrën e transferimit.
