Ekonomia në sekuestro
Nga Monitor
Ekonomia është përfshirë në një cikël masiv sekuestrosh, ndërsa vetëm ditët e fundit bizneseve iu la tre muaj kohë të “shpëtojnë” mallrat pa faturë. Në njërën anë, zyrat përmbarimore kanë vërshuar me kërkesat në QKR për bllokimin e aksioneve të kompanive të mëdha se kanë borxhe ndaj të tretëve. Qeveria, nga ana tjetër, ka nisur një aksion masiv sekuestrosh në kuadër të antiinformalitetit, duke e çuar ekonominë në ngërç. Si shmanget sekuestroja dhe cilat mallra nuk mund të konfiskohen. Si mund të riblihet sekuestro dhe procedurat për shpalljen e pambledhshme të tatimeve…
Përpos një mijë e një problemeve, në të cilat është zhytur ekonomia shqiptare pas krizës së vitit 2008, me rënien drastike të ritmeve të rritjes, rënies së konsumit dhe shterimit të burimeve të financimit, tani po përjeton një situatë tjetër krejt të pazakontë, që e ka vënë në vështirësi qarkullimin normal të tregtisë dhe ekzistencën e bizneseve.
Sekuestrot masive në njësitë e vogla të tregtisë së mallrave dhe të shërbimeve tani në fazën e dytë të aksionit antiinformalitet duket se po mbyllin ciklin masiv të sekuestrove që kanë nisur prej katër vitesh. Ekstraktet e bizneseve, duke përfshirë edhe korporatat e mëdha, janë plot me kërkesa për sekuestro konservative nga zyrat përmbarimore, për shkak se kanë detyrime të pashlyera ndaj të tretëve. Nga kjo situatë po përfitojnë vetëm bizneset e përmbarimit, të cilat i kanë shumëfishuar fitimet tre vitet e fundit nga volumet e mëdha të ekzekutimit të detyrimeve me forcë.
Por me çfarë po ofron terreni në ditët e fundit, kostoja më e madhe po shkon për bizneset që janë në rregull me ligjin. Ato janë të regjistruara në tatime dhe paguajnë detyrimet, por janë të ekspozuara ndaj aksionit të tatimeve se kanë furnizime pa faturë ose në rastin më të keq, me çmime jo reale, të cilat mund të verifikohen lehtësisht nga tatimorët. Shumë nga këto biznese e kanë mbyllur aktivitetin ose në rastin më të mirë, rrinë me roje te dera për shkak se janë të ekspozuar ndaj sekuestrove, të cilat për shumë prej tyre do të thotë faliment.
Vetëm ditët e fundit, pasi u krijua një situatë kaotike në treg, me probleme në furnizime malli, qeveria vendosi të tolerojë. Në rishikimin e ligjit për procedurat, iu dha afat bizneseve që të deklarojnë gjithë mallin deri në 31 dhjetor 2015, ndërsa “nga 1 janari do flasim ndryshe”, paralajmëroi Ministri Cani.
Të gjithë bizneset të ekspozuar
Praktikisht, çdo mall ose shërbim që ka dalë për shitje, është i ekspozuar ndaj sekuestros. Ekonomistët që punojnë për llogari të linjave të tregtisë pohojnë se 40% e mallrave në treg janë pa faturë, ndërsa pjesa tjetër që qarkullon është me fatura joreale. Redona Sulejmani, ekonomiste në njësi të tregtimit të pjesëve të këmbimit, pohoi se biznesi të cilin ajo përfaqëson është i regjistruar dhe ka kasë. Mban bilanc të rregullt, porse faturat e blerjes dhe shitjes së mallrave nuk përfaqësojnë çmimet reale të transaksioneve. Ajo tha se, është e detyruar të funksionojë në këtë mënyrë, pasi importuesit lëshojnë fatura me vlera më të ulëta se sa malli kushton realisht. Në këtë mënyrë, edhe të duash të jesh i rregullt nuk funksionin ndryshe, pasi edhe pakica kërkon fatura me çmime joreale. Aktualisht, pohon ajo, i gjithë zinxhiri i tregtisë është me çmime joreale dhe i ekspozuar ndaj sekuestrove. Grupet e inspektorëve tatimorë, me një hetim të thjeshtë, mund të zbulojnë megaspekulimin me faturat. Por, kjo shpjegon ekonomistja, duhet të nisë nga grosistët dhe jo nga pikat fundore të pakicës, pasi spekulimi nis te grosistët.
