Ekzili tragjik i një europiani

 

Nga Virgjil Muçi

Janë jo të paktë ata studiues që mendojnë se vepra më e njohur e Zweigut dhe, ndoshta, më e rëndësishme është jetëshkrimi i tij, shkruar në mërgim më 1941 – pak para se të vriste veten – dhe botuar vetëm më 1944; kanë një koincidencë domethënëse të dyja këto data – fillimin dhe fundin e konfliktit të Dytë të Përbotshëm. Vepra në fjalë titullohet Bota e djeshme” dhe si për të theksuar jo vetëm vetëdijen, por edhe brengën e shkrimtarit dhe qytetarit të mërguar, mbart nëntitullin “Kujtime të një evropiani”.

Swiss Digital Desktop Reklama

Në këtë afresk mbresëlënës të ekzistencës së një kozmopoliti par excellence, Zweigu na rrëfehet për Zweigun: njeriun, shkrimtarin, europianistin e thekur, hebreun fatzi, luftëtarin e paepur për të drejtat e njeriut dhe humanistin e pacifistin e pashoq. Kundruar nga ky kënd, libri është përnjëmend një dëshmi e çmuar për këdo që dëshiron ta kundrojë më nga afër personalitetin e Stefan Zweigut, por edhe atë të një qytetërimi, atij europian, i cili, siç shprehet shkrimtari, ka nevojë të çintoksikohet moralisht. Siç na pohon në hyrje, ky libër është shkruar në rrethana të pazakonta, ndaj përfton një status të veçantë që e bën atë libër të librave, dhjatë, ose siç thuhet rëndom në gjuhën e letrave “kënga e fundme e mjellmës”. Në të përshkruhet me tone dramatike jo thjesht e vetëm fati i një individi, por fati tragjik i një brezi në mbarë Europën të shkretuar nga dy luftëra me përmasa botërore.

Swiss Digital Mobile Reklama

Bash në këtë pikë, ai shndërrohet në një pamflet të hidhur kundër luftërave dhe ideologjive ekstremiste e nacionaliste që do të bëheshin varrmihës të kulturës dhe qytetërimit europian: fashizmit, komunizmit dhe, veçmasi, nacionalizmit, të cilin Cvajgu me mendjekthjelltësi e cilëson “murtajë më të keqe edhe se murtajën e vërtetë”. Por së keqes morale dhe luftës kundër saj, autori i kundërvë një ide emancipuese, atë të një identiteti – antidoti do të na e kishte ënda të thoshim – të ri; të cilin, në mënyrë eksplicite, ai shkon dhe e quan Shtetet e Bashkuara të Europës. Ajo çka të befason në këndvështrimin dhe filozofinë e mendimtarit është vegimi i tij, thënë më shkoqur, para bashkimit politik, administrativ e financiar, Europa e re lypset të jetë para së gjithash bashkësi kulturash. Këtë optimizëm shkrimtari e ngrinte mbi themelet e besimit se ato çka i bashkojnë popujt e kontinentit të vjetër janë shumë herë më të forta se ato që i kanë ndarë në të kaluarën, duke përfshirë këtu edhe/sidomos luftërat. Adhurues i Goethes, ai do t’i referohej shpesh idesë për një treg të lirë të koncepteve dhe ndjenjave, i barabartë me atë të mallrave, duke rritur kësisoj begatinë dhe mirëqenien e përbashkët të njerëzimit.

Është mjaft interesant fakti se një tjetër shkrimtar i verbit gjerman, i sikterisur po kështu në dhera të huaj pas ardhjes në pushtet të nacional-socialistëve në Gjermani, pra, Thomas Manni, do të shkruante në vitin 1939 një pamflet me titull “Kjo luftë” (“Dieser Krieg”), ku do të shpaloste vizionin e vet për Europën e pasluftës me këto fjalë: “… Konsiston në bashkimin e shteteve të Europës në një Commonwealth që do të ofronte një sistem pjellor mes lirisë dhe përgjegjësisë së ndërsjellë, mes kulturës me karakter kombëtar dhe barazisë sociale; një bashkim në të cilin të gjitha Shtetet kishin për të flijuar pushtetin absolut dhe të drejtën për “vetëvendosje”, ndërsa në këmbim kishin për të përftuar lirinë, sigurinë e punës dhe një shpërndarje më të mirë të mirëqenies, çka vetëm bashkësia mund ta ofrojë”. Lypset të vëmë në dukje se të dy këta shkrimtarë i ngjizën idetë e tyre shumë kohë para politikanëve europianë. Vetëm në vitin 1946, duke folur para studentëve të universitetit të Cyrihut, Churchilli, në këtë rast e kemi fjalën për politikanin dhe jo autorin nobelist, do të formulonte idenë mbareuropiane me sentencën: “Krijimi i një familjeje të përbashkët të popujve europianë kishte për të qenë një bar mrekullibërës”.

Kur hedhim një sy e shohim Europën e sotme, ku politika fle në një shtrat me burokracinë, fryt i së cilës janë disa krijesa hermafrodite pa shpirt e pa identitet kulturor, e kupton se idetë e Cvajgut përftojnë një vlerë të veçantë edhe sot, madje shpesh shërbejnë si kontrapunkt për të kuptuar atë çka nuk shkon në shtëpinë e përbashkët të quajtur Europë. Dhe shembujt, ajme, nuk janë të pakët.

Mapo

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

A e liron Gjykata Kushtetuese nga burgu, Erion Veliajn?