Emigrantëve u është vënë vizë nga politika
Nga Zef Shtjefni
Zgjedhjet lokale po afrojnë dhe siç kuptohet lehtë, emigrantët tanë përsëri nuk do të votojnë. Atyre, siç duket, u është vënë vizë nga politika jonë, tash më shumë se 24 vite. T’u thuash atyre, hajdeni e votoni në Shqipëri, është njësoj si t’u thuash: shyqyr që na u hoqët qafet. Janë më shumë se 1. 3 milion shqiptarë, që kanë shkuar të jetojnë e punojnë jashtë vendit, këtë çerek shekulli. Statistikat e shtetit e japin popullsinë tonë afro 2.8 milionë dhe nga ana tjetër thonë se kemi mbi 2. 3 milionë votues. Nuk është e vështirë të kuptohet se ky popull i ka kaluar shifrat e 4. 5 milionëve. Pra, thuajse 1/3-ës së tij i privohet e drejta për të votuar dhe për të ndikuar në qeverisjen e vendit të tyre. Po, pse vallë politika jonë nuk është e interesuar për votën e emigrantëve!? Madje, nuk është e interesuar as të dijë se sa është numri i saktë i tyre, se ku jetojnë e punojnë e ç’halle kanë! Politika jonë, gjatë këtyre viteve, ka qenë e interesuar vetëm që emigrantët të dërgojnë sa më shumë para në shtëpi, pasi kështu kanë mbushur shumë gropa të mëdha të buxhetit të shtetit, kanë krijuar atë pak mirëqenie që kemi dhe kanë ndikuar shumë në zbutjen e problemeve sociale në vend. Kontributi që kanë dhënë emigrantët tanë, duhej të meritonte një respekt e sjellje krejt tjetër të klasës sonë politike për to. Mirëpo, ka ndodhur ekzaktësisht e kundërta. Secila palë që ka ndërruar turnin e pushtetit, duket se ka pasur interes që t’i mbajë emigrantët sa më larg kutive të votimit. Arsyeja, mendojmë se është shumë e thjeshtë: më e mirë, më e lehtë, më e ëmbël u duket vota e popullsive rurale të vendit, se sa ajo e popullit shqiptar emigrant. Emigrantët tanë, (qofshin nga fshati apo qyteti), tashmë janë pjesa më e përparuar e shoqërisë shqiptare, pasi jetojnë e punojnë prej një çerek shekulli në mesin e popujve të zhvilluar perëndimor. Faktet e shumta tregojnë se ne shqiptarët integrohemi më mirë e më shpejt se asnjë popull tjetër me europianët. Ndaj, besoj se politika jonë e ka frikë votën dhe gjykimin e emigrantëve. Politika jonë e di shumë mirë se emigranti e di ku ta hedhë votën, di se si duhet të punojë një qeveri apo një komunë. Emigrantët, më mirë se kushdo, e dinë se çfarë e pengon vendin të ecë përpara më shpejt, drejtë standardeve europiane. Emigranti e ndjen më shumë se të tjerët vlerën dhe mungesën e Atdheut. Emigranti vuan njësoj për prindërit e lënë në Shqipëri dhe për Atdheut e lënë pas. Ndaj vota e emigrantit është e vështirë të manipulohet, të devijohet me demagogji e propagandë, apo të blihet. Këto e të tjera, mendoj se janë arsyet që e mbajnë politikën tonë larg emigracionit. Politikanët tanë dhe sidomos ambasadat tona, bëjnë kujdes që të kenë sa më pak kontakte e bashkëpunim me popullin tonë emigrant. Ata i sheh të shoqëruar rëndomë me njerëz të malavitës nëpër zyra, dyqaneve apo restoranteve të shtrenjta rrugëve të Europës, por thujase kurrë të bëjnë ndonjë gjë për emigracionin. Atij, bëjnë kujdes që t’i shmangën e rrinë sa më larg.
Mos krijimi i kushteve për të votuar, është direkt mohim i të drejtës kushtetuese për votën. Asnjë palë politike që na ka qeverisur nuk mund të justifikohet e të thotë se nuk ua ka mohuar kush të drejtën emigrantëve. Kjo është një hipokrizi e tallje publike, për të mbuluar diellin me shoshë, por nuk e ha kush më. Të gjitha shtet, ku ëndërrojmë të aderojmë, ua kanë garantuar me ligj e me kushte reale të drejtën e votës qytetarëve të tyre nëpër ambasada, kudo që ata punojnë e jetojnë. Ambasadat e trupi diplomatik i Shqipërisë, që i kushton taksapaguesve tanë rreth 2 mln euro në vit, nëse nuk shërben për t’u dhënë mundësinë dhe të drejtën elementare shqiptarëve për të votuar, pse na duhen? Nuk bëjnë thuajse asnjë punë tjetër, ambasadat tona. Ata janë transformuar në vende kavaleshence për familjarët e politikanëve tanë apo rrethin e tyre familjar e partiak. Kështu, natyrshëm që nuk mund të jenë të interesuara për votën, apo që që t’u shërbejnë shqiptarëve të emigracionit!? Do të ishte gjëja më e thjeshtë organizimi i votimit nëpër konsullata e ambasada, por nuk duan, sepse i frikësohen gjykimit të kualifikuar të tyre. Emigrantët tanë, tashmë janë qytetarë europian dhe gjykojnë ndrysh nga shqiptarët e varfër, që politikanët tanë i mbledhin si kope e sa herë duan nëpër mitingje të çmendura e të shtrenjta. Personeli i ambasadave tona ka përfaqësuar gjithnjë palët qeverisëse të vendit, ndaj nuk mund të jenë të interesuar për votën dhe gjykimin e shqiptarëve emigrantë! Për ata, kjo do të thoshte se, po nuk punove fort dhe mirë për vendin tënd, duhet të kthehesh në shtëpi së bashku me ata politikanë që i kanë dërguar me mision diplomatik këtej në Europë. Ndaj, politikës sonë, deri më sot, i kanë interesuar veç paratë që sjell emigracioni, dhe aspak vota e pasigurtë e tij. Nga kjo sjellje indiferente dhe diskriminuese e politikës ndaj tyre, edhe emigrantët e kanë riparë qëndrimin dhe kontributin e tyre për vendin, duke dërguar gjithnjë e pak para në Shqipëri. Dhënia e mundësive për të votuar, do t’i mbante ata shumë më të lidhur me Shqipërinë dhe të interesuar për mirëqeverisjen e vendit. Por, kur kjo e drejtë elementare u është mohuar tash sa vite prindërve emigrantë, imagjinoni se si do të jetë për fëmijët e tyre nesër interesi e kontributi për Atdheun. Në afro 1. 3 milion shqiptarët që kanë emigruar, afro70% e tyre janë votues. Kjo do të thotë se janë më shumë se 1/3 e fuqisë votuese më të kualifikuar të vendit. Me mundësitë që ka krijuar elektronika sot, mbase nuk do kishte nevojë as për votim nëpër ambasada. Thjeshtë t’u hapej një faqe interneti për të votuar, ashtu siç bëjnë edhe me pagesat, apo gjëra të tjera më të rëndësishme oline. Por nuk ka qenë vullneti i politikës, për arsyet që thashë më sipër dhe jo se nuk janë mundësitë. Kryeministri Rama ka qenë vetë emigrant dhe nuk e kuptojmë se si mund ta harrojë edhe ai emigracionin! Nësë Ai është politikani që besojmë, nuk ka pse të ketë frikë nga emigrantët. Janë të tjerë ata që duhet të fshihen prej tyre.