Por faturat e pasakta nuk janë vetëm një hall për mallrat e konsumit masiv, ato janë të tilla edhe për pasuritë e paluajtshme të tilla si toka, shtëpitë, apo makinat. Për efekt të shmangies së taksave deri më tani, transaksionet e pasurive të paluajtshme deklarohen me vlera qesharake në tatime, duke u ekspozuar kështu ndaj sekuestros së pashmangshme.
Sekuestrot ekspozohen para selektivitetit
Ekziston një parim në normat e së drejtës, se kur ligji nuk zbatohet nga shumica, atëherë nuk është faji atyre që nuk e zbatojnë, por është faji i ligjit. Sekuestrot për evazion fiskal në këto momente janë rasti më tipik i këtij parimi. Teksa të gjithë e pranojnë se janë të ekspozuar ndaj konfiskimit, sigurisht që kjo nuk po aplikohet te të gjithë, por te disa. Në vëzhgimet e revistës ‘Monitor’ në terren është parë se sekuestrot kanë përfshirë më së shumti njësitë e tregtisë me pakicë dhe të shërbimeve, kryesisht biznesin e vogël. Kafene në rrugica lagjesh me pak tavolina, parukeri, berberhane dhe rrobaqepësitë kanë rënë pre e forcës së fiskut.
Hendek në treg
Muaji shtator është i begatë për biznesin, sidomos ato të konfeksioneve, pasi viti i ri shkollor nxit konsumin në mënyrë të pazakontë. Plotësimi me rroba dhe kancelari i nxënësve në muajt gusht dhe shtator për disa biznese të fushës sjell të ardhura që nuk arrihen përgjatë gjithë vitit. Por ndërsa mezi kanë pritur këto ditë janë gjendur në vështirësi për furnizime. Pikat e pakicës tek Medreseja kanë refuzuar të lëshojnë mallra pa faturë, duke krijuar kështu përveç të tjerash mungesa në treg për furnizime të bollshme për të gjithë moshat. Por sikur të mos jetë vetëm ky ngërç ka një stepje të konsumatorëve. Pronarja e një dyqani rrobash për fëmijë në Tregun Çam pohoi se këtë vit ka realizuar vetëm 20% të xhiros ditore krahasuar me vitet e mëparshme në vigjilje të vitit të ri shkollor. Tregtarja që ka mbi 20 vjet që e ushtron këtë aktivitet, me profesion ekonomiste, pohon se ka një stepje të pashpjegueshme nga ana e blerësve që janë gjithnjë e më të rrallë. Teksa ofron rroba për fëmijët e parashkollorit, pronarja e njësisë që është gjithashtu edhe shitëse të shpjegon se nuk i ka të gjitha masat e rrobave për shkak se nuk ka mundur të furnizohet. Kështu ka ndodhur edhe për mallrat e tjerë specifikë, që shpërndaheshin me furgonë.
