Ekspresi elektoral i Ramës, 7 aleatët e çuditshëm
Nga Alfred Lela
Socialistët e vërtetë: Koçi apo Rama?
Streha politike e Petro Koçit, ish-ministër Rendi në fund të viteve ’90, aktualisht zëvendësministër në qeverinë Rama, quhet Partia Socialiste e Vërtetë ‘91. Pretendimi i okelios është i hapur: ne jemi ç’ka mbetur nga socialistët e njëmendtë të njëherë e një kohe. Kjo kontraston edhe më fort me atë që është debati aktual për shndërrimin e Partisë Socialiste pas marrjes prej saj të Edi Ramës. Shumë zëra brenda PS jo rrallë, edhe hapur, flasin për G99-zim të partisë. Ndër ‘xhaketat e vjetra’ apo ‘senatorët’ për të përdorur dy fjalë të slangut politik e mediatik, kanë mbetur pak. Njëri prej tyre, Pandeli Majko, nuk u konfirmua si kandidat i PS për Tiranën. Në vend të tij, Rama parapëlqeu një socialist të ri, Erion Veliajn. Sigurisht nuk është paradoksi i Ramës që në koalicionin e tij vjen edhe Partia Socialiste e Vërtetë e Petro Koçit. Fundja, kjo nuk është garë për ‘socialistin e fundit në politikë’ por për pushtetin vendor.
Topi në fushën e askujt
Aleanca e ish-presidentit Topi me kryeministrin Rama nuk i shton gjë habisë së numrave të koalicionit që ka kapur 42-in. Një habie ideologjike, po. Për arsyen se FRD është paraqitur si një parti më djathtas Partisë Demokratike prej së cilës ka dalë. E vetëstilizuar si e ish-pronarëve, ish-të persekutuarve dhe ish-autoktonëve, kreshendon elektorale më të madhe kjo parti e pat në Tiranë në zgjedhjet e fundit, dhe të parat e saj, ku mori diçka më pak se 10 mijë vota. Ky ndërrim kampi e çon Topin në fushën e askujt. Ideologjikisht, të paktën. As në rrafshin e taktikave elektorale nuk duket se ka ‘gol’ duke qenë se FrD nuk ka kërkuar zona të lira. Marrëveshja e zbardhur mes Ramës dhe Topit duket e rrafshit strategjik, me pika që cekin Kodin Zgjedhor, rishikimin e Kushtetutës, reformën në drejtësi e të tjera. Të gjitha këto pika të ‘kontratës’ ngjajnë megjithatë efemere. Përpjekje për të mbuluar qëllime të tjera. Për të mos thënë se paktet e të mëdhenjve me të vegjlit nuk jetësohen. Gjinushi e Milo me shokë e dinë këtë. Strategjia e vërtetë e z. Topi duket se është dobësimi i PD. Një hakmarrje e ftohtë për Berishën e të tijtë.
Nard Ndoka, ‘koalicionet turistike’ të verës
Një videoselfie gjatë një vizite në Kubë e kryetarit të PDK, Nard Ndoka, duket se i preu biletën e ngjashmërisë me shefin e mazhorancës Rama, gjithashtu i enamoruar me selfie. Nuk ka rëndësi të llojit foto apo video. Partitë demokristiane në Shqipëri megjithatë janë bërë aq shumë, sa duket se po ua kalojnë në numër katolikëve që përbëjnë diku rreth 10 për qind të popullatës sipas censusit të fundit. Ndoka është më piktoresku ndër demokristianët e shumtë. Ai ka lëvizur majtas në momentin e fundit, pas një mosmarrëveshjeje me Bashën për bashkinë e Lezhës, të cilën PDK e kërkonte për Salvador Kaçajn, aktualisht kryetar i Komunës së Shëngjinit. Kaçaj, ish-futbollist i Kombëtares ishte një prej të paktëve funksionarë lokalë që u mundua të rezononte në rrafsh kombëtar dhe i njihen ca punë të mira në krye të Shëngjinit. Nuk dihet pakti i demokristianëve të Ndokës me PS, por partitë me ‘vokacion të krishterë’ janë turistë në trenin elektoral të Ramës në këtë palë zgjedhje.
