Energjia nuk është aksion i përkohshëm
Nga Saimir Tahiri
Fjala e Ministrit të Punëve të Brendshme në aktivitetin për aksionin kombvëtar kundër vjedhësve të energjisë elektrike
Diçka më shumë sesa një muaj më parë një zonjë më nisi një email duke më njoftuar që një, sipas saj, punonjës policie, në një shtëpi superluksoze, në rrethinat e Tiranës, dyshohej se vidhte energjinë elektrike.
Janë të shumta denoncimet e tilla dhe janë të shumtë njerëzit që ndjekin pas denoncimet e qytetarëve si ky, për të formuar platformën e besimit që duhet të kenë qytetarët, në komunikimin me ne, në komunikimin me institucionet në mënyrë që të luftojmë bashkarisht paligjshmërinë. Këtij rasti i shkuam deri në fund, siç i kemi shkuar shumë e shumë rasteve të tjera. Dhe doli e vërtetë! Ishte ashtu siç tha denoncuesi. Një punonjës i Policisë së Shtetit, e pabesueshme ta thuash kaq thjeshtë por është e vërtetë, një punonjës i Policisë së Shtetit – dhe nuk është i vetmi, janë disa – në luksin e jetesës së përditshme, vidhte edhe energjinë elektrike. Në një vilë mbi tre kate, abuzonte në mënyrë flagrante duke vjedhur energjinë elektrike.
E themë këtë, e para, për të treguar që kjo nuk është ajo që shpesh keni dëgjuar nga ata që drejtojnë gishtin drejt nesh për të na thënë se shteti nuk bëhet me aksione. Kjo është një qasje strategjike!… Kjo është një qasje strategjike për të ndërtuar shtetin e të gjithëve, ku para ligjit janë të gjithë të barabartë, pavarësisht funksionit, pavarësisht detyrës, pavarësisht statusit shoqëror dhe pavarësisht traditës së derisotme, duke e shtresëzuar shoqërinë në ca të privilegjuar, që vidhnin dhe energjinë elektrike, dhe ca të tjerë që e respektonin shtetin, duke e humbur edhe dinjitetin.
Dhe kjo është një qasje strategjike e Kryeministrit, e qeverisë, e jona në tërësi dhe mbi të gjitha, e qytetarëve të ndershëm në këtë vend për të ndërtuar dinjitetin e shumicës dërrmuese të qytetarëve shqiptarë që duan që ligji të jetë i barabartë për të gjithë.
E thashë këtë rast, për ta bërë fare të qartë domosdoshmërinë që ne kemi në këtë aksion për të ndërtuar fijet e besimit me qytetarët. Pra paligjshmëria me energjinë elektrike, apo më shumë çështje të tjera, është nga ato çështje që nuk luftohet dot kurrë vetëm me institucionet, në rast se ne nuk arrijmë që nëpërmjet kësaj lufte që po bëjmë, t’i edukojmë qytetarët të besojnë që jemi në të njëjtën rrugë për ta bërë Shqipërinë vendin ku ligji respektohet dhe para ligjit janë të barabartë që të gjithë.
Pra nuk është aksioni i përkohshëm që jemi mësuar të shohim vazhdimisht, por është qasja strategjike e jona dhe e të gjithëve në këtë vend për të ndërtuar dinjitetin e atyre që respektojnë ligjin në mënyrë të barabartë për të gjithë.
Ministria e Punëve të Brendshme, Policia e Shtetit është në mbështetje të plotë të të gjitha instancave që po merren aktualisht me zhdukjen në maksimum të vjedhjes së energjisë elektrike. Kujdes, e theksoj, është vjedhje e energjisë elektrike. Sepse një punë tjetër është pagesa në kohë dhe sipas procedurës dhe afateve të energjisë elektrike.
Ajo që ne na shqetëson më së shumti është shkelja e Kodit Penal, shkelja e ligjit pra, për ata që guxojnë të vjedhin energjinë elektrike, duke i shkaktuar dëm shtetit dhe duke u shkaktuar një dëm akoma më të madh atyre që e paguajnë energjinë elektrike, në mënyrë të rregullt, qoftë edhe shumica dërrmuese tani, në afatet e rivendosura nga Operatori.
Nga nëntori e këtej është bërë një punë kolosale e cila natyrshëm, e shprehur në shifra vjen duke u ulur për shkak se edhe ata që e vjedhin energjinë elektrike kanë mësuar vetë të fillojnë të zhdukin lidhjet e paligjshme.