Tregjet në stres
Në kohët e sotme, ku ekonomia zhvillohet në shekullin e teknologjisë dhe informacionit, gjendja psikologjike e biznesit dhe konsumatorit është faktori themelor për prosperitetin në ekonomi. Më të pasionuarit pas ekonomisë e dinë tashmë se kur konsumi në Kinë bie, bursat në të gjithë botën shënojnë humbje, çmimet e mallrave të fortë bien. Bankat qendrore dhe qeveritë në të gjithë botën masin indeksin e besimit në ekonomi për të projektuar në bazë të tij konsumin dhe investimet në të ardhmen. Në Shqipëri, indeksi i besimit në ekonomi matet nga Banka e Shqipërisë, ekspertët e së cilës kanë pohuar se aksioni i qeverisë ndaj informalitetit, ndonëse i domosdoshëm, mund të trondisë besimin në ekonomi. Fiskalizimi me forcë mund të çojë disa para shtesë në arkën e shtetit në periudhë afatshkurtër, por këto vlera do t’i mungojnë konsumit e për rrjedhojë, rritja ekonomike mund të cenohet edhe më tej. Banka e Shqipërisë, në raportin e fundit të politikës monetare ku u analizuan zhvillimet kryesore në vend, pohoi se konsumi privat në ekonomi është tkurrur këtë vit nga arkëtimet e prapambetura të energjisë që u mblodhën nëpërmjet një aksioni masiv në një kohë shumë të shpejtë.
Si shmanget sekuestro
Te gjithë personat e tatueshëm, subjekte të Tatimit mbi Vlerën e Shtuar apo të tatimit mbi fitimin dhe personat e tatueshëm, tatimpagues i tatimit të thjeshtuar mbi fitimin e biznesit të vogël, mallrat gjendje në çdo vend biznesi, mallrat në transport apo mallrat në përdorim për çfarëdo arsye qoftë, janë të detyruar t’i justifikojnë me dokumentin e nevojshëm tatimor.
Dokumenti i nevojshëm tatimor që provon pronësinë apo kontrollin mbi mallrat gjendje dhe në përdorim janë faturat tatimore të TVSH-së, faturat e thjeshta tatimore dhe dokumentacioni i prodhimit. Kurse si dokument i nevojshëm tatimor që provon pronësinë apo kontrollin mbi mallrat gjatë transportit është fatura tatimore e TVSH-së, fatura e thjeshtë tatimore ose fatura e shoqërimit të mallit, në rastet kur mallrat që transportohen nuk janë destinuar për shitje, por për lëvizje të brendshme.
Kur gjatë kontrolleve që ushtrohen nga strukturat e autorizuara të administratës tatimore, konstatohet se mungon dokumentacioni i kërkuar ligjor, mbahet procesverbali përkatës dhe mallrat konfiskohen.
Kur ndodh konfiskimi
Ligji për procedurat e detyron administratën tatimore të njoftojë tatimpaguesin për afatin që ai ka në dispozicion për të paguar vullnetarisht detyrimin tatimor.
Kur administrata tatimore konstaton se nga ana e tatimpaguesit nuk është paguar detyrimi brenda këtij afati, ajo, në përputhje me nenin 90 dhe 91 të ligjit të procedurës, bllokon llogaritë bankare të tatimpaguesit, nxjerr njoftimin për fillimin e procedurave të mbledhjes me forcë të detyrimit tatimor, si dhe merr masat për sigurimin e pasurisë së tij, duke vendosur mbi sendet në pronësi të tatimpaguesit barrë siguruese apo hipotekë.
Me nxjerrjen e urdhër bllokimit, sipas nenit 90 të ligjit të procedurës dhe vendimit për marrjen e masave të sigurisë në përputhje me nenin 91 të ligjit, administrata tatimore siguron në favor të saj pagimin e detyrimit nëpërmjet tërheqjes së parave nga llogaria bankare e tatimpaguesit, ose nëpërmjet vendosjes së sekuestros për pasuritë mbi të cilat është vendosur barra siguruese dhe hipoteka.
Sipas ligjit “Për procedurat tatimore”, bankat të cilave ju është dërguar urdhër bllokimi i llogarive dhe depozitave të kursimit të tatimpaguesit kalojnë shumat në favor të administratës tatimore, dhe nëse këto shuma nuk plotësojnë detyrimin tatimor të papaguar të tatimpaguesit, administrata tatimore sekuestron dhe më pas konfiskon, në favor të saj, të gjitha sendet e luajtshme dhe të paluajtshme në pronësi të tatimpaguesit, ndaj të cilave ajo ka vendosur më parë barrën siguruese apo hipotekën.