PKD, një parti edhe ‘në burg’ edhe në koalicion
Mark Frroku, deputeti dhe kryetari i Partisë Kristiandemokrate, aktualisht në spitalin e burgut me probleme kardiake, në rast dënimi nga gjykata duhet t’ia lërë vendin në parlament të vëllait Arben Frroku, i cili sapo ka dalë nga burgu. Ky i fundit është i dyti në listën e PKD-së në qarkun e Shkodrës. Partia e Frrokut është gjithashtu në listën e aleatëve të Partisë Socialiste në zgjedhjet vendore në prag. Nuk dihen detaje të paktit, nëse ka patur një të tillë mes Frrokut e Ramës, apo koalicioni i zgjedhjeve vendore ka qenë inerci e përballjes së shkuar parlamentare. Pështjellues megjithatë ka qenë vendi i Mark Frrokut në raport me Partinë Socialiste. Dikur pjesëmarrës në takimet e grupit parlamentar socialist, Frroku ‘u mohua’ më vonë nga shefi i deputetëve të majtë, Ruçi. Ai megjithatë ndodhet në vargun e gjatë të partive të koalicionit të majtë. Me apo pa lejen e dikujt.
Ngjela, individi në një ‘koalicion varfërie’
Ngjela është rasti atipik i të gjitha rasteve politike. Ai është kritizer i qeverisjes së majtë nëpër studio televizive, në facebook apo me intervista gazetash, ndërkohë që shënon emrin në zullum expressin elektoral të prirë nga PS. I djathtë liberal me një padurim intelektual për dogmën e majtë me shtetin e madh dhe idenë e kolektives, Avokati ngjan i humbur dhe i pavend në atë tollovi që quhet koalicioni Aleanca për Shqipërinë Europiane. Bashkë me deputetin socialist Ben Blushi përbën një dyshe virtuoze kritikësh. Njëri në rrafsh juridik e tjetri social, ata megjithatë rrezikojnë ta legjitimojnë atë që po mundohen të delegjitimojnë. Saktësisht duke qenë pjesë e asaj që kritikojnë. Avokati megjithatë është më shumë se partia e tij modeste Ligj dhe Drejtësi. Ai është individi dhe është ndoshta i vetmi përjashtim në një karvan me 42 parti, ku shumica nuk janë as parti e as individë.
Partia e Idrizit, nga një pushtet në tjetrin?
Dy parti kanë dalë nga koalicioni i majtë me përfshirjen në të të Shpëtim Idrizit, shef i Partisë për Drejtësi, Integrim dhe Unitet: Aleanca Popullore e Artur Dojakës dhe PBDNJ e Vangjel Dules. E para, për faktin e thjeshtë se u fut në aleancë me socialistët pikërisht për të mundësuar një fluks majtas të çamëve që ishin grumbulluar rreth koalicionit me Berishën, dhe e dyta sepse e pranon çështjen çame aq sa Turqia njeh genocidin armen. Gjërat janë përmbysur tashmë, dhe në një plan strategjik Idrizi ka vrarë dy zogj me një gur. Ka hequr qafe një kundërshtar politik për elektoratin çam si Dojaka, dhe ka zmbrapsur një zë si Dule nga koalicioni i majtë, një disident ndaj avancimit potencial të çështjes çame me mbështetje qeveritare. Njëri prej katër deputetëve të tij megjithatë ka preferuar t’i qëndrojë besnik së djathtës. Idrizi e ka shpallur pozicionin e tij dhe të partisë duke pranuar se ata do të shkojnë me koalicionin që ka pushtetin, i cilësdo ngjyrë qoftë ai.
Milo, i majti i përjetshëm
Profesori Paskal Milo është njeriu-parti apo individi-parti. Një ish-ministër i Jashtëm dhe figurë domethënëse e së majtës së viteve ’90, ai tashmë është profili i butë dhe intelektual i një njeriu me shumë mençuri, por me pak peshë politike. Mezi e arriti një marrëveshje me Ramën për këto zgjedhje, edhe pse një pakt mes tyre ishte firmosur para dy vitesh. Ai do të jetë pjesë e koalicionit të gjerë të majtë me synimin e nxjerrjes së një numri këshilltarësh për pak bashki, kryesisht në Jug të vendit. Z. Milo nuk e ka ndjekur nga pas Gjinushin e PSD, i cili do garojë jashtë koalicioneve, me të cilin ndanin dikur një parti, për t’u ndarë vetëm pasi Gjinushi hyri në qeverisje me Berishën e parë. Profesor Milo mbetet një nga të majtët klasikë që nuk është zhvendosur sa herë penduli elektoral ka lëvizur andej-këtej. Dikush mund ta shohë këtë si dogmatizëm të tepruar, por koherenca, edhe kur është dogmatike, duhet trajtuar me respekt.
Gazeta "Mapo"