Ekonomia jonë dhe “Sundimtari” i Makiavelit

Nga Feti ZENELI/ Një lajm i publikuar këto ditë në media, sipas të cilit, vlera e listës së borxheve e kalonte vlerën e mallit që kishte një minimarket në qytetin e Shkodrës, ma ktheu në zymti atë pak entuziazëm që më ngjalli vlerësimi me “notën” B+/B i Standard & Poor’s për qëndrueshmërinë e ekonomisë shqiptare edhe përballë etheve elektorale të zgjedhjeve të ardhshme parlamentare, temperaturat e larta të të cilave kanë filluar të ndjehen qysh tani, si rezultat i vënies në plan të parë të politikës dhe aleancave të saj, duke kaluar prapa liste ekonominë, e cila është lënë pothuajse pas dore, veçanërisht gjatë dy viteve të fundit të këtij mandati qeverisës. Ndërsa statusi i ministres së Ekonomisë përballë një realitetit të tillë mesjetar: “Sa bukur në Qeparo këtë mbrëmje! Ajri erë bime mesdhetare, njerëzit të shplodhur, rinia entuziaste, fëmijë të gëzuar”, më kujtoi thënie nga vepra “Sundimtari” e Makiavelit, ku njeriu trajtohet si “…një qenie me plotë dobësi, i pabesë, i pasigurt dhe fundja, një egërsirë”, ndaj qeveritarët “…për ta mbajtur pushtetin duhet të veprojnë, pa skrupull, pa konsideratë dhe pa mëshirë”, duke i lënë ata në mes të katër rrugëve, siç po ndodh aktualisht me qytetarët shqiptarë, të cilët enden sa në emigracionin ilegal në veprimtaritë ilegale të kultivimit të kanabisit për të siguruar mbijetesën.

Në këtë situatë tejet të rëndë, specialistë dhe analistë të pavarur të fushës përkatëse pohojnë, se ekonomia shqiptare vazhdon të përjetojë një nga vitet më të vështira të ecurisë së saj, ndërsa treguesit kryesorë janë në rënie, madje parashikohen me ulje nga vetë qeveria në rishikimin e Buxhetit 2016. Mjafton të kujtojmë se Prodhimi i Brendshëm Bruto, në këtë proces rishikimi parashikohet nga qeveria me rreth 160 milionë euro më pak se sa në fillim të vitit ushtrimor. Duke vazhduar më tej konstatohet, se barra fiskale është mbi 40 për qind e PBB-së, ndërsa të ardhurat e mbledhura nga biznesi janë rreth 25 për qind e këtij treguesi. Diferenca prej 15 për qind, e barabartë me vlerën 1,5 miliardë eurove përbën evazioni fiskal të biznesit ose detyrimin ligjor të tij të papaguar ndaj shtetit. U bënë 3-4 vite rresht, që rritja ekonomike sillet midis kufijve 2-3 për qind, ndërkohë që, borxhi publik nuk ulet nga niveli prej 72 për qind i PBB-së, që zuri në fund të vitit të kaluar, që në vlerë absolute është sa dyfishi i vlerës së depozitave bankare në Shqipëri. Investimet publike janë në nivelin më të ulët historik të tyre. Korrupsionit galopant të parasë publike i është shtuar këto dy vitet e fundit edhe grabitja me forcë e bankave dhe individëve nga grupe hajdutësh, të cilët i ikin përduarsh policisë dhe nuk kapen kurrë. Nga ana tjetër, diabeti i konçesioneve inefiçiente po shkatërron gjithë organet jetësore të ekonomisë. Deri tani është publikuar vetëm gropa financiare e njërit prej tyre, Bankers Petroleum në fushën e hidrokarbureve, që shkon në mbi një miliardë dollarë. Dhe e çuditshmja është, se kjo humbje ndodh në një ndër sektorët që për vite me radhë edhe gjatë periudhës së monizmit ka mbajtur në këmbë gjithë ekonominë e vendit. Ndonëse kemi nëntokën më të pasur në Europë dhe një nga më të pasurat në botë për frymë popullsie, të mbushur me naftë, krom e bakër; madje dhe me ar, argjënd e minerale akoma më të rralla dhe të kushtueshme, që përbëjnë potencialet e një pasurie përrallore për shqiptarët e varfër, qeveritarët e tranzicionit luajnë rolin e naivit përballë investitorëve të huaj “buono per Albania”, duke u krijuar atyre mundësinë të pasurohen në kurriz të qytetarëve tanë, që marrin ushqime me listë dhe që marrin rrugët e emigracionit në rresht njeri pas tjetrit.

