Edi Rama në Kinë, fillon humori me administratën në rrjetet sociale
Pas një vizite disa ditore në Turqi, kryeministri Rama ditën e sotme është nisur për në Kinë.
Kryeministri Edi Rama, është nisur sot për një vizitë treditore në Republikën Popullore të Kinës. Ai do të marrë pjesë në takimin e 4-t të nivelit të lartë në kuadër të nismës së bashkëpunimit mes Kinës dhe vendeve të Europës Qendrore dhe Lindore. Sipas një njoftimi për shtyp, kryeministri Li Keqiang, do të jetë mikpritësi i takimit të liderëve të EQL-së në Suzhou, i cili ka si temë “Pikënisje e re, sfera të reja, vizion i ri”.
Por largimi i tij i papritur dhe fotoja në avion teksa largohej nga Aeroporti i Rinasit, ka bërë që në rrjetet sociale mosprania e kryeministri në vend, të interpretohet ndryshe. Ka pasur komente nga më të ndryshmet, ku largimi i Ramës shihet si pak më tepër "relaks" nga administrata.
Në një prej tyre, “Jeta është Qejf”, shkruhej: “Lajmërim për doganierët, tatimorët dhe gjithë punonjësit e administratës.”
“Nesër rrini të qetë! S’ka kontroll të befasishëm nga “I Madhi”,” ishte edhe ironia me punonjësit e administratës, që thuhet se kur bën ndonjë kontroll apo ndonjë mbledhje Edi Rama me ta, të gjithë “dridhen” nga frika e shkarkimit.