Edi Rama flet për ekonominë në Parlament

 

 
  •  
  •  

Fjala e Kryeministrit Edi Rama në Kuvend (date 22 tetor 2015)

Dua ta falenderoj parafolësin për nxitjen që më dha me fjalimin e tij, duke folur për meritat e mëdha, por ende të panjohura, – besoj të panjohura nga publiku e kishte fjalën, – për qeverisjen e Partisë Demokratike, si dhe pastaj duke e plotësuar këtë nxitje me paraqitjen tërësisht të deformuar apo të formësuar nga këndvështrimi krejt ireal i Partisë Demokratike mbi situatën.

Sigurisht në mbyllje do t’i rezervojë vetes të drejtën që të them se pse pikërisht tek çështja e CEZ-it kemi një pasqyrë të qartë për dallimin mes nesh dhe jush.

Më lejoni t’ju sjell në vëmendje faktin se Standard & Poor’s jo vetëm ka afirmuar pozicionin e Shqipërisë, duke konsoliduar atë arritje që i takon kësaj qeverie lidhur me këtë pozicion, por edhe ka paralajmëruar në raportin e  vet më të fundit se citoj: “Nëse pasqyra pozitive e sotme e Shqipërisë do të plotësohet me vazhdimësinë në raport me angazhimet e marra, atëherë janë krijuar kushtet që Standard&Poor’s ta rrisë ratingun e Shqipërisë në 6 muajt e ardhshëm.”

Pa dashur të lexoj të gjithë raportin më lejoni të veçoj çfarë kjo kompani, botërisht e mirënjohur, thekson në kundërshtim të plotë me të gjitha ato që thoni ju pa u lodhur dhe pa marrë asnjë moment frymë, për të reflektuar mbi shkëputjen tuaj të plotë nga realiteti në dy vitet e fundit. Dhe thotë kështu: “Qeveria është duke forcuar institucionet fiskale dhe menaxhimin e financimit të sektorit publik. Në këtë periudhë reformat që kanë adresuar sistemin e pensioneve, qeverisjen vendore, administrimin fiskal dhe sektorin e energjisë kanë sjellë rezultate të qenësishme, ku veçohen përpjekjet posaçërisht në sektorin e energjisë si veçanërisht të suksesshme.”

Çfarë është sektori i energjisë dhe çfarë kemi bërë ne veçanërisht të suksesshme, kjo është një pyetje retorike, sepse përgjigja qëndron pikërisht aty ku sot, ju keni përqendruar goditjen më voluminoze të baltës tuaj.

Më lejoni të vazhdoj me meritat e panjohura të qeverisjes suaj. Raporti ekonomik i Bankës Botërore për Europën Juglindore, pikërisht i vjeshtës 2015-të, thotë: “Nga viti 2008 deri në vitin 2012 pati një rritje konstante të varfërisë, përfshirë dhe varfërinë e skajshme.”

Dhe kjo është periudha e meritave të panjohura për ju, por në fakt, merita që ju i shihni vetëm në imagjinatën tuaj, sepse populli shqiptar jua dha gjykimin.

Ndërkohë, referuar kapitullit për Shqipërinë më lejoni t’ju them se çfarë nënvizon Banka Botërore: “Ekonomia shqiptare vazhdoi të rritet në vitin 2015, e mbështetur kryesisht nga investimet private dhe eksportet neto.”

Madje raporti shkon më tej, duke thënë: “Përmirësimi i treguesit të besimit dhe rritja e normës së shfrytëzimit të kapaciteteve sugjerojnë se investimet private, të drejtuara nga rritja e investimeve të huaja direkte, do të vazhdojnë të jenë kontribuues kryesor në rritjen e Prodhimit të Brendshëm Kombëtar, edhe për periudhat në vijim.”

Vazhdon raporti i Bankës Botërore: “ Deficiti tregtar u ngushtua si rezultat i rritjes së eksporteve dhe rënies së importeve, me gjithë rënien e çmimeve të naftës në tregjet botërore,” – që unë e përkthej shumë thjesht, si rezultat i fillimit të ndryshimit përmbajtësor të modelit ekonomik, – “Megjithëse vlera e importeve erdhi në rënie, kryesisht për shkak të çmimit të naftës, importet në zërin makineri pajisje u rritën, duke mbështetur rritjen e investimeve prodhuese.”

Përsëri, një rritje që vjen si rezultat i politikave tona që adresojnë ndryshimin e modelit ekonomik, nga një model ekonomik i shteruar si ai i juaji në një model ekonomik që synon rritjen e investimeve prodhuese dhe të punësimit real.

“Investimet e huaja direkte u rritën në tremujorin e parë të vitit dhe flukset hyrëse në deficitin korrent u rritën me 26.5%, duke kontribuar pozitivisht në financimin e deficitit korrent. Dhe këto rezultate pozitive,” – nënvizon raporti – “ndodhën pavarësisht rënies së të ardhurave nga eksportet, remitancat dhe investimet e huaja direkte nga Greqia.”

Më tutje raporti nënvizon hapin e rëndësishëm të bërë në drejtim të uljes së kredive të këqija. E latë këtë vend, dy vjet më parë, me 25% kredi të këqija dhe sot jemi tek 20%.

Dëgjoni edhe pjesën tjetër, se kjo duhet t’ju interesojë posaçërisht: “Treguesit e tregut të punës kanë ardhur në përmirësim gjatë tremujorit të dytë të vitit 2015. Punësimi u rrit me 10.6% në terma vjetorë.” Nuk e thotë PS, as LSI, por e thotë Banka Botërore: “Punësimi u rrit me 10.6% në terma vjetorë.”

