Edmond Spaho kundër Berishës e Nokës: Thirrje demokratëve të mbështesin Ervin Salianjin
Ish-deputet i Partisë Demokratike, Edmond Spaho deklaron se është kundërshtar i vendosur i Ervin Salianjit, por thekson se pavarësisht dallimeve të thella, mbështetja ndaj demokratit është e nevojshme për të ardhmen e PD.
“PD ka rënë në moçal dhe përgjegjësinë kryesore për gjendjen e sotme e ka Sali Berisha, i cili e përdor partinë vetëm për interesat e tij personale,” shprehet Spaho. Ai kritikon gjithashtu Flamur Nokën, të cilin e quan ndër udhëheqësit më të pabesë dhe intrigantë që ka njohur në 35 vitet e tij në PD.
Spaho rikujton se ka pasur përplasje me Lulzim Bashën pas zgjedhjeve të vitit 2021, por gjithmonë me interes të PD dhe jo personal. Ai shton se gjatë viteve 2023-2025 ka mbajtur qëndrim të qartë në Grupin Parlamentar, duke sugjeruar krijimin e një force politike të re, pavarësisht se kjo ide u konsiderua “herezi” nga Sali Berisha.
Reagimi i plotë i Spahos:
Unë jam kundërshtar i thekur dhe i vendosur i Ervin Salianjit!
Të gjithë në PD e dinë këtë.
Madje shumë në PD, mendojnë që unë u dogja në zgjedhjet e vitit 2025, sepse veç kundërshtive të tjera, mbajta qëndrim të ashpër ndaj sjelljes puthadore të Berishës ndaj Ervin Salianjit. I vetmi që nuk i shkova në gjyqin në Apel apo në burg.
Edhe Salianji e di këtë.
Ai di edhe sa shumë ka punuar rrethi i tij politik, por edhe familja e tij në Korçë, që unë të mos fitoja në zgjedhjet e vitit 2025. Frymëzimin dhe udhëzimin për të punuar kundër meje e morën nga burri më pabythë që ka PD, Flamur Noka.
Raportet e mia pa kompromis me Ervin Salianjin, shpjegojnë përplasjet që kam pasur me Lulëzim Bashën, i cili me paburrëri, pas zgjedhjeve të vitit 2021, shiti ata që kishin sakrifikuar për të ndër vite dhe mblodhi rreth vetes lepujt dhe lepurushet e familjes së tij.
Unë nuk kam pasur asgjë personale në përplasjen me lepujt e Lulit, përveçse interesit të PD. Këtë e dinë Lulëzim Basha, Sali Berisha dhe Flamur Noka në takimet dhe debatet që kemi pasur në periudhën Gusht–Shtator 2021.
Në periudhën 2023–2025 kam mbajtur qëndrim të qartë në Grupin Parlamentar (veçanërisht në mbledhjen në fund të muajit Gusht 2023) që Rithemelimi duhet të krijonte Grup Parlamentar më vete, të shkëputur nga grupi i PD, madje kërkova të krijonim një forcë të re politike.
Mendimet e mia u konsideruan herezi nga Sali Berisha.
Ndërkohë Berisha pothuaj po mbyllte pazarin me përfaqësuesit e Lulëzim Bashës për t’u bashkuar me ta në një grup të vetëm parlamentar, me kosto të rënda për PD dhe zgjedhjet që pasuan.
Pavarësisht sa më sipër dhe kontraditave politike që unë kam me Ervin Salianjin, mendoj se lëvizja e tij, i duhet dhe e ndihmon PD.
PD ka rënë në moçal.
Përgjegjësia kryesore për gjendjen ku është PD bie mbi Sali Berishën, i cili e do PD vetëm për interesat e tij.
Veçanërisht përgjegjësi ka Rasputini i Berishës në PD, Flamur Noka, që bahçes të Berishës i ka shtuar një bahçe edhe më të madhe, që quhet bahçja e kënaqësive politike dhe personale të Mulit.
Unë kam 35 vjet në PD por nuk kam hasur ndonjë udhëheqës më të pabesë, intrigant, të papërgjegjshëm, servil, arrogant dhe pa moral politik sa Flamur Noka.
Me gjithë kontradiktat që kam pasur, Ridvan Bode ndryshon si nata me ditën me Flamur Nokën për sa i takon përgjegjësive me të cilat ai e shihte postin e Sekretarit të Përgjithshëm dhe punës kolosale që ndërmori për të organizuar strukturat e PD që të fitonim zgjedhjet e vitit 2005.
Në këto kushte mendoj se, pavarësisht diferencave të thella që unë kam me Ervin Salianjin, të cilat gjithmonë i kam bërë publike, është përgjegjësi morale dhe qytetare që t’i bëj thirrje të gjithë demokratëve që të mbështesin Ervin Salianjin, pasi çdo ndryshim, nga kushdo që vjen, është në interes të PD, demokracisë dhe vendit.
Lërini përrallat me Suel Çelën. Nga sa kam dëgjuar, të paktën 3 deputetë të PD sot në Parlament janë me lidhje me grupet kriminale. Gojet e liga thonë që kanë paguar për t’u futur në listë të mbyllur. Unë nuk e besoj. Mos harroni që PD me sakrifica të mëdha, 12 vjet më parë, miratoi ligjin e dekriminalizimit.
Harrojini gënjeshtrat që në Janar do bëjmë protesta çdo natë, që do rrëzojmë Edi Ramën, që nga sot Rama nuk është më Kryeministër, që ndërkombëtarët na mbështesin.
PD duhet të ndryshojë programin, të zëvendësojë ata që e udhëheqin jo vetëm në nivelet e larta por edhe më poshtë, të ndryshojë gjuhën e komunikimit politik, sjelljen ndaj institucioneve, veçanërisht ndaj SPAK, si dhe të ketë një vështrim më të qartë sesi një parti demokrate perëndimore vjen në pushtet.
Harrojeni forcën. Rama është qeveritari më i korruptuari në botë por lufta ndaj korrupsionit dhe rikthimi në pushtet nuk realizohet me Nongrata.
KOHA JONË SONDAZH