Raste të kësaj natyre tek ne, s’tregojnë gjë tjetër, veçse pasurojnë eksperiencën filozofike të O’Nestlit, i cili nënvizonte në një moment të caktuar se: “Qeveria amerikane është qeverisja e popullit me anë të popullit, në interes të bosëve”. Nuk ka diskutim, që qeveri të tilla mbijetojnë vetëm në mënyrë Makaiveliste, kryesisht për llogari dhe rehati të qeveritarëve, të cilët i kanë bërë pjesë të sjelljes së tyre politike veset, që u lejojnë mbajtjen e pushtetit me dinakëri, mashtrim dhe pabesi. Në këto kushte, çdo reformë ekonomike që ndërmerret nga qeveri të këtij standardi, rezulton e pasuksesshme, ose më mirë të themi e padobishme për pjesën dërrmuese të qytetarëve, sepse nuk rritet besim i konsumatorëve dhe sipërmarrësve në paanshmërinë apo objektivitetin e politikave ekonomike të qeverisë. Kësisoj, të varfrit bëhen gjithnjë e më të varfër, kurse të pasurit gjithnjë e më të pasur. Kompleksiteti i faktorëve apo agjentëve në zhvillimin ekonomik të vendit është i tillë që çfarëdo reforme apo politikë publike të ndiqet, duhet të merret në konsideratë, së pari, se cilat janë nevojat e shtresave të varfra dhe jo interesat e një grushti të pasurish. Aq më keq akoma kur s’kemi të bëjmë me reforma të mirëfillta ekonomike por me aksione sporadike për të fituar kredo politike, siç ka ndodhur rëndom këto kohët e fundit, duke filluar nga veprimet liruese të hapësirave publike dhe deri tek masat shtrënguese për mbledhjen e faturave të prapambetura të energjisë elektrike apo detyrimet e tjera qytetare me synim shëndoshjen e financave publike, pa menduar gjatë për pasojat afatmesme apo afatgjata që rrjedhin nga këto iniciativa burokratike, pa indicie të mirëfillta ekonomike. Motua e këtyre veprimeve është, mbushja me çdo çmim e arkës së shtetit, edhe atje ku të ardhurat nuk vijnë nga shtimi i investimeve, rritja e prodhimit, forcimi i bashkëpunimit qeveri-biznes e kështu me radhë, ndërkohë që vendi ka nevojë për adaptimin e “përvojave më të mira” të qeverisjes së financave publike, duke marrjen në konsideratë mbi të gjitha të gjendjen aktuale të ekonomisë dhe të biznesit, pse jo dhe mentalitetin qytetar të njerëzve. Shtimi i varfërisë, mungesa e investimeve, rritja e falimentimeve në biznes, thellimi i mosrealizimeve në të ardhura, etj., tregon se po qeveriset për të fituar lavdi dhe jo për të bërë ekonomi. Përfaqësuesit e ekzekutivit harrojnë, se sjellje të tilla janë cilësi të sundimtarit dhe jo të qeveritarit. Por eksperiencat më të mira të botës demokratike tregojnë, se për të qeverisur dhe udhëhequr njerëzit duhet të ecësh pas tyre, siç thotë një filozof i njohur kinez, dhe jo të qëndrosh mbi ta. Pastaj, “Është ekonomia, o budalla!”, do të thoshte Bill Clinton në fushatën presidenciale të ‘92-shit, e cila i dha tij fitoren përballë George Bush, që për momentin konsiderohej si i pamundshëm pas sukseseve diplomatike dhe fitores në Luftën e Gjirit. Amerikanët perceptuan dhe votuan Clinton si zgjedhjen më të mirë, sa kohë që Bush nuk kishte mundur të punonte për ekonominë, e cila kishte kaluar në recesion. Dhe siç treguan faktet e mëvonshme amerikanët kishin bërë zgjedhjen e duhur, pasi në vitet e Bill Clinton ekonomia e tyre pati zhvillime dhe arritje historike. Ndaj qeveritarët tanë, para se sa të përsëritin papushim “Fitore, Fitore!” apo siç thuhet në anglisht “Ëin, Ëin!”, qysh nga dita e shpalljes së rezultatit të zgjedhjeve deri një ditë para zgjedhjeve të radhës, të shikojnë se si e kanë ekonominë, jo atë personale, por ekonominë kombëtare dhe atë të çdo familje shqiptare.