Ndonëse nuk e realizuan planin, deri në qershor 2015, të ardhurat u rritën me 4.4% në krahasim me vitin e kaluar. Ndërkohë që të ardhurat nga biznesi i vogël dhe tatimi mbi të ardhurat personale, – një gropë e madhe informaliteti që e zgjeroi dhe e thelloi keqqeverisja juaj, – u rritën respektivisht me 22.5 dhe 21.7%. Politikat fiskale konsoliduese parashikohet ta sjellin borxhin në nivelin  qëndrueshëm 57.1 në vitin 2019.

E pra, këto janë ato që thotë Banka Botërore në raportin e vet tërësisht teknik. Dhe ju lutem përpiquni mos ta përfshini dhe Bankën Botërore në konspiracionin e madh, ku në qendër keni dy bandat e koalicionit, siç në mënyrën më vulgare i përcaktoni ju, dy partitë e këtij koalicioni.

Më lejoni të vazhdoj me rritjen ekonomike: “Rritja ekonomike parashikohet 2.7 në vitin 2015.”

E Latë Shqipërinë me 0 presje asgjë. Jemi sot në një trend rritjeje ekonomike të qëndrueshme, edhe pse nuk është një rritje ekonomike që na bën të lumtur, apo që na bën aq të kuturisur saç ishit ju, për t’u thënë shqiptarëve se ja ku e keni mrekullinë.

Nga ana tjetër, konsumi privat është rritur dhe kjo është pika themelore, rritja e konsumit, për të cilën ne kemi këmbëngulur në vijimësi dhe të cilën ju e keni refuzuar në vijimësi, pa u bazuar në asnjë analizë, në asnjë statistikë, në asnjë logjikë, por vetëm duke ju referuar pasqyrës ku shikoni vetveten dhe ku vetvetja ju duket se jeni viktimë e padrejtësisë dhe e moskuptimit të popullit shqiptar që ju largoi nga qeverisja juaj e suksesshme, që e bëri Shqipërinë të dytën pas Gjermanisë.

Vazhdojmë më tej me një krahasim. Krahasimet janë gjithmonë relative, por duke ju referuar raportin, më lejoni t’ju jap një mundësi për të zbritur në tokë dhe për të mos kërkuar qiqra në hellin e propagandës tuaj; “Ritmi i rritjes ekonomike në Shqipëri është ndër më të lartit”, – thotë Banka Botërore, jo ne, – “jo vetëm në rajon, por edhe krahasuar me vendet me rritjen më të lartë në Bashkimin Europian si Polonia dhe Lituania, duke lënë mbrapa Maqedoninë, Serbinë, Malin e Zi dhe Bosnje Hercegovinën.”

E përsëris, unë këto krahasime i konsideroj të gjitha relative, por vlejnë për të kuptuar se ekonomia jonë vepron në një kontekst dhe nuk vepron e shkëputur nga çdo kontekst. Jam shumë i qartë që 2% rritje në Britaninë e Madhe nuk është 2% rrije në Ballkan.

Nga ana tjetër dëgjoni edhe një shifër me rëndësi: “Papunësia në Shqipëri është më e ulëta në rajon.” Shifrat janë të Bankës Botërore.

Do të ishte anormale sikur ju të mos qeshnit. Të qeshrat tuaja janë shprehje e atij normaliteti që prej dy vjetësh ju mban juve, jashtë realitetit. Ju vazhdoni qeshni njësoj siç qeshnin ata që i jepnin bar traktorit, kur e panë për herë të parë, se në atë gjendje mentale jeni.

Vazhdojmë me kreditimin e ekonomisë. “Me rritjen pozitive ekonomike, kredia ka ardhur në përmirësim, ndryshe nga vendet e tjera të rajonit dhe posaçërisht, Serbia dhe Bosnje Hercegoina,” – të cilat në këtë pikë ishin shumë më përpara nesh, dy vite më parë.

Dy fjalë edhe për çështjen e azilkërkuesve, që janë kthyer për fat të keq tuajin, në mish për topin e propagandës tuaj. Jua kam thënë edhe herë tjetër dhe po e përsëris se nuk është një temë për të bërë politikën e ditës këtu në Shqipëri. Nuk e bën asnjë vend. Nuk është më pak konfliktuale politika as në Serbi dhe as në vende të tjera të rajonit, pavarësisht se ju i keni dhënë politikës një goditje fatale, duke e ulur në nivelin e muhabeteve të pikave të basteve. E vërteta është që asnjë vend tjetër, përveç këtij vendi, nuk bën politikë dite me njerëzit që kërkojnë gabimisht, rrugën e  azilit politik.

Ajo që ju duhet të dini dhe që është pranuar zyrtarisht dhe botërisht nga autoritet e vendeve pritëse është se numrin e lartë, krahasuar me vendet e tjera të rajonit, të atyre që kërkojnë azil si shqiptarë e përcakton fluksi shumë i lartë i emigrantëve shqiptarë në Greqi, të cilët kërkojnë një shans të dytë në rrugën e gabuar të azilit politik në Gjermani. Dhe ky është një fakt i provuar. E rithem, ju shikoni veten tuaj në pasqyrë dhe nuk keni fare, por fare, idenë se çfarë ndodh apo nuk ndodh, çfarë bëhet mirë dhe çfarë bëhet më pak mirë dhe çfarë bëhet keq në vendin tonë. Ju siguroj se nëse ne të investoheshin për të bërë opozitën sot, do të dinim ta bënim më mirë se ju, se ka boll probleme dhe tema për të bërë opozitë reale, por ju nuk keni si e bëni, se jemi një parti që s’keni as lidership, s’keni as ekip, s’keni as program dhe ju ka mbetur ora aty ku ndaloi kur shqiptarët ju hodhën nga karriget. Në det apo në kënetë gjeni vetë se ku jeni, por mbi ujë nuk jeni,  kjo është e sigurt. Nën ujë jeni, por a është ujë kënete, a është ujë deti, këtë e provoni ju.

