Eksportet bien frikshëm në gusht; për 8-mujorin tkurrja thellohet në 3.8%
Efekti është dhënë i gjithi nga rënia e fortë e grupit “Minerale, lëndë djegëse dhe energji”, ndërsa sektorët e tjerë janë pothuajse të gjithë me rritje. Ecuria e eksporteve këtë vit nxjerr në pah dobësitë strukturore të ekonomisë shqiptare, tepër e varur nga shitja e lëndëve të para…
Eksportet arritën në 165.2 miliardë lekë për 8 mujorin e këtij viti, duke shënuar një rënie me 3.8% në raport me të njëjtën periudhë të një viti më parë, sipas statistikave të publikuara nga INSTAT. Ritmet e rënies janë përshpejtuar sërish, pas një ngadalësimi dy muajt e fundit (për 8 mujorin rënia vjetore ishte 2.1%).
Performanca e dobët e “minerale, lëndë djegëse, energji” vijon të jetë faktori kryesor që ndikon në këtë prirje rënëse të eksporteve, ndërsa tekstilet e këpucët e kanë marrë veten lehtë. Ecuria e eksporteve këtë vit nxjerr në pah dobësitë strukturore të ekonomisë shqiptare, tepër e varur nga shitja e lëndëve të para, që për më tepër janë të pappërpunuara dhe me pak vlerë të shtuar, duke dhënë një kontribut minimal sin ë punësim ashtu dhe në të ardhurat në buxhet.
Grupet e tjera janë në përmirësim, të ndjeshëm, sidomos “pijet, ushqimet e duhani” dhe “Makineri e pajisje” por pesha e tyre e vogël, në raport me totalin, bën që ato të mos kenë ndikimin në trendin e përgjithshëm të eksporteve.
Eksportet e “minerale, lëndë djegëse, energji” ranë me 24%, në 47.2 miliardë lekë. Konjuktura e pafavorshme ndërkombëtare, sidomos për naftën, është arsyeja kryesore e rënies, teksa operatorët nuk kanë interes të prodhojnë e eksportojnë, kur çmimet kanë prekur fundin. Edhe importet e energjisë janë në rënie, për shkak të rritjes së prodhimit vendas.
Eksportet e tekstile e këpucëve u rritën me 2.3% në gati 58 miliardë lekë, duke qenë grupi më i madh i eksportuar në vend me 35% të totalit (një vit më parë kryesonin lëndët djegëse e energjia me 36% të totalit). Ndonëse ky grup e ka marrë veten, pas rënies në muajt e parë të vitit, sërish ai mbetet larg rritjeve dyshifrore që u panë vitin e kaluar. Aktorët e tregut pohojnë se rritja e ndjeshme e kostove të aktivitetit po e bën këtë industri më pak konkurruese, ndërkohë që kërkesat nga partnerët e huaj nuk po mungojnë.
Materialet e ndërtimit dhe metalet u rritën me 4.5%, në 25.2 miliardë lekë. Kompania Kurum bëri të ditur se ka rritur eksportet e metaleve, për të kompensuar rënien e kërkesës në tregun e brendshëm, si rrjedhojë e krizës së ndërtimit.
Eksportet e ushqimeve, pijeve e duhan kanë shënuar rritjen më të madhe në vlerë absolute për 8 mujorin, duke u zgjeruar me gati 3 miliardë lekë, apo 31%, për të arritur në 12.5 miliardë lekë.
Edhe grupi i makinerive e pajisjeve të këmbimit vijoi rritjen, duke u zgjeruar me 42% në 7.7 miliardë lekë, si rrjedhojë e rritjes së aktiviteit të fasonit industrial. Megjithatë, në gusht, ai pa për herë të parë një rënie të lehtë me bazë vjetore.
Eksportet e “prodhime druri dhe letre” ranë me 7.3%, ndryshe nga viti i kaluar, kur ky grup kishte një performancë mjaft pozitive.
Për 8 mujorin, grupi më i eksportuar ishin tekstilet e këpucët, me 35% të totalit, ndërsa “Mineralet, Lëndët djegëse e energjia” kanë zbritur në vendin e dytë me 29% të totalit, nga 36% që zinin për të njëjtën periudhë të një viti më parë./Monitor