“E mira  e popullit është ligji më i lartë”, do të thoshte Ciceroni. Pas tij, janë të panumërt filozofët dhe politikanët, që kanë teorizuar dhe aplikuar në mënyrë krijuese sipas këtij parimi qeverisës. Natyrisht flamurin e kanë mbajtur dogmatistët, por prapa nuk kanë qëndruar as reformistët. Të gjithë me radhë, kanë përcaktuar si qëllim final të politikës së tyre qeverisëse – mirëqenien e përgjithshme shoqërore. Pak a shumë, sipas një kurbe të tillë janë zhvilluar ngjarjet edhe në realitetin shqiptar, pavarësisht veçantive specifike në ecurinë tonë historiko-shoqërore. Politikanët tanë të monizmit e kishin shndërruar në “argumentin” bazë të çdo iniciative politiko-ekonomike, sloganin: “Gjithçka, për përmirësimin e mirëqenies materialo-kulturore të njerëzve!”. Edhe në fillim të viteve ‘90, pas vendosjes së pluralizmit, fokusimi tek “…njeriu me nevojat e tij…”, u bë “detyrë mbi detyrat” elektorale e çdo partie, duke arritur deri atje sa “…ata të premtojnë të ndërtojnë një urë edhe aty ku nuk ka lumë”, siç ka thënë Nikita Hrushov, pasi “politikanët janë gjithandej të njëjtë…”,. Pastaj pas ceremonive post-zgjedhore, me sloganin “Ëin, Ëin!” apo “Fitore, Fitore!” vinte shkrirja e këtyre premtimeve në strategjitë programore të qeverisjeve respektive, herë me maxhorancë të djathtë dhe herë të majtë. Dhe realizimet kanë qenë gjithnjë, jo vetëm larg premtimeve, por edhe tepër zhgënjyese, sidomos në aspektin ekonomik, që përbën bazën e jetës. Siç dihet, shqiptarët e përkrahën masivisht demokracinë, si një mundësi për të reformuar ekonominë kolektiviste, e cila u kishte shkaktuar varfëri ekstreme në periudhën moniste. Natyrisht, gjatë pluralizmit, ekonomia shqiptare pati zhvillime mbresëlënëse, sidomos në aspektin e çlirimit të energjive dhe nxitjes së iniciativës individuale për punë, aq sa qeveritë e ndryshme të kësaj periudhe nuk ishin në gjendje ta menaxhonin drejt gjithë këtë prurje pozitive. Për rrjedhojë pati investime të shumta, por gjithsesi të pastudiuara e të pakontrolluara, të cilat sollën pasoja mjaft të rënda për ekonominë individuale të qytetarëve shqiptarë, sikundër qenë humbjet e parave të firmat rentiere apo prishja herë pas here e ndërtimeve pa leje, sidomos të objekteve të biznesit. Këto ishin humbje të drejtpërdrejta individuale, të ardhura nga indiferenca e qeverive të ndryshme të tranzicionit, por pati edhe shumë humbje të tërthorta shoqërore, që lidhen me nxitjen e ndjenjës anarkiste të qytetarëve. Madje, këto s’janë humbje të mirëfillta, por dëme ekonomike të natyrës “Çernobiliane”, që do t’i vuajmë brez pas brezi për vite me radhë. Ligji i legalizimeve e shtoi dozën e këtij dëmi masakrues. Masakrën më të madhe e ka pësuar kryeqyteti shqiptar me ndërtimet pa kriter, ngushtimin e hapësirave publike, shëmtimin e fasadave, etj., deri në atë masë sa treguesi i jetueshmërisë urbane në këtë territor është përkeqësuar në mënyrë dramatike. Por akoma më i madh është dëmi që ka pësuar mentaliteti i njerëzve për të punuar në paligjshmëri, informalitet, pasiguri, e kështu me radhë. Gjithsesi, pasojat më shumë se sa anormale, janë ekonomiko-financiare, ku mirëqenia e njërit individ, përmirësohet kryesisht në kurriz të tjetrit, duke i shkelur atij liritë dhe të drejtat njerëzore. Pra qeveritë dhe institucionet nga rregullatore janë kthyer në spektatore, natyrisht jo për të gjithë popullin, po për pjesën e gjorë të tij. Ndërsa, për një grusht fare të vogël të popullsisë, që sipas raportit të Credit Suisse shkon diku tek 0,5%, me pasuri nga 100 000 deri në 1 000 000 dollarë, i shikojnë si “bashkëpuntorë” në koncensione, tendera publik, trafiqe të paligjshme dhe afera të tjera. Këtu përfshihen të gjithë qeveritë pa përjashtim, që nga ’91-shi e në vazhdim, të cilat ja kanë lënë vendin njëra-tjetrës, si rezultat i presionit të pakënaqësisë popullore, që kanë krijuar gjatë ushtrimit të pushtetit. Faktet e deritanishme tregojnë, se humbja më e madhe është regjistruar në ato raste kur pushtetarët kanë shpërfillur mjerimin ekonomik që kanë mbjellë, duke përdorur makinacione makiaveliste, populliste dhe para të pisët për të fituar zgjedhjet. Por si ka thënë Xhon F. Kenedi: “Nëse një shoqëri e lirë nuk mund të ndihmojë shumicën e varfër, ajo nuk mund të shpëtoj pakicën e pasur”. Kjo është ligjësi demokratike dhe ekonomike njëherësh.

SHKARKO APP