Eni Çobani: Sherri i dy grave në ekran, njerëzit po nuk mbajnë më
Sherri live mes dy femrave në "TV Klan" ka shkaktuar shumë polemika.
Drejtuesja e shfaqjes “Shihemi në gjyq”, që transmetohet tek “E diela shqiptare”, Eni Çobani, është përpjekur të justifikojë skenat e dhunshme. Ajo thotë se ka arritur një pikë kur njerëzit nuk mbajnë më.
“Në fakt, njerëzit kanë arritur në pika të tilla që nuk mbajnë më, nuk durojnë më. Kjo ka të bëjë edhe pak me karakterin; njëra është e qetë, ndërsa tjetra e përcjell në mënyrë pak më të nxehtë. Janë disa frenime që unë përpiqem t’ua bëj gjatë seancës, por ato dalin edhe nga vetja, sepse i ka çuar situata deri këtu, nuk mbajnë më”, thotë ajo.
“Mund të merakosem për ndonjë shpullë, për situatën e nxehtë, por asnjëherë se do të arrijnë në pikat më ekstreme. Sigurisht që, këto nuk janë forma pozitive të zgjidhjes dhe unë përpiqem gjithmonë t’i qetësoj njerëzit, ndaj i sjell në seanca ndërmjetësimi, që të gjejnë gjuhën me njëritjetrin. Por, ndonjëherë gjërat degjenerojnë dhe, siç e patë edhe ju, sikur një fjalë e palës tjetër, e nxeh kaq shumë situatën saqë tjetri nuk përmbahet. Këto janë momente që mundohem me delikatesë t’i zbus”, vijon më tej ajo.
Pyetjes se a duhet të ndodhin këto në transmetime live, Çobani i përgjigjet: “Unë jam kundër këtyre formave dhe, e përsëris, u kërkoj ndjesë shqiptarëve sa herë që kemi situata të kësaj natyre, por njerëzit duhet të kuptojnë edhe ata që dalin aty, nuk e bëjnë nga qejfi, por nga halli. Me pak fjalë, personi atë ditë e quan të tijën, pra i thotë vetes “unë nuk kam folur 20 vjet dhe tani dua që hallin që kam të ma dëgjojë e gjithë bota”. Aty vepron edhe emocioni, dhe njerëzit që janë aty nuk janë të gjithë intelektualë apo me arsim të lartë. Këto janë defekte edhe të kulturës shkollore dhe familjes. Janë shumë elementë që e bëjnë dikë të dalë nga vetja, por asnjëherë nuk duhet të mendoni se situata mund të degjenerojë edhe më keq, është thjesht inat i momentit”.