Edhe me Konsensus ka Reformë në Drejtësi

Nga Artur Zheji –

Debati i djeshëm dhe i sotshëm për Reformën në Drejtësi, në thelb është shumë i thjeshtë. Komplikimi është artificial. Teknikalitetet që formulohen përpara kamerave janë si ato recetat e ca doktorëve me shkrim të pakuptueshën dhe në një latinishte të deformuar e plot shkurtime, por që farmacistët i kuptonin dikur shumë mirë. Gjë që na habiste, se si ja bënin. Ndërsa i sëmuri, pacienti pra, kuptonte pak ose aspak nga ky komunikim dhe mbi të gjitha mistifikonte doktorët, farmacistët, ilacet por njëkohësisht edhe injorancën e vet.

Duket sikur po ndodh e njëjta gjë edhe me Reformën në Drejtësi. Recetat nga Venecia shkojnë e vijnë, “farmacistët e politikë shqiptarë”, bëjnë një debat të pambarimtë, për ilacin mrekullues që lypet për të shëruar Drejtësinë shqiptare.

Ndërsa të sëmurët osë të lënduarit kryesorë nga kjo drejtësi e Padrejtë në të shumtën e herës, kuptojnë pak ose aspak nga recetat që shkojnë e vijnë në tranzitin e palodhur dhe rraskapitës, Venedik-Tiranë dhe anasjelltas.

Në debatin publik, disi të çoroditur nga kundërthëniet dhe nga latinishtja e keqe përdorur në sistemin e recetave, mbi këtë Reformë të rëndësishme “shtetformuese”, duket sikur “pengesë” kryesore, është Opozita. E cila këmbëngul për tryezë politike dhe për domosdoshmërinë e pëlqimit të saj të detyruar dhe të detyrueshëm në hartimin dhe përpilimin milimetrik të kësaj reforme.

Sepse, ithtarët shqiptarë të reformës, kanë arritur të depërtojnë në popull perceptimin ekithët, që pnjollët më të rëndësishëm të Opozitës, më katarë dhe grabitqarë të parrëfyer në 8 vitet më të fundit të pushtetit të tyre, kanë frikë nga një Drejtësi e drejtë dhe e Re, apo e Reformuar, sepse kjo drejtësi e ripërtëritur do ti godasë pa mëshirë. Dhe dukshëm elektorati i Majtë, në të përditshmen e vet, por edhe jo pak deputetë në Kuvendin e Shqipërisë, flasin për ripopullimin e burgjeve, që kjo drejtësi e reformuar do ti japë hov, tanimë me “koka të mëdha” të “shpërdoruesve” të mëparshëm.

Nga ana tjetër, Opozita  paralajmëron se kleckat që fshihen në recetat e Venedikut, të interpretuara nga farmacistët politikë shqiptarë apo juristët në shërbim të tyre, e shëndrojnë Reformën, në një Armë të mirëfilltë Politike, nën petkun e një Drejtësie JoPolitike, që, nëse do të godasë, do të godasë kësisoj kryesisht vetëm në një krah.

Dhe pra, nëse një Drejtësi e tillë, do të godasë kryesisht e vetëm në një Krah dhe kundër një Krahu Politik, do të jetë një reformizëm politik dhe hic më tepër. Dhe këtu ndizet Alarmi!

Gjykuar shqiptarisht, shqetësimi i Opozitës së sotme, apo ish Pushtetit të djeshëm, është i ndikuar nga interesa personale, porse pavarësisht kësaj, është gjithësesi i drejtë, sepse rrezikohet simetria e nesërme e këtij “sistemi të ri”.

Duke mos përjashtuar edhe unë, perceptimin tim, se mëkatarë të shumtë, fshihen edhe sot nën pelerinën apo armaturën mbrojtëse të Opozitës që proteston për vetmbrojtje.