Ndalemi tek CEZ-i, që është një pasqyrë mëse e kthjellët për të parë dallimin midis nesh dhe jush, se çfarë bëtë ju me sektorin e energjisë në tërësi dhe me kompaninë në veçanti dhe çfarë bëmë ne. Habitem me kurajon që keni, që është kurajoja e njeriut që nuk mban përgjegjësi as për atë që mendon dhe as për atë që  thotë. Një kurajo shvejkiane që ju buron nga statusi juaj. Statusi i shërbëtorit që ushqehet me kushtin që të mos mendojë, por të thotë atë që i thonë se duhet thënë, për të marrë tasin e supës në vaktin e radhës. Si keni ju, kurajon të flisni për sektorin e energjisë dhe si kemi kurajën ju, të flisni për një gropë të pashoqe, të pangjashme me asnjë gropë tjetër në rajon dhe në Europë! Të cilën e hapët ju dhe e hapët, sepse në 2007-n ishit ju, – besoj me të drejtë, – që vendosët të pastronit të gjitha llogaritë e kompanisë. Dhe kompania e shpërndarjes së energjisë e rifilloi e rilindur jetën e vet, pa asnjë qindarkë borxh.

E kujt i kërkoni llogari ju, që nga 2007-ta në gusht të 2013-s e zhytët kompaninë në 1 miliardë dollarë borxhe dhe vetëm nga janari në gusht të 2013-s akumuluat 270 milionë dollarë borxhe! Kujt i kërkoni llogari ju, që u thatë shqiptarëve të vjedhësh energjinë është e drejtë njerëzore, sepse dritat vijnë nga Zoti dhe askush s’ka të drejtë t’i ndalojë, por me një kusht, me votën tuaj blini dritat!

Keni nxjerrë ca shifra për këtë medemek aferën e madhe, që se është një aferë e madhe është absolutisht një aferë e madhe, por ju jo vetëm nuk keni asnjë lloj pozicioni të favorshëm për të akuzuar askënd, por duhet të jeni dhe unë shpresoj shumë që të jeni në bankën e të akuzuarve, për çfarë i ndodhi sektorit elektroenergjetik në vitet e qeverisjes suaj. Duke filluar nga privatizimi, për të cilin jua kemi bërë shumë qartë edhe në këtë foltore se ishte tërësisht i pashpresë, tek pazaret e ngritura, pastaj tek pazaret e prishura dhe deri tek përzënia me policë e pronarëve të ligjshëm të kompanisë,  pa marrë mundimin as të bënit një copë letër për ta shpronësuar zyrtarisht kompaninë, por duke vendosur administratorin nga zyra e Kryeministrit në një pronë private.

Si keni gojë të flisni kur vetëm në një vit janë regjistruar në sistem si konsumatorë të rregullt 352 mijë klientë! Ku ishin këta më parë? Si keni gojë dhe të flisni kur e latë kompaninë me 52 % humbje! Pjesa dërrmuese vjedhje, grabitje, mospagesa. Si keni guxim t’i qani hallin atyre se nuk kishin lekë të paguanin borxhet, kur borxhet ia u latë ju në kurriz! Pse i latë ju ata, që të zhyteshin në borxhe; Pse u thatë ju atyre që nuk ka problem, “merrini dritat, mos paguani se jemi ne këtu”; Pse i zhytët njerëzit në atë farë injorance totale, në raport me detyrimet e tyre; Pse nuk jua fshitë borxhet, po jua u latë aty? Sepse nuk kishit si t’i jua fshinit dhe si hileqarë dhe të pabesë, ju krijuat iluzionin se mund të vazhdonin të konsumonin energji dhe se kurrë një ditë nuk do t’u vinte llogaria në derë.

Ndërkohë që, ne që akuzohemi prej jush, 40 milionë euro jua kemi falur të gjithë atyre që kanë pranuar aktmarrëveshjen dhe kanë paguar menjëherë detyrimin, 80 %. Janë 40 milionë euro, por jo si ato amnistitë tuaja. Ju bënit amnisti për t’u marrë votat dhe nuk fshinit asgjë në llogaritë  e tyre. Më e bukura është se ju keni dhe shifra të ndryshme. Kryetari i vogël që keni, thotë 600, kryeplaku thotë 800, zëdhënësat sipas rastit. Por cilado qoftë shifra, kujt ja kërkoni këtë shifër?! Na e kërkoni neve?! Ne e krijuam atë shifër, apo ju që i latë rrugëve lekët e shqiptarëve?!

Ne ndryshe nga ju, – siç tregojnë dhe dokumentet, se edhe ato pak letra që keni shkruar, i keni shkruar siç ju takon në fakt, si analfabetë të qeverisjes, letra të shkruara për negociata të paligjshme, për pazare domethënë, të cilat janë prova për hetimin që me siguri duhet të kryhet dhe ne do të bëjmë çmos që të kryhet, – ne kemi negociuar marrëveshjen në zyrat e Komunitetit të Energjisë në Vjenë, të cilin ju e përfshitë në konspiracion.

Përfshitë në këtë konspiracion, – mirë ne që jemi këtu – edhe komisionerin për Zgjerimin, përfshitë Komunitetin e Energjisë, sepse në fakt, ju mendonit siç do të kishit bërë ju dhe ju kujtoni që të gjithë janë si ju. Ju jeni shëmbëlltyra më elokuente e asaj që thotë Kanti: “Kur dikush të akuzon për diçka që se ke bërë, dije se është në gjendje ta bëjë vetë.”

Të gjithë këto “u vodh këtu, u vodh atje” , akuza që i bëni në hava, e di pse i bëni me plot gojën? Se i keni bërë vetë dhe jeni në gjendje t’i bëni prapë vetë. Doni të vini dhe në qeveri prapë! Si do të vini në qeveri?! Ju do të vini në qeveri vetëm ditën kur të keni bindur shqiptarët që jeni ndarë qartë dhe prerë nga e gjithë fryma dhe metoda e keqqeverisjes, që ju çoi këtu ku jeni dhe ju katandisi si “kokoshi një thelë”.

