Elia Zaharia dhe përralla që ndriçon shpirtin: “Perla dhe Dreri i Artë” promovohet në Shkodrën e kulturës

Nga Albert Vataj
Në qytetin e kulturës, në Shkodrën e artit e të trashëgimisë shpirtërore, u zhvillua një nga ato ngjarje që e kthejnë letërsinë për fëmijë në një festë dashurie dhe dritë shpirtërore. Në ambientet e Muzeut Historik të qytetit, autorja dhe aktorja e njohur Elia Zaharia promovoi librin e saj më të ri, përrallën “Perla dhe Dreri i Artë”, një histori e mbushur me ngrohtësi, shpresë dhe frymëzim, që flet me gjuhën e zemrës për fëmijë e të rritur njësoj.

Pas suksesit të parë me librin “Geraldina”, Zaharia kthehet me një tjetër botim që i flet shpirtit dhe imagjinatës. “Perla dhe Dreri i Artë” është një udhëtim poetik në botën e magjisë, ku bjeshkët shqiptare, zanat dhe nimfat kthehen në udhërrëfyese të mirësisë dhe të guximit, ndërsa në qendër qëndron forca e dashurisë dhe e shpirtit njerëzor që mbizotëron mbi çdo errësirë.

Swiss Digital Desktop Reklama

Autorja ndau me të pranishmit frymëzimin që e shtyu të shkruante këtë libër të veçantë. Ajo tregoi se burim frymëzimi ka qenë vajza e saj, Geraldina, e cila e ka ndriçuar çdo faqe e çdo fjalë të librit.

Swiss Digital Mobile Reklama

“Në librin e dytë, ndërkohë, unë u bëra me një gocë të vogël, që tani është katër vjeçe e gjysmë. E ka emrin Geraldinë, si stërgjyshja e vet. Sa herë lexonim librin e parë, ku flitej për stërgjyshen e saj, ajo më pyeste: ‘Mami, po mua kur do të ma bësh një libër?’ Dhe kështu fillova të frymëzohesha nga e përditshmja jonë, nga dashuria dhe fantazia që ndajmë bashkë. Pastaj, sigurisht, fantazia fillon dhe udhëton…”, – rrëfeu me ndjeshmëri autorja.

Në këtë takim të ngrohtë, Elia Zaharia bisedoi me të pranishmit, u lexoi pjesë nga libri dhe i ftoi të udhëtonin bashkë në këtë botë plot ngjyra, drite dhe kuptimesh të thella. Në fjalën e saj, ajo theksoi se libri është një ftesë për të besuar se mirësia mbetet arma më e fortë për ta bërë botën më të bukur, dhe se çdo fëmijë bart brenda vetes një dritë që duhet ruajtur.

E shoqëruar me ilustrime magjike, që pasqyrojnë çdo detaj të udhëtimit të Perlës dhe Drerit të Artë, përralla vjen si një përvojë e plotë estetike dhe emocionale.

“Jam përpjekur që, edhe nëpërmjet gjuhës së ilustrimeve, ta bëj librin sa më të kuptueshëm për çdo moshë. Edhe një fëmijë që ende nuk di të lexojë, mund ta ndjekë historinë përmes figurave dhe ngjyrave. Geraldina, vajza ime, tashmë di ta tregojë gjithë përrallën vetëm duke parë ilustrimet – dhe ky është për mua shpërblimi më i madh,” – u shpreh Zaharia.

“Perla dhe Dreri i Artë” është botimi i dytë i Elias, një vepër që shkon përtej letërsisë për fëmijë dhe kthehet në një dhuratë për imagjinatën kolektive. Ajo sjell në kujtesën tonë traditën e rrëfimit, dashurinë për natyrën dhe besimin në dritën e shpirtit njerëzor.

Promovimi i librit në Shkodër pason prezantimin e tij të suksesshëm në Qendrën për Hapje dhe Dialog në Tiranë, ku autorja bisedoi me fëmijët për fuqinë e fantazisë dhe bukurinë e leximit.

Në fund të aktivitetit, Elia Zaharia nënshkroi me dashuri libra për të pranishmit, duke u lënë si kujtim një mesazh të thjeshtë por të thellë:

“Kurrë mos ndaloni së ëndërruari, sepse aty ku ka ëndrra, lindin përralla.”

Një ngjarje që e bashkon artin, dashurinë prindërore dhe shpirtin e vendit në një përrallë që do të jetojë gjatë në kujtesën e lexuesve të vegjël shqiptarë.

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

Pas vendimit të gjykatës kushtetuese a duhet liruar Erion Veliaj dhe të gjykohet në gjëndje të lirë?