Edi Rama: Më duhen 4 vjet për premtimet
I keni ndjekur reagimet pas daljes me deputeten Xhuvani ?
Jo nuk i kam dëgjuar
Po ju them unë, e quajnë spektakël të shëmtuar..
S’kam asnjë koment. Kam bërë gjënë e duhur dhe do ta bëja prapë. Është e domosdoshme që ky opinion publik të mësojë të ndajë një kriminel nga familja e vet dhe nga nëna e vet, është e domosdoshme që ky opinion të mësojë të gjykojë ata që duhen gjykuar dhe të mos vazhdojë në inercinë e kohës së shkuar kur për fajet e djalit apo të babait e pësonte gjithë familja. Por unë jam i bindur që shumica dërmuese e opinionit publik është me mua.
A duhet ta kishit kandiduar për deputete përsëri zonjën Xhuvani, pas ngjarjes që ka pasur me të 3 vjet më parë?
Arsyeja pse Luiza dje vendosi që të tërhiqej është e thënë shumë qartë në të gjitha fjalët e saj.
Jo po ju pyes ju pse e vutë në listë për deputete, duke pasur parasysh problemin që ka pasur?
Unë e dëgjova pyetjen tuaj dhe do kisha dëshirë të dëgjoje edhe përgjigjen time. Arsyeja se pse ajo dha dje dorëheqjen është shumë e qartë në të gjitha ato që tha, ndërkohë që nuk shoh asnjë lidhje mes Luiza Xhuvanit si deputete dhe djalit të saj si një person që ka pasur probleme me drejtësinë në rastin e caktuar.
Dakord, por rishikoni lidhjen me faktin që drejtësia nuk ka vepruar në rastin e Konstandin Xhuvanit?
Unë shikoj mosfunksionim të drejtësisë prej shumë kohësh dhe nuk e shikoj mosfunksionimin e drejtësisë sipas interesit, por sipas faktit që kjo drejtësi e korruptuar dhe e inkriminuar ka një rol të posaçëm në kriminalizimin e shoqërisë dhe nuk kam pasur nevojë që të ndryshoj mendim në asnjë rast dhe këtë e kam thënë edhe dje. Në kohën kur është bërë gjykimi i parë për djalin e deputetes ka pasur një përfundim të caktuar dhe në pushtet ka qenë PD, president ka qenë kandidati i PD dhe prokuroria ka qenë ajo që vazhdon të jetë, pra krejtësisht jashtë ndikimit të PS, pra nuk shikoj ku qëndron lidhja në këtë rast, ashtu sikundër dëshiroj të vë fort theksin tek fakti se dje ishte një arsye për të qenë krenar për Policinë e Shtetit dhe krenar për Aleancën e Shqipërisë Europiane.
Për çfarë të ishit krenarë dhe kujt ja bëni këtë thirrje që të jenë krenarë?
Unë nuk bëj thirrje për të qenë krenarë, unë shpreh krenari për policinë e Shtetit dhe për Aleancën e Shqipërisë Europiane.
Për policinë që kapi autorin, apo për policinë që duhet ta parandalonte?
Për policinë që arriti të jetë në vendngjarje dhe të realizojë operacionin në pak minuta, si nuk ka qenë rasti në të shkuarën ndonjëherë dhe për deputeten e Aleancës së Shqipërisë Europiane që dha një shembull shumë dinjitoz duke u tërhequr nga angazhimi politik për të mos lejuar që të ketë asnjë hije mbi procesin gjyqësor dhe duke nënvizuar ajo vetë që drejtësia duhet të bëjë drejtësi dhe për këto jam legjitimisht krenar.
Zoti Rama deri kur do të vazhdoni të mateni me të shkuarën e këtij vendi e cila është në opozitë dhe ju jeni kryeministri i Shqipërisë. Cili është standardi juaj dhe me kë mateni se që policia kap autorin e një vrasje, besoj se në vendet europiane, ku ne aspirojmë të jemi pjesë ndodh normalisht. Me kë po e masni ju veten, do vazhdoni të mateni me qeveritë e mëparshme?