Administrata tatimore është organi përgjegjës për kryerjen e të gjitha veprimeve procedurale për të ekzekutuar sekuestron mbi sendet, mbi të cilat janë vendosur si barrë siguruese dhe hipotekë. Për këtë qëllim administrata tatimore, e cila ka kompetencën e kryerjes së sekuestros, njofton zyrën ku ajo ka regjistruar barrën siguruese, dhe Zyrën Qendrore dhe Vendore të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme në rastin kur sendet janë në hipotekë.
Si realizohet
Urdhri për sekuestrim nxirret nga drejtori i drejtorisë rajonale, ose titullari i zyrës tatimore të qeverisjes vendore. Sipas përcaktimeve në ligjin e procedurave tatimore, sekuestrimi mbi të gjitha pasuritë e luajtshme dhe të paluajtshme dhe të drejtave mbi këto pasuri të tatimpaguesit debitor ekzekutohet duke filluar pas 37 ditëve nga data e nxjerrjes së njoftimit të detyrimit tatimor të papaguar, me anë të të cilit tatimpaguesi është njoftuar për fillimin e procedurave për mbledhjen me forcë të detyrimeve tatimore.
Procedurat për vendosjen në sekuestro mbi pasuritë e tatimpaguesit debitor nuk pezullohen dhe nuk pushojnë, deri sa nga ana e tatimpaguesit të jetë shlyer plotësisht detyrimi tatimor. Në rastin e mallrave të cilat për nga natyra e tyre mund të prishen deri në momentin e shitjes, organi tatimor bën shitjen e tyre të menjëhershme, me çmimin e tregut dhe arkëton menjëherë vlerën e tyre për efekt të shlyerjes së detyrimeve tatimore të papaguara.
Administrata tatimore, e ushtron të drejtën e saj për nxjerrjen e urdhrit për sekuestrim, vetëm nëse ajo më parë kundrejt tatimpaguesit ka nxjerrë vendimin për masat e sigurimit të pasurisë së tatimpaguesit, sipas parashikimeve të ligjit.
Njoftimi për pagimin e detyrimeve tatimore dhe për fillimin e procedurave për mbledhjen me forcë të detyrimeve tatimore, do të konsiderohet i marrë nga tatimpaguesi ditën e 37 të nisjes së tyre me postë apo me dorëzimin dorazi kundrejt konfirmimit për marrjen e tij nga ana e tatimpaguesit.
Me kalimin e këtij afati, ditën e parë të punës pas ditës së 37, administrata tatimore i konsideron të gjitha pasuritë e tatimpaguesit të siguruara me barrë siguruese apo hipotekë, për efekt të arkëtimit të detyrimit tatimor të papaguar.
Administrata tatimore kur ka njoftime apo prova me anë të të cilave provon se pagimi i detyrimit tatimor, me gjithë marrjen e masave të sigurisë është në rrezik, nuk respekton afatet për sekuestrimin e pasurisë nëpërmjet nxjerrjes së urdhrit për sekuestrim, por bën sekuestrimin e menjëhershëm të pasurive të tatimpaguesit në favor të administratës tatimore.
Administrata tatimore aplikon sekuestro në ato raste kur ajo ka të dhëna se tatimpaguesi përpiqet të tjetërsojë pasuritë e tij, apo të ulë vlerën e tyre, si dhe kur ai kërkon të largohet nga vendi.
Urdhri i sekuestrimit është akti i vetëm me anë të të cilit administrata tatimore ka të drejtë të fillojë procedurat e shitjes për pasuritë kundrejt të cilave më parë ishte vendosur masat e sigurisë.
Urdhri i sekuestrimit bëhet me shkrim nga drejtori i Drejtorisë Rajonale Tatimore apo titullari i Zyrës Tatimore të Njësisë Vendore. Urdhri i sekuestrimit përmban detyrimisht të dhënat e mjaftueshme për veprimin. Në urdhrin e sekuestrimit përfshihet emri i tatimpaguesit, NIPT-i, selia e regjistruar dhe adresa e vendbanimit te tyre.