Vetëm atëherë ju mund të vini në qeveri, më përpara kurrë. Atë, për fat të mirë nuk e keni në dorë as ju, as unë. E kanë në dorë ata që votojnë. E që për hir të së vërtetës kanë treguar se edhe kur nuk dinë shkrim dhe këndim, në këtë pikë nuk gabojnë. Dele nuk bëhen, që të vijnë pas berihait tuaj.

Kompania CEZ pagoi 102 milionë euro për të blerë OSSH. Pala shqiptare në negociata nuk ia u njohu çekëve 272 milionë euro të blerjes fillestare të aksioneve dhe të vlerës aktuale fizike të aseteve. Sipas auditëve, aksionet ishin të zhvleftësuara me bilanc negativ zero. Aksionet u transferuan nga pala çeke tek ajo shqiptare me 1 euro. Sipas auditëve, asetet fizike kishin një vlerë afërsisht 170 milionë euro.

Pala shqiptare i mori të gjitha asetet fizike me vlerë 170 milionë euro. Këto janë negociatat. CEZ shpërndarje kishte 87,1 milionë euro detyrime kredi, shërbime, nga kompania mëmë, detyrime të njohura me kontrata dhe me bilance. Pala shqiptare njohu vetëm borxhin që CEZ shpërndarje kishte ndaj CEZ.as me fatura dhe me bilanc.

CEZ.as kërkonte qindra milionë euro dëmshpërblim për heqjen policore të njëanshme të licencës dhe shkeljen e detyrimeve të kontratës së privatizimit, të gjitha të regjistruara një nga një. Sepse ju keni bërë kontrata për privatizime, por  keni patur mendjen vetëm sa të bëni pazarin e privatizimit, edhe këtu, edhe tek të tjerat, pastaj i keni lënë në rrjedhje të lirë kontratat.

Shuma e dakordësuar për t’u paguar me këste për 4 vjet, bashkë me interesat, arrin në 95 milionë euro dhe është refuzuar çdo shumë tjetër dëmshpërblimi.

CEZ shpërndarje kishte 215 milionë euro borxhe ndaj KESH dhe OSSH këtu brenda, pa kamatë dhe pala shqiptare merr në kontroll 76 % të aksioneve nga çekët dhe të drejtën e arkëtimit të 500 milionë eurove dhe të detyrimet në masën e 205 milionë eurove. Konsumatorët familjarë dhe jo familjarë, përfshi edhe institucionet, edhe Kryeministria, ministritë po ashtu i kishin borxh CEZ-it. Se ishte mall që vinte nga Zoti.

500 milionë euro borxhe pa kamatë. OSHEE-ja fitoi të drejtën të arkëtojë 295  milionë euro më shumë se detyrimet që kishte ndaj KESH dhe OSSH dhe 500 milionë eurot e arkëtueshme i kalojnë të gjitha në favor palës shqiptare.

Të gjitha këto llogari kaq elementare nuk i bënit dot ju. Unë e di që nuk i thoni dot, por të paktën nuk i bëni dot?! Të paktën nuk i thoni dot aritmetikanëve të SHQUPI-t që të paktën ta ulin pak këtë koeficientin e rrenës këtu, se është shumë e madhe! Apo është ajo teoria që sa më e madhe është rrena, aq më i madh shansi që ta besojnë.

Ishin dhe 135 milionë euro të tjera të rrezikuara me DIA-n e famshme, e cila kishte paditur CEZ shpërndarje. Me arritjen e marrëveshjes u bë e mundur zotërimi i të gjithë dokumentacionit që fakton manipulimet e DIA-s ndaj CEZ-it. Përmes këtyre fakteve u bë i mundur edhe hapi tjetër, që DIA të firmosë tërheqjen nga arbitrazhi, pa asnjë kosto për palën shqiptare dhe pa kërcënimin e 135 milionë eurove.

Këto sollën 296.6 milionë euro investime të garantuara. Nuk po llogaris këtu shifrat e tjera se çfarë ka arkëtuar sot kompania. Nga një kompani me humbje marramendëse, të cilës çdo vit ju i paguanit mesatarisht nga buxheti i shtetit 150 milionë euro që të mbanit dritat hapur, në një kompani me fitim. Një kompani që për herë të parë në historinë e vet paguan taksa. Një kompani që për herë të parë në historinë e vet nuk i thotë qeverisë, bëj një ligj, bëj një VKM, bëj një ndërhyrje të mbajmë ndezur dritat.

E mbi të gjitha është mirë që të mos shkëputemi fare nga organizmat ndërkombëtare. Do vijë dhe do ta shikoni edhe Progres-raportin. Por përpara se të vijë Progres-raporti, mirë është që t’i referoheni institucioneve që i referohen shkruesit e Progres-raportit, në këtë rast, Komuniteti i Energjisë në Vjenë, të skandalizuar me marrëzinë e këtij sulmi për një marrëveshje, e cila ishte një operacion shpëtimi në planin financiar, në planin ekonomik dhe në planin politik për Shqipërinë.

I dërguari i Komunitetit të Energjisë në Vjenë tha para dy ditësh shprehimisht: Nëse Shqipëria do të kishte zgjedhur rrugën tjetër do të ishte një simbol turpi në gjithë botën e këtij sektori, për të gjithë. Ndoshta këtu ka njerëz që mund ta përkthejnë akoma më qartë se çdo të thotë “parja”. Një “parja” shtet në mes të Europës. E më e bukura është që kërkoni nga ne, pse nuk shkuam në arbitrazh. Përse nuk shkuat ju në arbitrazh?! Juve që ju dhimbseshin kaq shumë paratë që i latë rrugëve. Por nuk kishit si të shkonit në arbitrazh, nuk kishit asnjë shans. E dinit mirë këtë gjë dhe shyqyr që nuk shkuat. Të paktën ndaluat aty për arsyet tuaja. Se me ta, ballë për ballë në gjyq mund të kishit dëgjuar gjëra që nuk do të donin t’i dëgjonin shqiptarët. E që mbase uroj që ata që janë përgjegjës do t’i dëgjojnë nga prokurorët në bankën e të akuzuarve.