Porse çfarë Drejtësie e Re, do të ishte jap drejtësi, që dënon dhe ndëshkon ca mëkatarë realë të Opozitës, dhe rrezikon njëkohësisht të jetë e verbër apo duarlidhur, ndaj mëkatarëve të sotshëm në pushtet?

Do të ishte padyshim një Drejtësi paraprijëse e një Diktature politike de facto. Në emër të një Morali të Ri e në emër të një Ndershmërie të Re, që populli solli në pushtet me votën e vet në vitin 2013. Dihet nga të gjithë ata që kanë kujtesë dhe vullnet për të kujtuar se kjo është një këngë e vjetër, që fitimtarët e rradhës, e mbiquajnë veten automatikisht edhe si më të mirët dhe edhe absolutisht më të ndershmit.

Kjo Këngë ka një fund të hidhur! Sa më shumë këndohet dhe sa më shumë refereni i saj, na bombardon retorikisht ditë për ditë.

Dhe pra, Konsensusi i Opozitës, është një Domosdoshmëri dhe një e Drejtë Morale dhe politike e pamohueshme!

Pamvarsisht,  edhe nëse kjo e drejtë, korespondon ose jo, me moralin e dyshimtë  të mjaft pinjollëve të saj me indicie të shumë përfolura korruptive. Sepse jo vetëm nuk ka asnjë garanci, porse janë të pranishme indiciet e nje korrupsioni agresiv, edhe në rradhët e ithtarëve të sotshëm politikë të kësaj Reforme. Të cilët, në guximin e tyre korruptiv,  duken sypatrembur, sepse me sa duket, mendojnë apo gjykojnë që tehu i kësaj “Drejtësie të Re”, nuk shpon njësoj nga të dy krahët.

Ndoshta ky mund të jetë edhe një përfundim apo perceptim i gabuar, por prova që nuk është kështu, është Konsensusi i Detyrueshëm, pamvarsisht se sa kushton, në energji apo kompromise dhe koncesione, që Shumica aktuale duhet të ofrojë për Opozitën.

Dhe këtë ambasadorët, përkrahës të vendosur të kësaj Reforme, si zoti Lu apo zonja Vlahutin, duhet ta dinë fare mirë.

Një Drejtësi që do të merrej kryesisht me rrënimin e Opozitës, duke krijuar alibinë e zgjidhjes së problemit, nuk i duhet as dreqit. Do të ishte thjeshtë një Hipokrizi dhe një Reformë e rreme.

Sepse politika dhe demokracia, ndryshe nga cfarë na kanë mësuar nëpër ca lloj librash, është kryesisht Ekuilibër.

Një ekuilibër i papastërt, shpesh i neveritshëm, shpifës apo intrigant,  në të shumtën e vet.

Mirëpo ekuilibri është Zgjidhja e Artë që të jetojmë në një demokraci sa më funksionale, që është si edhe thamë një ekulibër forcash, e që shmang arrogancën potenciale të njerës anë.

Edhe historia jonë e shkurtër “demokratike”, ka dhënë qartazi në leksionet e saj shumë të kushtueshme, se përtej partive politike, slloganeve të saj apo britmës retorike:

“Unë jam i ndershëm ndërsa ju, kundërshtarët e mi Jo!”, ka shpesh një mospërputhje të hatashme me të vërtetën.

Që të kemi pra një Drejtësi të besueshme, duhet të clirohet mundësisht e gjithë shoqëria nga ankthi që dikush mund të përfitoj politikisht prej saj.

Korrupsioni është një realitet i zymtë dhe përgjithësisht i pandëshkuar në Shqipëri, padyshim. Por ndërmjet këtij realiteti dhe diktaturës de facto, të “më të mirëve”, kundër “më të këqinjve”, diktatura duhet të na trembë më shumë.

Sepse herët a vonë, përparimi i saj, të mbyll sytë, veshët, gojën dhe të punëson si skllav pa asnjë të drejtë.

Kush e ka jetuar atë realitet përpara viteve ’90, e di mirë se çfarë po flas. (Opinion.al)

SHKARKO APP