Ekspertët e partive, ekspertë të antireformës
Nga Zef Shtjefni
Nuk besoj se jam i vetëm që besoj se kur punët e mëdha të reformave të shtetit merren në dorë nga të ashtuquajturit “ekspertë” të partive politike, ato punë kanë marrë greminën. Në radhë të parë “ekspertët” tanë partizanë kanë një reputacion në popull që jo vetëm nuk i merr kush seriozisht, por përkundrazi jep sinjalin më të qartë se, nëse reforma në drejtësi do të mbetët në dorën e tyre, ajo ka marrë fund. Ata e kanë mendjen tek mbrojtja e interesave të grupeve të tyre partiake, të ish kryeministrave e ministrave, të drejtorëve e kryetarëve të çdo rangu etj. Pra, i bie që këta të ashtuquajtur ekspertë, do të bëjnë reformën në drejtësi, e cila ka në qendër të shënjestrës gjyqtarët, prokurorët, deputetët dhe ata që i kanë ngarkuar me këtë mision këta “ekspertë”!
Sado hipokrit në thelb ky misioni i ekspertëve partizanë, bën vetëm për të qeshur, sidomos ata të grupit të PD-së. Bën për të qeshur edhe vetë fakti se i quajnë ekspertë. Shikoni se kush janë këta ekspertë? Çfarë shkollash kanë mbaruar e çfarë përvoje ekspertize juridike kanë!? Çfarë kontributi kanë dhënë deri më sot për vendin etj.? Apo mos vallë janë po ajo kategori partizanësh me diploma të blera, që fusin hundët kudo e bëjnë mish- mash çdo ligj, që i ngarkojnë veç për të gjetur sebepe sherresh e për ta sabotuar reformën e shumëpritur në drejtësinë e degjeneruar e të zhytur në fëlliqësirën e korrupsionit të këtij vendi. A e keni dëgjuar sa herë krijohen komisione parlamentare për të hetuar një çështje? A e keni parë çfarë rezultatesh arrijnë? Bëhet çdo gjë për të mos hetuar asgjë. Bëhet veç kaos e sherr që si e si të mos dalë e vërteta e të mos zgjidhët asgjë. Pikërisht kështu mua më duken edhe këta grupe të quajtura “ekspertësh”.
Sapo dëgjova se dhe në reformën në drejtësi u futën ekspertët e të dyja palëve të politikës, menjëherë më shkoi mëndja se reforma në drejtësi, që si dritën e syve e presin shqiptarët, po sabotohet nga politika jonë, pikërisht ajo që ka qenë nëna e gjithë të këqijave në këtë vend në gjithë këto vite tranzicioni politik midis socializmit e kapitalizimit, apo në udhëkryqin tonë të gjatë midis orientit e perëndimit. Nuk besoj se po gaboj në paragjykim, kur mendoj se do të kalojmë javë të tëra sherresh e shou politik, kapriçosh e tekash, llafesh, akuza e sharjesh pa fund ala Berishë, por ajo që do të mbërrijnë këto komisione ekspertesh partizanë do të jetë: sabotimi i reformës, ose antireforma.
Por për fatin tonë të mirë është bërë shumë shpresëdhënëse për këtë vend përpjekja këmbëngulëse dhe e drejtpërdrejtë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës përmes ambasadorit Lu që plagët e këtij vendi të shumëvuajtur nga e keqja e vet, të shërohen një nga një. Edhe vendet e BE pas USA kanë dalë më hapur dhe nuk po i bien më rreth e rrotull me diplomaci problemeve. Ata në unison sot po flasin troç, bile dhe shqip, po angazhohen në vijë të parë realisht dhe nuk po lënë asnjë ekuivok e shteg për “dhelprat”e politikës sonë. Duket se këtë herë i kanë vënë përpara dhe nuk po u lënë vrimë për shmangur e devijuar detyrave. Por këtë punën e “eksperteve” partizanë nuk e kuptova pse e lejuan dhe ata, vallë. !? As janë ekspertë e as gjë pozitive nuk pritet prej tyre. Sherre dhe përpjekjeve për të sabotuar e mos bërë asgjë, po e presim. Ekspertët tanë të vërtetë janë gjetkë, janë nëpër universitete, janë nëpër nivele të ndryshme të gjyqësorit, janë avokatë, janë brenda e jashtë vendit. Por ekspertët e vërtetë as i thërret e as i pyet njeri. Bile as i njeh njeri, sepse askujt nuk i interesojnë ata që dinë në këtë vend, por vetëm ata që thonë urdhëro, si urdhëro shef. Kështu që, me keqardhje mendoj, se prej këtyre “ekspertësh”, nuk do presim gjë të mirë, nuk do të bëjmë reformë, ose maksimalisht do të na ndodhë si në atë fabulën që thotë: “U mbars mali e polli një mi”!