Nuk po ju jap shifra të tjera. Të gjithë këto janë fakte. Nuk keni fare se përse të më kontestoni mua si folës për shifrat. Këto janë shifra të shkruara, të firmosura të vërtetueshme, qofshin ato që lidhen me kontratat e reja, me tatimet, me taksat që paguan OSHEE-ja, qofshin ato që lidhen me marrëveshjen. Shtetet e pjekura nuk shkojnë në arbitrazhe përpara se të tentojnë marrëveshjen. Është e njohur botërisht. Nxorët edhe një raport të Kontrollit të Lartë të Shtetit – e nxorët ju atë raport, sepse e lajmëruat këtu në parlament, nga padurimi, – raport kallëzim, me asnjë pikë. Ju sfidoj të dilni këtu dhe të lexoni një pikë të atij raporti, ku përcaktohet referenca ligjore, baza ligjore. Çfarë ligji dhe cilin nen të kujt ligji kanë shkelur ata që kanë negociuar marrëveshjen. Të gjitha konkluzionet janë konkluzione politike, konkluzione subjektive , a thua se qeveria duhet të shkojë të pyesë KLSH-në, nëse një çështje duhet ta zgjidhi me marrëveshje apo me arbitrazh. Qeveria është sovrane, vepron me sovranitetin e vet në hapësirën që i jep Kushtetuta dhe ligji. Qeveria nuk shkon të marri leje, as tek opozita, as tek KLSH, as në Bruksel po të doni, nëse do të bëjë një privatizim, nëse do të bëjë një shpronësim, nëse do të zgjidhi një çështje me marrëveshje apo me arbitrazh.

Madje pretendimet e KLSH-së nuk tregojnë mbi çfarë dokumenti zyrtar bazohen. Nuk ka një dokument zyrtar që t’i referohen, ku të thonë se në këtë dokument zyrtar shkruhet; kjo është shkelje. Ndërkohë që vlera e pretenduar e dëmit është thjesht një “perpetum” e akuzave. Mesa duket atje ka pësuar edhe ajo një ulje shifrash sepse duhet të jesh kryeplaku i fshatit tuaj që ta ngresh aq lart shifrën e rrenës. Nuk e ka njeri tjetër atë gjenialitet. Kështu që në gjithë atë batak ku ju jeni zhytur dhe ashtu si mbyturi që tenton të mbysë, jepni e merrni me këmbë e duar, tamam si tek ajo poema: O i shkret i punëtuar/ jep e merr me këmbë e duar/ Bam me këmbë e bam me duar/ o i shkretë i punëtuar. Hidh baltë këtej e hidh baltë andej me shpresën që do zërë balta dhe të paktën do të dukemi të gjithë njësoj. Nuk jemi njësoj fare ne. Jo se ne jemi më të mirë se ju. Ia u kam thënë dhe herë tjetër. Shqiptarë ju, shqiptarë ne. Të gjithë një popull jemi, por sepse ne ndryshe nga ju, dimë të bëjmë shtet. Ju s’dini. Ju jeni një çetë që sa herë merr në dorë çelësat e një zyre ndërton zyrë fshatin e  vet. Sa më e madhe zyra, aq më i madh fshati. Qeverisni fshatçe: “Ky është djali i Selimit, Selimi burrë i mirë, punë e madhe që s’po paguajnë energjinë”. “Ai atje është djali i Naimit. Naimi është burrë i keq, gjobë atij fshatçe. Edhe shteti pastaj, siç e latë. Ky është ndryshimi. Ju jeni shqiptarë që s’dini të bëni shtet, ne jemi shqiptarë që dimë të bëjmë shtet. Kaq. Pastaj jemi të gjithë njësoj, me të mirat dhe të këqijat tona. Nuk dallojmë. Jam i bindur që disa nga ju, përfshi edhe parafolësin, po të vinin tek ne do të bënim më shumë për shtetin. Por duke qenë atje, bëheni pjesë e mosbërjes së shtetit.

  

***

Unë asnjëherë nuk kam thënë se ju kujtoj juve, kur vinit këtu si kryetar i grupit parlamentar, që i drejtoheshit opozitës dhe i thoshit se “do të rrini këtu deri në 2022 …” e jepnit data, sipas datave që jepte kryeplaku që thoshte “në 2026, kur unë ta lë” etj..

Unë nuk merrem me këto. Unë e di shumë mirë që vendos populli në çdo zgjedhje. Ku ju them juve, që po vazhduat kështu, nuk keni asnjë shans të merrni besimin e njerëzve, pasi njerëzit nuk janë budallenj. Ata 1 milionë, që ju i përmendni shpesh,  e dinë mirë se pse ju katandisën në derexhenë ku ju katandisën. Dhe përsa kohë ju nuk do të tregoni që e keni marrë mesazhin, keni reflektuar mbi atë mesazh dhe jeni diçka tjetër, unë them që nuk do t’ju votojnë. Por ky nuk është shqetësimi im. Nuk është shqetësimi im as rivotimi dhe as rizgjedhja ime si kryeministër në 2017-n.