Ja çfarë i shpëton konfiskimit
Administrata tatimore, për efekt të arkëtimit të detyrimeve tatimore të papaguara, ka të drejtë të sekuestrojë pasurinë e tatimpaguesit debitor dhe ta shesë atë sipas parashikimeve të ligjit. Por ajo (administrata tatimore) sipas nenit 95 të ligjit nuk mund të sekuestrojë dhe të kalojë në favor të saj për të shitur më vonë me qëllim arkëtimin e detyrimeve tatimore të papaguara pasuritë e debitorit. Administrata tatimore nuk mund të sekuestrojë pasuri të tilla:
- a) sendet e përdorimit personal të debitorit dhe të familjes së tij si: veshjet, shtresat, mbulesat, mobiliet për aq sa ato janë të nevojshme për jetesën e tyre;
- b) ushqimet dhe lëndët djegëse që i nevojiten debitorit dhe familjes së tij për tre muaj;
- c) dekoratat dhe sende kujtimi, letra, shkresa të familjes dhe librat profesionalë;
ç) librat, veglat muzikore, mjetet e artit që nevojiten për veprimtarinë shkencore dhe artistike të debitorit dhe të familjes së tij;
- d) deri 3 dynymë tokë, 2 kafshë për punimin e tokës, 1 lopë, 6 dele ose 6 dhi, fara për mbjelljet e ardhshme, si dhe ushqimi i këtyre kafshëve për 3 muaj për personat që jetojnë me punë bujqësore ose blegtorale;
- dh) ndihma që u jepet nënave me shumë fëmijë ose të vetme, pensionet e pleqërisë, të invaliditetit ose familjare, ose bursa e studimit përveçse kur detyrimi është për ushqim. Në këtë rast nuk mund të sekuestrohet më shumë se 1/2 e shumës së pensionit ose të bursës;
- e) frutat natyrore, një muaj para se ato të piqen.
Shitja e sekuestrove
Me kalimin e afatit 15-ditor nga dita e marrjes së njoftimit të sekuestrimit nga ana e tatimpaguesit, i cili ende nuk ka shlyer detyrimin tatimor, sendet e paluajtshme ose të luajtshme të sekuestruara nga administrata tatimore, prej tatimpaguesit, konfiskohen dhe i nënshtrohen procesit të shitjes së tyre, me qëllim arkëtimin e detyrimit tatimor. Në këtë rast, administrata tatimore vepron në përputhje me të gjitha rregullat e parashikuara në ligjin “Për ankandin publik”.
Në zbatim të procedurave të shitjes, Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve, si autoritet tatimor qendror, është autoriteti shitës, i cili është përgjegjës për realizimin e ankandit publik në përputhje me ligjin ‘Për ankandin publik’.
Me përfundimin e procesit të shitjes së sendeve të konfiskuara të ardhurat e arkëtuara nga procesi do të përdoren nga ana e administratës tatimore sipas radhës së parashikuar në ligj, të cilat janë si më poshtë:
- a) Kostot administrative, të cilat përbëhen nga të gjitha kostot administrative të papaguara më parë për marrjen e masave të sigurisë, sekuestrimit të tyre, vlerësimit, transportit, të publikimit, si dhe ato të zhvillimit të ankandit publik;
- b) Gjobat e vlerësuara dhe të papaguara nga tatimpaguesi;
- c) Lamatëvonesat për pagimin e detyrimeve tatimore;
ç) Në ato raste kur nga shitja realizohen më shumë të ardhura se sa ka qenë detyrimi tatimor i papaguar prej tatimpaguesit, këto shuma administrata tatimore është e detyruar t’ia kthejë tatimpaguesit brenda pesë ditëve punë nga data e përfundimit të arkëtimit të parave të realizuara nga shitja në favor të administratës tatimore.
