Edi Rama, inspektime në fshatrat e Divjakës

Investime të shumta janë realizuar në fshatrat e Divjakës, duke ofruar më shumë mbështetje për fermerët e zonës dhe bujqësinë në tërësi. Për të parë nga afër këto investime, Kryeministri Edi Rama i shoqëruar nga kryetari i Bashkisë së Divjakës Fredi Kokoneshi, inspektuan disa prej investimeve në këto fshatra.

Investimet në infrastrukturë janë nga më të rëndësishmet për këto zona, pasi lehtësojnë ndjeshëm komunikimin dhe afrojnë fermerët me tregun. Një prej tyre është edhe unaza bujqësore, për të cilën Kryetari i Bashkisë Kokoneshi shpjegon se: “Segmenti i fundit i unazës bujqësore është 5 kilometërshi i fundit Gërmenj – Divjakë që lidh të gjithë rrjetin kryesor të unazës. Unaza është e  lidhur dhe në autostradën kryesore. Këtu kemi të ndërtuar dhe një nga tre pikat e grumbullimit të produkteve nga më të mëdhatë që kemi sot.”

Deputeti Brace tha se falë Rilindjes Urbane që tashmë po shtrihet edhe në fshat po transformon tërësisht infrastrukturën e këtyre fshatrave. “Kemi bërë një rregullim pothuajse të të gjithës, ka pasur vetëm një rrugë fshati. Kemi mbyllur kanalet e ujërave të zeza që kanë qenë në të dyja anët. Kemi bërë kolektorin e madh të ujërave të zeza. Ndërkohë janë bërë trotuaret në të dyja anët, do bëhen lulishtet në këtë krahun këtej, ndriçimi dhe janë gati 1 kilometër që është urbanizim në fshat.”

Ndërkohë që kryeministri Rama premtoi se puna e nisur, do të vijojë edhe në të ardhmen, duke bërë që programi për Rilindjen Urbane të funksionojë plotësisht edhe për zonat më të thella. “Do vazhdojmë këtë punë, se ka akoma shumë për të bërë por e rëndësishme është që kemi filluar të futemi pak nga pak dhe në zonat më thellë se sa qendrat e qyteteve. U zgjidh dhe problemi i kolektorit të ujërave të zeza se ishte një tmerr dhe patjetër që do vazhdojmë më tutje.”

Bashkia e Divjakës ka kompletuar gjithashtu edhe flotën e ekskavatorëve, kjo edhe falë mbështetjes së qeverisë. Ndërkohë që vitin tjetër përfundon i gjithë cikli i pastrimit për herë të parë i kanaleve ujitëse e kulluese.

Duke vlerësuar punën transformuese, Kryeministri Rama tha se megjithatë mbetet shumë për të bërë, në mënyrë të veçantë përfundimi i programit të vaditjes dhe kullimit do të sjellë përmirësime të ndjeshme sezonin e ardhshëm. “Këtu puna flet vetë, por sigurisht që ka akoma shumë për të bërë dhe jam i bindur që me përfundimin e programit të vaditjes dhe kullimit, sezoni i ardhshëm do jetë dhe më i mirë. Ndërkohë që po punojmë shumë fort për të sjellë investim të madh në sera, ne do e mbështesim fuqimisht dhe do shkojmë hap pas hapi drejt krijimit të një modeli suksesi tërësor këtu në këtë zonë, duke vazhduar ti bashkojmë interesat e fermerëve dhe secili të marri atë që i takon, por në shitje të jenë bashke në mënyrë që çmimet të jenë sa më konkurruese dhe asgjë mos shkojë dëm.“

Edhe shkollat e këtyre fshatrave, janë tashmë të rikonstruktuara sipas të gjitha standardeve, duke ofruar kushtet më të mira për nxënësit. Të gjitha shkollat e Divjakës, tha kryetari i bashkisë Kokoneshi, kanë pjesë të tyre edhe palestrat e terrenet sportive, deri dje inekzistente.

SHKARKO APP