Nëse do të ndodhin këto, unë jam ndër ata që besoj se ja vlen të ndodhin vetëm kur meritohen. E për t’i merituar, ndryshe nga ju, unë besoj që kush e ka këtë përgjegjësi duhet të bëjë gjënë e drejtë, jo atë gjënë fshatçe. Pra, nëse Shqipëria, për shkakun tuaj ishte i vetmi vend ku qytetarët europianë të këtij vendi vidhnin haptazi dritat, nuk duhet të ishte më kështu. Nëse kjo do të kushtonte karrigen, po pastaj?! Rëndësi ka që kjo ka ndryshuar dhe është një çështje e kryer sot. Ata 300 e kusur mijë, që deri dje mendonin që “La Dolce Vita” do të vazhdonte sa ta kishin jetën, nuk do të kthehen më prapë aty ku ishin. Pra, është bërë një hap shumë i rëndësishëm.

Ne nuk jemi monarki dhe askush nuk shpreson dhe beson, – them unë, – që mund të rrijë në pushtet “perpetum”. Edhe njëri që e shpresonte, mund të kishte ikur me shumë më tepër nder, mund të kishte bërë shumë më tepër gjëra me atë pushtet që kishte, iku siç Zoti mos ja dhëntë kujt, që të iki. Prandaj vjen vërdallë sot e gjithë ditën, në vend që të bëjë një punë të mirë e t’i tregoj nipave e mbesave përralla, vazhdon t’i tregojë shqiptarëve përrallën e vet.

Po ju jap një shembull tjetër, sepse nuk mjafton të thoni afera, afera dhe ajo të jetë e vërtetë. Nuk mjafton të thoni ju vjedhje, vjedhje dhe ato të jenë të vërteta.

Jo më larg se 2-3 ditë dolët dhe thatë se “do t’i tregojë shqiptarëve sesi paratë që paguajmë për OSHEE i marrin deputetët me tendera.” Nëse do të ishte e vërtetë, të jeni të sigurt që do të isha unë që do t’ju falënderoja dhe do të veproja. Por a është e vërtetë?

Akuzoni kandidatin e Partisë Socialiste, të Aleancës sonë, për bashkinë Kamëz. Kompania që ka fituar me tender, në kompaninë e shpërndarjes së energjisë, të drejtën për një shërbim sigurie në vitin 2009 dhe është aty që nga 2009-a dhe sot nuk ka një kontratë të re, por ka vetëm një shtesë kontrate ligjore, pasi po kryen procedurat e ankimimit të palëve të tjera.

Çfarë bëni ju? Kaq keq ka mbetur ky vend, i mbushur me kaq shumë probleme, ku 1 milionë njerëz kanë mbetur të zhgënjyer, që ju të gjeni punë e të bëni opozitën? Jo për të na ndihmuar ne, pavarësisht se indirekt do të na ndihmoni edhe neve, por për t’i thënë shqiptarëve që ka dhe një mënyrë tjetër.

Por kush është mënyra tjetër? Çfarë i propozoni ju shqiptarëve? Kush është rruga juaj? Rruga juaj është që të spekuloni në mënyrë banale dhe barbare, me emra njerëzish, a thua se janë dëshmorë të luftës, viktima dhe të thoni “vdiq filani, që paratë t’i marri filani”. Kjo është primitive. Kjo është alpine, si në kohën kur në alpe nuk kishte shkuar jo elektrifikimi, por as gjuha dhe nuk ishte bërë akoma ndarja e kalimit të majmunit njeri. Vetëm në atë kohë mund të imagjinoheshin gjëra të tilla. Ju i bëni sot, në mes të Europës. Një parti që lindi si partia e Europës dhe europianëve këtu në Shqipëri, e katandisur në një çetë fshati që i gjëmon bishtit të vet. Doni të kapni bishtin tuaj? Vazhdoni gjëmojeni. Aty do të ngeleni, pas bishtit!

Kompania tjetër, e zotëruar, thonë, nga Pjerin Ndreu, 340 milionë lekë për ruajtje fizike. Kontratë e 2009-ës. Dhe i vënë emrin, kompania e Pjerin Ndreut. Ajo ka mbiemrin e Pjerin Ndreut. Janë gënjeshtra banale.

Vazhdoni me Sadri Abazin. Po këtë ku e gjetët?! Në qoftë se e ke me tezen e Sadri Abazit, thuaje. Unë nuk i di të gjitha. Problemi është që ti nuk di ato që di, se t’i kanë thënë të tjerët dhe ti del i lexon. Po ju them, nuk ekziston një kompani e tillë. Dhe duke ju referuar vlerës, të cilës ju i referoheni, rezulton që kompania në fjalë është kompani e krijuar në Kosovë, me pronar Valon dhe Imer Ademin. Unë po të flas me letra.

Ju siguroj se në rast se ju do bëheni instrument për të luftuar korrupsionin dhe do të zbuloni, apo do të jepni indikacione të besueshme për çështje që i quani afera, të jeni të sigurt që unë dhe ne do të veprojmë menjëherë. E kam thënë ditën e parë, e kam thënë në vazhdim dhe e përsëris edhe sot; Asnjëri nga ministrat e kësaj qeverie nuk ka imunitet. As imunitet parlamentar, as imunitet politik. Për çdo çështje reale, jo për çështjet që i thoni ju çështje, ku do të ketë implikime me drejtësinë, do çohen nga ai vend dhe do të shkojnë të sqarohen me drejtësinë, nuk do të rrinë aty. Por që ju të thoni “kompania e Ilir Beqajt” dhe ta konsideroni këtë, çështje, kjo është qesharake.

Unë e kuptoj pse qeshni. Sepse ju i keni bërë vetë këto dhe kujtoni se i bëjnë të gjithë si ju. Ju i keni bërë vetë, se mua nuk më shkon mendja që një kompani ku dikush ka qenë aksioner dhe ku aksionet ia ka shitur bashkëaksionerëve, të vazhdojë të konsiderohet kompania e tij. Mua nuk më shkon mendja. Por juve ju shkon, sepse jeni të tillë, sepse i keni bërë këto punë. Edhe ajo që thoni për tezet, hallat, dajat, sepse i keni bërë, keni përfshirë lloj-lloj hallash e dajash në këto histori. Ndërkohë që në rastin konkret, i akuzuari juaj nuk ka përfshirë as ndonjë teze, as ndonjë hallë, por ka shitur normalisht aksionet që ka pasur të një sipërmarrjeje legjitime tek bashkëaskioneri dhe kaq.  I thoni vetes edhe të djathtë.