Në këtë rast, administrata tatimore njofton me shkrim tatimpaguesin, si dhe i kërkon atij të japë numrin e llogarisë bankare, në mënyrë që të bëhet kalimi i këtyre shumave në favor të tatimpaguesit. Në rast se tatimpaguesi nuk ka llogari bankare, atëherë këto shuma depozitohen në një bankë me seli në Republikën e Shqipërisë, në vendin ku tatimpaguesi ka selinë apo vendbanimin e tij, në emër dhe për llogari të këtij të fundit.
E drejta e riblerjes
Në rastin e konfiskimeve në përgjithësi dhe sidomos në rastin e konfiskimit të mallrave që prishen si ushqime, fruta-perime, produkte bujqësore dhe blegtorale etj., apo që kanë prag të afërt skadence, mund të zbatohet riblerja në vlerë e tyre nga personi i tatueshëm.
Për këtë qëllim, grupi i kontrollit i paraqet drejtorit të Drejtorisë Rajonale të Tatimeve të juridiksionit ku është kryer shkelja procesverbalin përkatës brenda 12 orësh nga plotësimi i tij.
Drejtori i Drejtorisë Rajonale, brenda 24 orësh, nxjerr vendimin e vlerësimit në lekë të mallit të konfiskuar.
Vlerësimi kryhet nga një komision i përhershëm i Drejtorisë Rajonale të Tatimeve, i përbërë nga jo më pak se 4 punonjës. Vendimi për vlerësimin e mallit të konfiskuar i jepet tatimpaguesit përkatës i cili duhet të paguajë detyrimin brenda ditës së parë të punës pas marrjes së tij. Pagesa bëhet në llogarinë e Drejtorisë Rajonale të Tatimeve të juridiksionit.
Malli i konfiskuar lirohet vetëm pasi të jetë dorëzuar mandati i pagesës së vlerës se tij. Në dokumentacionin e konfiskimit, do të depozitohet një kopje e dokumentit të pagesës së vlerës së mallit të konfiskuar. Në qoftë së tatimpaguesi përkatës nuk bën pagesën sipas procedurave dhe afatit të përcaktuar, atëherë mallrat e konfiskuar, në mënyrë të menjëhershme, do t’i kalojnë për administrim Drejtorisë së Përgjithshme të Rezervave të Shtetit, e cila do të ndjekë procedurat e mëtejshme.
Ndërprerja e bllokimit
Administrata tatimore i ndërpret masat shtrënguese për sigurimin e pagimit të detyrimit tatimor në rast se, tatimpaguesi e ka paguar të gjithë detyrimin tatimor. Në përputhje me nenin 100 të ligjit të procedurës tatimore është parashkruar e drejta e administratës tatimore për fillimin e procedurave të zbatimit të masave shtrënguese, duke pasur parasysh edhe rastet e ndërprerjes së afatit të parashkrimit. Procedurat e mbledhjes me forcë të detyrimit tatimor që kanë filluar përpara skadimit të afatit të parashkrimit e spostojnë këtë afat deri në përfundim. P.sh. nëse në zbatim të procedurave të mbledhjes me forcë është konfiskuar një sasi malli apo një automjet, një ditë para afatit të parashkrimit, ky afat do të shtyhet deri në datën e përfundimit të procedurës, pra të shitjes së mallit apo automjetit.
Sekuestro ndërpritet gjithashtu kur nga ana e autoriteteve të parashikuara në nenin 103 të ligjit “Për procedurat tatimore” është vendosur dhe shpallur detyrimi tatimor i pambledhshëm.
Në këtë rast, ndërprerja e procedurave fillon nga dita e nxjerrjes së aktit për deklarimin e tatimeve si të pambledhshme dhe kjo evidentohet dhe regjistrohet në dosjen e tatimpaguesit.
Sekuestro ndërpritet në të gjitha ato raste kur tatimet kanë falur me ligj nga ana e Kuvendit të Republikës së Shqipërisë. Në këtë rast procedurat ndërpriten ditën e hyrjes në fuqi të ligjit, me anë të të cilit është vendosur falja e detyrimeve tatimore, dhe kjo gjë regjistrohet në dosjen e tatimpaguesit.