Së pari më duhen katër vjet që të matemi me ambicien tonë dhe me gjithë zotimet tona dhe kjo është e natyrshme, dhe së dyti është po kështu e natyrshme që këtij opinioni që sot nën shembullin dhe udhëheqjen e gojëve të ulët të jetës politike vë ulërimën, t’i kujtohen disa gjëra, p.sh që një balerinë 19 vjeç është vrarë live nga nipi i nëndrejtorit të Policisë së Shtetit, të cilit nuk i hyri asnjë gjemb nën këmbë, as nipit as nëndrejtorit. Të kujtohet që një kamarier është qëlluar me plumb dhe është plagosur nga truproja i djalit të kryeministrit dhe nuk i hyri asnjë gjemb në këmbë truprojës, ndërkohë që kamarieri u kërcënua që të tërheqë dëshminë. Këto janë gjëra që kanë ndodhur në Shqipërinë tonë të dashur dhe nuk kanë ndodhur 20 vjet më parë, por janë gjëra që kanë ndodhur vetëm pak kohë më parë. Ashtu sikundër, vetëm pak kohë më parë kanë ndodhur dhe shumë gjëra të tjera që sot nuk ndodhin më, apo që sot ndodhin krejt ndryshe dhe sigurisht kjo shënon progres dhe fatmirësisht njerëzit, opinioni publik në shumicë dërmuese ka vetëdijen e plotë të këtij progresi që po shënohet dita ditës.
Disa nga kritikët tuaj, jo domosdoshmërisht nga opozita thonë që po ndërtohet një shtet policor dhe jo një shtet ligjor. Madje policia do të kontrollojë prokurorët, gjykatësit …
Këto janë broçkulla, ndërkohë që duhet të me thoni se cilin ligj nuk duhet të zbatojë policia dhe pse. Ka një ligj që shkelet semafori i kuq? Ka një ligj që thotë që nuk vidhet energjia elektrike? Pse qenka ligj policor që një që vjedh energjinë duhet të dërgohet në burg? Ka një ligj që thotë që kush ka armëmbajtje pa leje duhet të ndalohet dhe pse qenka shtet policor që policia i merr i arreston dhe ndërkohe gjykata i liron të gjithë dhe kur vjen puna ata të cilët duhet të bashkojnë zërin me ne për t’ju kundërvënë hapur këtij sistemi që i është kundërvënë i gjithë planeti, i kundërvihen policisë dhe thonë mos prekni gjykatat?
Ka rënë në sy fakti se nga arrestime të bujshme dhe pranga që iu vunë Guvernatorit, sot në qeli është vetëm Bitraj, i cili u vetë dorëzua në Polici. Mund të jetë drejtësia duke bërë sërish ato vendime që ju i thatë pak më parë, për drejtësinë e dikurshme të paktën, dhe të jetë me vendime, që nuk po zbardhin të vërtetën?
… kam ndërmend të bie në kurthin që të bëj komente specifike për një rast apo për një rast tjetër, sepse kësaj i thonë “kur të intereson, duhet folur për këtë, kur s’të intereson, s’duhet folur për këtë.” Unë e përsëris se sistemi i drejtësisë në Shqipëri është një kancer, që duhet pastruar. Nuk mund të pastrohet me kozmetikë, nuk mund të pastrohet me aspirina, nuk mund të pastrohet përveçse me terapi intensive dhe operacion radikal. Ne jemi në proces, reforma në drejtësi ka nisur, do ta çojmë atë përpara me vendosmëri, do të kërkojmë gjithpërfshirje, por nuk do të ndalojmë dhe nuk do të lejojmë që askush të na i lidhë këmbët me pretekstin e gjoja pavarësisë së sistemit. Kjo nuk është një drejtësi e pavarur, kjo është një drejtësi e kapur nga gjithfarëlloj interesash, përveç interesit kombëtar dhe interesit të popullit dhe qytetarit shqiptar.
Marrë me shkurtime nga “Ora News”