Ne kemi bërë opozitë për një kohë të gjatë, por asnjëherë nuk jemi marrë me emra sipërmarrësish. Pse? Sepse bindja ime dhe e jonë është se sipërmarrësit nuk janë të detyruar të ruajnë interesin publik. Atë është i detyruar ta ruajë shteti. Dhe nëse ka sipërmarrës që përfitojnë në mënyrë të padrejtë, është përgjegjës shteti dhe janë përgjegjës institucionet, nuk janë përgjegjës sipërmarrësit. Juve keni futur edhe sipërmarrësit në listën e banaliteteve tuaja. 

Profesor, ju dëgjova dje të bënit një llogari rikonstruksionesh të godinës. Kompaninë e shpërndarjes së energjisë, kompania më e madhe shqiptare, mirë që e zhytët dhe e latë rrugëve, zhele, por paguanit 300 e disa dhjetëra mijëra euro qira, për ta mbajtur kompaninë të ndarë në dy pallate. Në pallate! Një kompani, që në çdo vend të rajonit të shkosh, është simbol i kompanive publike, ose kur janë private, private dhe ka godinën e vet. Ju e latë kompaninë në dy pallate, me ushqimore sipër, tatuazh tek kthesa dhe shërbimin e klientit në parkimin nëntokësor! Tani, kujt i kërkoni llogari ju?! Që ju nuk keni asnjë raport me të bukurën, që nuk ju bën përshtypje pisllëku, që ju duken mirë gjërat, nuk duhet të fajësoheni. Se ju keni një raport me pisllëkun që është organik, nuk e keni problem dhe nuk ju bën përshtypje kur ju thonë se si mund të rrish në majë të këtij plehu. Por juve ju duket plehu si tribunë.

Ne do të bëjmë një investim dhe do të të çoj personalisht, projektin që t’i matësh mirë metrat katror dhe kostot, se nuk bëhet fjalë për të suvatuar atë ngrehinën atje. Ne nuk bëjmë siç i bënit ju, siç keni bërë me shkollat dhe tani u bie suvaja.

Bëhet fjalë për një godinë që do të jetë një godinë model, qoftë nga pikëpamja arkitektonike, qoftë nga pikëpamja funksionale dhe që në afat të gjatë do t’i kursejë shtetit. Të qenit në qeveri, ndryshe nga ju, ne nuk e mendojmë sa të jemi ne e pastaj le të bëhet kiameti. Sipas jush, e japim me qira 300 mijë euro, punë e madhe shumë, kush të vijë mbrapa le të paguajë. Kështu që, kur ju të bëheni gati për të ardhur në qeveri, kur të vini, ky investim do të jetë kryer dhe nuk do të keni më nevojë të paguani qira për atë kompani. Dhe është godinë rikonstruksion plus e re, ku shërbimi ndaj klientit do të jetë model si në çdo vend europian, për një kompani që do ta bëjmë kompani europiane, në të gjitha aspektet. OSHEE-ja që ju e latë kështu, unë ju siguroj që në 5 vite do të jetë një kompani që do të dalë në treg, do të bëjë sinergji me kompanitë e tjera, siç bën gjithë bota. 

Ju merreni me akuza. Sinqerisht, nuk jemi perfektë. Jemi larg së qenit perfekt. Shqipëria është e mbushur me probleme. Gjejini punë opozitës. E keni lënë Shqipërinë pa opozitë, e keni kthyer opozitën në një kafene fshati, ku çdo mëngjes del njëri tek dera e kafenesë dhe të gjithë sikur jeni të dehur brenda. Dilni, villni tek dera dhe futeni prapë në kafene. Çfarë bëni kështu! Ju lutem, gjejini punë opozitës!

 

***

Duhet t’i mirëkuptoni viktimat e basteve të humbura. Profesor, qëndrova për t’ju dëgjuar dhe jam shumë i zhgënjyer. Jam shumë i zhgënjyer sepse siduket, mungesa e motorrit të makinës opozitare këtu në parlament, bën që ju të bëni atë zhurmën e makinës, por makina nuk ecën. Jeni si ata fëmijët që bëjnë “zhzhzh”, por makinë s’ka, mbetët në vend! Megjithatë, më dhe mundësinë që të përsëris ty dhe të gjithëve ju, por jo për ju, por për publikun.

Unë nuk predikoj asnjëherë suksese, as imagjinare, as suksese si ato që predikonit ju. Vetëm se ju bëni një gabim. Në kohën kur ju ishte bërë mendja “rrugë”, dhe çdo ditë, një në tre fjalë e kishit “rrugë”, dhe një fjali e kishit “rrugë, rrugë, rrugë”, ne nuk thonim që ju nuk bënit rrugë, ne thonim që ju i bënit keq rrugët.

Ndërkohë që ju, me këtë mënyrë s’keni asnjë mundësi, fare. Jo që të na vinin në pozitë të vështirë, por që të keni një minimum besueshmërie. E përsëri ky nuk është problemi im. Problemi im është, si ka mundësi që përsëri pas dy vitesh, akoma nuk hapni sytë. Akoma nuk hapni mendjen, për të kuptuar se jeni dy vjet mbrapa. Ju ka mbetur ora tek historitë tuaja.

Unë fola me fakte dhe me emra konkretë. Nuk e kam zakon të dal e të bëj avokatin e askujt, por desha vetëm të jap një mundësi atij parafolësit tim që iku, që të reflektonte dhe të korrigjonte qëndrimin, dhe që të thoshte ku është e vërteta midis asaj që thotë partia e tij, dhe asaj që them unë.