Në ato raste kur detyrimi tatimor përbëhet nga detyrime që falen dhe detyrime që nuk falen, administrata tatimore bën zbritjen e detyrimeve të falura dhe i regjistron ato në dosjen e tatimpaguesit, dhe për pjesën e mbetur të detyrimit ajo mban në fuqi masat shtrënguese për sigurimin e pagimit të detyrimit.
Kur tatimet janë të pambledhshme
Deklarimi si i pambledhshëm i detyrimeve tatimore është procesi i cili kryhet vetëm në raste ekstreme dhe vetëm në ato raste kur administrata tatimore ka zbatuar të gjitha masat e mbledhjes me forcë të detyrimeve tatimore të parashikuara në ligj dhe nuk është arritur të mblidhet dhe të arkëtohet detyrimi tatimor.
Detyrimi tatimor mund të deklarohet i pambledhshëm vetëm kur, megjithëse është bërë shitja e investimeve likuide dhe aktiveve të tjera, nuk është bërë i mundur arkëtimi i detyrimit. Sipas këtij parashikimi, administrata tatimore në çdo rast duhet të ketë të evidentuara dhe të provuara që ajo ka kryer të gjitha veprimet e kërkuara nga ligji për vendosjen e masave të sigurisë mbi të gjitha pasuritë e subjektit.
Tatimpaguesi duhet gjithashtu të provojë se nuk disponon pasuri të tjera të çdo forme dhe kudo që të ndodhen, të cilat mund të përdoren për shlyerjen e detyrimeve.
Detyrimet tatimore konsiderohen të pambledhshme kur tatimpaguesi dhe administrata tatimore provojnë me evidencë të saktë se tatimpaguesi nuk disponon asnjë lloj pasurie apo të ardhure që do mund të përdorej për shlyerjen, qoftë edhe me këste, të detyrimit tatimor të papaguar, dhe se edhe veprimtaria e ardhshme e tatimpaguesit, nuk mund të gjenerojë apo të sjellë të ardhura, të cilat të jenë të vlefshme për përmbushjen e detyrimit tatimor.
Tatimet konsiderohen të paarkëtueshme edhe në rast ku administrata tatimore nga analiza e situatës financiare dhe pasurore të subjektit tatimpagues arrin në përfundimin se, edhe nëse ndaj tatimpaguesit do të fillonte një procedurë likuidimi apo falimentimi, shuma e detyrimit tatimor nuk mund të mblidhej edhe sikur ky proces të përfundonte dhe se pasuria në pronësi të tatimpaguesit, debitorit që gjendet pranë tij apo në përdorim te personat e tretë, nuk është në gjendje të përmbushe edhe pagimin e kostove administrative të këtij procesi.
Në çdo rast, tatimi deklarohet si i pambledhshëm me anë të një vendimi të nxjerrë nga titullari që e ka këtë të drejtë.
Në pjesën arsyetuese, administrata tatimore duhet të japë një vlerësim të gjendjes reale pasurore të tatimpaguesit, marrëdhënieve të tij me të tretët, për aq sa u përket detyrimeve që të tretët mund t’i kenë tatimpaguesit, apo pasurive të cilat janë në përdorim apo në zotërim nga persona të tretë, si dhe mundësive të ardhshme për mbledhjen e detyrimit tatimor.
Në arsyetimin e vendimmarrjes për deklarimin e tatimit si të pambledhshëm, duhet të parashtrohet edhe argumentimi i moseficensës për vazhdimin e procedurave të tjera për mbledhjen e detyrimit tatimor. Si arsyetim për një mos eficencë në mbledhjen e tatimit duhet të bëhet një përshkrim i përllogaritjes së shpenzimeve që administrata tatimore është e detyruar të kryejë, në krahasim me shumën që ajo do të përfitojë si pjesë e detyrimit tatimor të papaguar.
Udhëzimi përcakton se vendimi për deklarimin e detyrimit tatimor si të pambledhshëm, duhet të jetë i shoqëruar edhe me provat konkrete në të cilat administrata tatimore mbështet arsyetimin e saj.
