Energjia në bregdet, Çela: Nga shtatori, plan investimesh
Problemi i energjisë elektrike në zonat bregdetare do të jetë një histori e të shkuarës, garantoi kreu i OSHEE-së Adrian Çela, në një prononcim për mediat, gjatë një inspektimi të punës për mirëmbajtjen e rrjetit në Himarë.
“Është fakt se këtë vit kemi pasur një rritje të ngarkesës së rrjetit elektrik dhe shifrat e tregojnë vetë, mjafton të bëjmë krahasimin e tyre nga vjet për të njëjtën periudhë. Nga ana tjetër, në sajë të gatishmërisë që OSHEE shpalli që në fillim të muajit të shkuar, duke mobilizuar që nga zona e Vlorës deri në Sarandë, 254 punëtorë u bë e mundur gatishmëria për eleminimin e avarive në një kohë sa më të shpejtë në Vlorë, Orikum, Dhërmi, Himarë, Qeparo dhe deri në Sarandë. Kemi arritur të ulim ndjeshëm jo vetëm numrin e ndërprerjeve të energjisë duke krahasuar vitin 2013 me 2014, por është ulur ndjeshëm dhe koha e riparimit të defekteve. Nëse krahasojmë periudhën qershor-korrik në tre vitet e fundit, këtë vit është ulur me më shumë se dy herë kjo kohë e riparimit të defektit”, tha Çela.
Kjo, sipas tij, vjen pasi nuk ka një sistem energjitik në këto zona, por ka vetëm tela elektrifikimi që janë bërë që në vitet ’70 kur është bërë elektrifikimi. “Në shtator e në vazhdim, OSHEE ka planifikuar të ndërhyjë me një plan investimesh për të përmirësuar situatën për sezonin e ardhshëm deri në zgjidhjen përfundimtare që do të marrë në vitin 2017”, tha Çela.
Ai gjithashtu ilustroi me shifra ecurinë e furnizimit me energji elektrike të zonave bregdetare. “Në muajin korrik 2013, numri i ndërprerjeve nga difektet është 358 në zonën Vlorë-Sarandë; në muajin korrik 2014 janë regjistruar 438 ndërprerje ndërsa në muajin korrik 2015 kemi 165 ndërprerje. Pra është ulur në sajë të gatishmërisë dhe statistikat tregojnë se kemi rikuperuar defektet. Çfarë do të bëjmë ne? Për herë të parë në këtë zonë do të kalojë linja 110 kV pasi këtu nuk ka linjë 110 kV. Para 3-4 javësh u inaugurua nisja e punimeve për linjën 110 kV e Unazës së Jugut, ku po investon OST-ja në bashkëpunim me kfw. Brenda muajit tetor parashikohet që segmenti ku jemi të përfundojë”, tha Çela.
Sipas tij, në shtator nisin punimet për ndërtimin e 2 n/stacioneve, një në Himarë dhe tjetri në Orikum. OSHEE do t’i përgjigjet me 2 faza investimesh: është një n/stacion me vlerë 286 mln lekë të reja në Dhërmi, në nivelet 35-20 kV, me sistemin e shpërndarjes nga Himara me linjën e tensionit të mesëm që shkon rreth 35 km nga Himara në drejtim të Palasës me vlerë 480 mln lekë të reja. Shto këtu edhe 2.4 miliard lekë të reja që do të investohen në shtator për rikuperimin e linjës së tensionit të mesëm 95 km, tensionit të ulët Vlorë-Sarandë 70 km dhe ndërtimin e 90 kabinave të reja.
Ky është plani i masave që fillon në muajin shtator dhe do të përfundojë brenda qershorit të vitit 2016. Faza e dytë që janë investimet më afatgjata, është bashkëpunimi me Kooperacionin Italian ku është firmosur kontrata para 3 javësh, brenda dhjetorit shpallet firma fituese.” Ne kemi planifikuar që brenda 2017 të përfundojë ndërtimi i linjës së tensionit të ulët 20 kV për pjesën e Himarës. Me këto investime themi se në vitin 2016 situata në këtë zonë bregdetare Vlorë-Sarandë do të përmirësohet ndjeshëm, por brenda 2017 do të jetë e zgjidhur e gjithë problematika në këtë zonë turistike”, tha ai.
Unë i garantoj qytetarët se sezonin e ardhshëm do të jetë një tjetër pasqyrë e situatës, nuk do të jetë më problem ngarkesa e rrjetit dhe në 2017, falë investimeve që do të nisin nga muaji shtator i këtij viti kjo problematikë do të jetë zgjidhur përfundimisht.
Rritje e arkëtimeve nga OSHEE
Kreu i OSHEE-së, Adrian Çela, tha se ka një rritje të përgjithshme të arkëtimeve nga ana e OSSHE-së. “Nuk është vetëm Himara që ka refektuar rritje të arkëtimeve gjatë kësaj periudhe, treguesit janë rritur në gjithë vendin. Në zonën turistike që nis nga Velipoja në Sarandë janë rikuperuar mbi 150 milion lekë të reja debi, ndërsa përsa i takon faturës korente janë derdhur 180 milion lekë të reja. Sot që flasim, që kur ka nisur aksioni për zonat bregdetare nga muaji prill, rreth 60 për qind e ish debitorëve nuk janë më të tillë. Kjo tregon se janë rritur arkëtimet, klientët i janë përgjigjur thirrjes së kompanisë dhe tani është detyrë e kompanisë t’i përgjgjet përgjegjshmërisë së konsumatorit me investime dhe cilësi shërbimi”, tha Çela.