Edhe Rama me buxhet “lesh arapi” si Saliu

 

Nga Zef Shtjefni

Është bërë traditë e përgjithshme tashmë që kur vijnë të majtët në pushtet, rrisin taksat në emër të forcimit të shtetit, mbrojtjes së të varfërve dhe frenimit të “babëzisë” së të pasurve. Por është e provuar se sa më radikale ka qenë kjo luftë e së majtës me kapitalizmin, aq më shumë varfëri ka sjellë kudo ku është zbatuar. Me sa u duk ne fillim, këtë vijë ka dashur të ndjekë edhe Qeveria e majtë e Ramës tek ne këtë radhë, edhe pse vetë Rama nuk ka qenë ndonjë herë as i majtë e as i djathtë. Rriti tatim fitimin me 5% në burim dhe me 5% mbi dividentin. Pra nga 10 + 10%, shkuam në 30%. Hoqën taksën e sheshtë të Saliut dhe e zëvendësuan me taksën progresive, që në fakt as vetë nuk po e marrin vesh se çfarë është dhe kundër kujt mund të zbatohet në Shqipëri. Kur filloi luftën kundër evazionit fiskal, u bë një punë e mirë në start, sepse detyroi shumë biznese të regjistroheshin. Me rrumpallhanën e Saliut me taksat, me vjedhjet masive të energjisë, me kultivimin ngado të drogës etj, nuk mund të ecej më tej. Por tatimorët e Ramës gabuan në një gjë esenciale që në fillim: i futën të gjithë bizneset në një thes, duke sulmuar kot edhe ata që gjithë jetën kanë qenë korrekt me shtetin. Kjo solli frikë, pasiguri dhe tkurrje të madhe tek bizneset e mira në vend dhe shumë syresh ndaluan investimet e punësimin. Kam asistuar vetë në verë në një kontroll të tillë tek një subjekt shumë i rregullt, që gjithsesi punon vetëm dy muaj në vere, kur brenda një dite erdhën 7 kontrolle. Një çmenduri e padëgjuar!                  

Një tjetër gabim i rëndë në politikën e Ramës në ekonomi, që po ia bën “lesh arapi” buxhetin edhe Ramës, për mendimin tim, ka qenë ndalimi i punës ndërtimore në vend. E kam ngritur zërin me disa shkrime për këtë temë, por siç duket është sëmundje që kush hyp në poltronin e Kryeministrit, nuk dëgjon më zërat që vijnë nga poshtë. Ndërkohë që kabinetet i mbushin me servilë e studentë praktikantë, që punën e parë në jetë e fillojnë nëpër ministri. Ndërtimi ka qenë për vite me radhë shpirti i ekonomisë sonë. Normal që bumi do ikte një ditë. Por është marrëzi të mendosh se në Shqipëri kemi përfunduar punë me ndërtimin, se kemi pallate mjaft etj. Me ndërtimin janë të lidhur jo vetëm 13 fabrikat që prodhojnë tulla, nga të cilat nuk punon më asnjë. Por janë të lidhur edhe ata që  prodhojnë, çimento, zhavorre, hekur, mobilie, durale, sanitare etj, etj. Janë të lidhur ata që importojnë dhe eksportojnë lëndë të para dhe lëndë të gatshme. Është e lidhur më shumë se gjysma e ekonomisë. Mua nuk më është dukur aspak e mençur dhe aspak normale që në emër të disiplinimit të kaosit urban të Saliut, të ndalojmë krejt punën ndërtimore në vend. Është njësoj si të themi: meqë kemi aksidente për mungesë të rrugëve të mira e rregullave sipas standardeve, të ndalojmë qarkullimin rrugor! Mjaftonte një organizëm i plotë kontrolli në qendër mbi lejet e ndërtimit dhe puna nuk duhej kurrsesi të ndalej. Janë shkatërruar më qindra ndërmarrje e investime të mëdha, të mesme e të vogla në sektorin e ndërtimit, të cilat nuk e marrin më vetën kurrë. Nuk është pasojë e ndalimit të vjedhjeve të energjisë apo ndalimit të kultivimit të drogës eksodi i 5-6 shqiptarëve në muaj këto kohë. Shkurtimi i 75 mijë vendeve të punës, që raportojnë mediat ka shkak kryesor ndalimin e punës në ndërtim dhe mungesën e punëve alternative në sektorë të tjerë, të cilët sollën këtë situatë të keqe në dimrin e dytë të Qeverisë Rama-Meta.                                               

Më duket se e kanë bërë vërtetë “lesh arapi”, njësoj si Saliu dhe Bode, edhe Rama e Cani buxhetin e shtetit tonë këtë vit dhe kjo shihet aq qartë, kur i sheh tu turrën me “shkop e shpatë “ doganierëve e tatimorëve, të cilët i ndërsejnë me hanxharë kundër bizneseve, për të kompensuar me gjoba 300 mln eurot që kanë humbur nga gabimet e veta me reformat e nxituara apo të menduara keq. Do ishte më i moralshëm dhe besoj shumë më i suksesshëm për buxhetin të ndërmerrej një aksion i madh kundër pasurive të pushtuara publike, siç janë: afro 30% e plazheve tona dhe e tokave bujqësore. Ose kundër pronave të paligjshme të zyrtarëve, gjyqtarëve, prokurorëve etj, që mund të jenë afro dy herë më të mëdha se gjithë pasuritë e shtetit tonë dhe nuk kanë asnjë mundësi justifikimi se i kanë të ligjshme. 

SHKARKO APP