Procedura për shpalljen e pambledhshme të tatimit
Procedura për deklarimin e tatimit si të pambledhshëm fillon gjithnjë me kërkesë me shkrim të tatimpaguesit. Në asnjë rast kjo procedurë nuk fillon me iniciativë të administratës tatimore.
Kërkesa në formë shkresore i drejtohet vetëm drejtorit të Përgjithshëm të Tatimeve.
Kërkesa, si e drejtë e tatimpaguesit për të kërkuar deklarimin si të pambledhshëm të tatimit, lejohet të bëhet vetëm pasi nga ana e administratës tatimore kanë filluar dhe janë ekzekutuar masat për sigurimin e detyrimit tatimor të papaguar.
Kërkesa për deklarimin si të pambledhshëm të tatimit duhet të përmbajë: emrin tregtar të personit fizik apo juridik që e paraqet atë, ose në rastin e personit fizik kur nuk ka emër tregtar, gjeneralitetet e kërkuesit, NIPT-in, adresën e saktë të tatimpaguesit, si dhe të selisë së regjistruar të tij; aktin me anë të të cilit i është njoftuar detyrimi tatimor i papaguar dhe që ai i detyrohet për ta paguar.
Biznesi, në pamundësi për të paguar tatimet, duhet të dorëzojë në tatime të gjitha deklaratat e fitim-humbjeve dhe pasqyrat përkatëse të tyre, si dhe bilancin e tij për një periudhë kohore duke filluar nga data e nxjerrjes së aktit administrativ që i ka vendosur detyrimin tatimor. Gjithashtu duhet të dorëzojë listën e plotë të debitorëve të tij duke treguar shumat që ata i detyrohen, shkakun e lindjes së detyrimit si dhe adresat e sakta të tyre. Duhet edhe lista e plotë e kreditorëve të tij, shumat që ai u detyrohet, shkakun e lindjes së detyrimit, dhe cilat prej tyre janë të kundërshtueshme dhe nuk qëndrojnë.
Kur administrata tatimore ka të dhëna dhe zotëron prova se, tatimpaguesi, i cili ka paraqitur kërkesë për deklarimin si të pambledhshëm të detyrimit të tij tatimor, përpiqet t’u shmanget pagimit të detyrimeve të tij tatimore të papaguara, duke bërë evazion fiskal, ose ka elemente të plotë që e bëjnë administratën tatimore të dyshojë se është përpara rastit të mashtrimit të situatës financiare me qëllim mospagimin e detyrimeve tatimore, ajo refuzon kërkesën dhe kërkon prej tatimpaguesit pagimin e detyrimeve, si dhe merr të gjitha masat për sigurimin e pagimit të detyrimeve tatimore, duke ia kaluar rastin drejtorisë së investigimit.
Limitet e tatimeve të pambledhshëm
Drejtori i Përgjithshëm i Tatimeve ka kompetencë për të deklaruar tatimin si të pambledhshëm, për shumat nën 5.000.000 (pesë milionë) lekë. Në çdo rast, tatimi deklarohet i pambledhshëm me Vendim të shkruar të Drejtorit të Përgjithshëm të Tatimeve.
Për shumat mbi 5.000.000 lekë, e drejta për të deklaruar detyrimin tatimor si të pambledhshëm është kompetencë e ministrit të Financave dhe bëhet me urdhër të tij.
Në çdo rast, dalja e urdhrit për deklarimin tatimor si të pambledhshëm për shumat mbi 5.000.000 lekë bëhet kur administrata tatimore i ka dërguar informacionin e kërkuar sipas udhëzimit përkatës
Udhëzimi në faqen zyrtare të Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve si dhe mënyra të tjera të gjykuara si të domosdoshme nga ana e administratës tatimore, në fillim të çdo viti do të bëhet publikimi i vlerës totale të tatimeve të deklaruara sipas nenit 103 të Ligjit si të pambledhshme. Por deri më tani, ky detyrim nuk është zbatuar.