Të sfidova profesor të dalësh këtu, dhe me fakte të tregosh ku janë. Por ti nuk mund të thuash kjo kompani ka zyrën në “kat të tetë, te pallati filan”, dhe asgjë tjetër, e të bësh deduksionin që meqë kompania e ka zyrën në kat të tetë në filan pallat, atëherë kompania është e Sadri Abazit. Kjo është logjikë që do të kishte skuqur dhe autorin e Shvejkut. As autori i Shvejkut nuk do të shkonte aq larg.

Çfarë më the? Pranove me fjalët e tua se sa të turpshme janë akuzat që bëni ju çdo ditë. Se çfarë gënjeshtrash, dhe se çfarë mungese e plotë fantazie, dhe çfarë mungese plotë përgjegjësie, mungese e plotë respekti për veten tuaj në rrahë të parë. Profesor, e kupton ç’do me thënë profesor? Një profesor që del dhe flet marrëzira se ja kërkon partia. Dhe një parti që i jepet marrëzive me një synim të vetëm. Baltë, baltë, baltë, se diku do ngjisi. Ç’janë këto?

Për çfarë flisni ju. Ju që e latë Shqipërinë në informalitet në çdo sektor. Më thuaj një sektor, ku nuk ishte informaliteti dhe paligjshmëria që bënin ditën dhe natën. E latë Shqipërinë me qindra dhe mijëra ndërtime pa leje, rrugëve, duke bërë kalorësin e legalizimeve. Vetëm në këtë periudhë, kemi bërë disafish legalizime më shumë se ju. E latë Shqipërinë me të tërë biznesin rrugëve. Çfarë kërkoni?! 

Çfarë pretendoni?! Informalitet nga të katër anët. Që nuk është çështje vetëm të ardhurash, por është çështje se sa thellë rrënjosni sjelljen anti shtet dhe anti bashkësi të qytetarëve europianë të Shqipërisë. 

Më thoni ju, ku e latë ju një sektor, që të thuash, këtë e bëmë. Më thoni një. Energjinë?! Copë-copë. Sektori më strategjik, nga ku Shqipëria duhet të nxjerrë fitime. Zhytur në humbje, zhytur në borxhe, zhytur në detyrime, zhytur në dëshpërim. Çfarë latë ju? Kë latë në rregull? Bujqësinë?! Po si nuk ju vjen zor që spekuloni me padijen e njerëzve. Merrni këtu ca bujq me mollë dhe thoni do t’jua marri frymën qeveria për NIPT-in. Po si për NIPT-in? Si i latë pa NIPT?  Do me thënë i latë rrugëve! NIPT-i nuk është që sjell taksa. NIPT-i e bën nga të padukshëm, në të dukshëm bujkun, në raport me subvencionet, me fondet. Shkoni në BE dhe shikoni a ekziston fakti që BE të financojë projekte bujqësie kur nuk dihet se kush i merr? Spekuloni në mënyrë kriminale me padijen e njerëzve. I latë ju të paditur në tetë vjet.  Çfarë bëtë ju 8 vjet me njerëzit në fshat për ti mësuar rrugën sesi ata të arrijnë dhe të kuptojnë që për tu përgatitur për Bashkimin Europian duhen rritur kapacitetet. Në radhë të parë duke u formalizuar, në radhë të dytë duke u zhvilluar, për të bërë projekte. Çfarë bëtë ju? Çfarë grantesh? Para që i hidhnit sa andej këtej pa kriter, pa karar, kot! Juve keni arritur të bëni gjëra që janë të paimagjinueshme. Në vend të thoni, “Po mirë dakord, NIPT-i shumë mirë, po pse nuk e marrin të gjithë?” Juve doni të pengoni një proces që është historik për bujqësinë. Që njerëzit që jetojnë në fshat, të kuptojnë që nuk mund të vazhdojnë të bëjnë vetëm skllavin atje. Por duhet të regjistrohen dhe në bazë të regjistrimit të marrin pastaj edhe mbështetjen që u takon. Të jenë dhe pjesë e projekteve. Nuk jep Bashkimi Europian asnjë kokërr leku, në qoftë se nuk je i regjistruar.

Më thoni një sektor! Krimin? Rendin? Rendin e latë ju mirë? Shikojini shifrat! Këta kanë një gjë, që bërtasin sipas temave që ju kanë futur në kokë. Zërat vijnë sipas pllakave të gramafonit. I vjen tema, ndizet gramafoni.

Atëherë, që mos të bëjë të gjithë radhën e gjërave që ju i bëtë si i bëtë, dhe prandaj përfunduat aty ku përfunduat, po ju përsëris. S’keni asnjë shans ju. Bëni sa të doni propagandë. Po aq sa ulët mbështetjen popullore për këtë koalicion. Se ju harruat që sa muaj u bënë. Shumë pak, 4-5 muaj që e morët prapë nga shqiptarët siç e meritonit. Bëtë gjithë atë propagandë kundër reformës në energji, kundër pagesës së dritave, asnjë votë. Asnjë vote nuk i keni hequr këtij koalicioni.

Vazhdoni tani kundër regjistrimit të bizneseve, kundër vendosjes së kasave, vazhdoni thoni, “lini njerëzit e lirë, nuk regjistrohet njeriu, por parcela. Vazhdoni me parcelat.”

As një metër katror nuk do ta zgjeroni këtë parcelën ku jeni mbledhur këtu.  Madje më pak do të jeni herës tjetër. Vazhdoni kështu, se i dini shqiptarët budallenj. Shqiptarët ne na kanë votuar për të bërë shtet, dhe ne do të bëjmë shtet. Do ta bëjmë shtetin me të gjitha reformat që nuk i bëtë ju, me të gjitha kostot që ju nuk patët kurajën ti merrni, dhe me gjithë  mbështetjen që as e kishit dhe as nuk keni për ta pasur ndonjëherë ju.

SHKARKO APP