”Ekonomia në gjendje katastrofike”, Berisha: Kostoja e jetesës është rritur me 60 përqind
Sali Berisha thotë se kostoja e jetesës në Shqipëri është rritur me 60% gjatë katër viteve të fundit, duke e cilësuar gjendjen ekonomike si të rëndë. Ai akuzoi qeverinë për korrupsion dhe abuzim me fondet publike, duke thënë se vjedhjet në tendera arrijnë në rreth 1.2 miliardë euro në vit. Në konferencën për shtyp, kreu i PD-së tha se investimet reale publike janë shumë më të ulëta nga sa pretendon qeveria dhe se vetëm 5-8% e projekteve përfundojnë në afat. Sipas tij, Shqipëria renditet ndër vendet me çmimin më të lartë të naftës dhe ka pësuar rënie të transparencës në prokurimet publike.
Pjesë nga fjala
Gjendja ekonomike e shqiptarëve po rrokulliset me shpejtësi. Institucione serioze të pavarura dëshmojnë se katër vitet e fundit, kostoja e jetesës së shqiptarëve është rritur 60 përqind. Është rritja më e madhe pas Iranit, Haitit, të cilët dihet që janë në problematika, njëri në luftë dhe në diktaturë, tjetri në sundimin e bandave si Shqipëria. Çmimet rriten çmendurisht. Sot, Shqipëria është njëri nga tetë vendet me çmimin e naftës më të lartë në botë. Qeveria shqiptare kryen vetëm një detyrë, vjedhjen, vjedhjen, vjedhjen e fondeve publike. Treguesit janë katastrofikë. Vetëm pesë gjer në tetë përqind e projekteve, përfundojnë. Të tjerat avullojnë, grabiten.
Korrupsioni, vjedhja në tendera arrin në vit në 1.2 miliardë euro. Vjedhja në tendera tejkalon fondin e pensioneve të Shqipërisë. Vetëm në tendera. Shpalljet se Shqipëria investon 10 përqind të Prodhimit të Brendshëm janë një mashtrim i paskrupullt. Për të arritur në këtë shifër të pavërtetë, qeveritarët llogarisin tenderat e dështuar, e anuluar. Fakti është se investimet arrijnë gjithsej 4.9 përqind, arrijnë në shifrat më të ulëta në Evropë.
Akoma më katastrofik është finalizimi i projekteve. Gjithsej pesë deri në 8 përqind. Do thoni ju, shtet i falimentuar. Shtet hajdut! Kompanitë nuk përfundojnë asgjë në afat sepse ndajnë paratë me qeveritarët. Në themel të të gjithë këtij, në pamje dështimi të madh, është vjedhja e madhe e fondeve nga qeveritarët. Ndaj dhe rënia katastrofale e transparencës në prokurime nga 80 pikë që ishte në vitet 2010-2012 nga Tender Europe, ka zbritur në 64 pikë në vitin 2026.
KOHA JONË SONDAZH

