Enveri ekber

 

Nga Ruben Avxhiu

Është interesant aspekti fetar në historinë e Enver Hoxhës dhe të Shqipërisë.

Babai i Enver Hoxhës ishte hoxhë. Ishte një mysliman i devotshëm që sigurisht nuk kishte si të mos ishte në konflikt me të birin që ndryshe nga zakonet shqiptare kishte shtyrë me sa kishte mundur martesën, nuk kishte ndërmend të kthehej në qytetin e lindjes dhe dukej të kishte ruajtur pak lidhje me familjen.

Nga ana tjetër do të ishte pikërisht ky i biri i hoxhës që do ta kthente Shqipërinë në të vetmin vend ateist të botës, duke mbyllur kishat dhe xhamiat, duke i shkatërruar nga brenda, transformuar në teatro e stalla, e shtëpi banimi.

Nën regjimin e tij klerikët u vranë, burgosën e internuan. U detyruan të deklarohen publikisht kundër feve të tyre e u punësuan me detyrim në vende pune të rëndomta.

Babai i tij zë pak vend në kujtimet e Enver Hoxhës. Ai thotë se në shtëpi thërriste xhaxhain baba e babain xhaxha. Kjo mund të ketë ardhur edhe sepse ai u rrit pranë djemve të xhaxhait dhe imitoi mënyrën se si i thërrisnin ata të rriturit.

Enver Hoxha u mundua ta vendoste xhaxhain e tij në listën e figurave të mëdha të kombit, ndonëse ishte vetëm një figurë lokale. Ai tregon ndaj tij mallin dhe admirimin që nuk shpreh për babain.

Duket se i ati kishte pak interes për politikën. Por një mundësi e madhe është që marrëdhëniet mes të dyve të jenë ftohur sidomos për arsye të ndalimit të fesë. Për babain kjo mund të ketë qenë kufiri i fundit.

Por ironia më e madhe e fatit është se feja duket se ka qenë arsye kryesore që Enver Hoxha arriti të vihej në krye të komunistëve shqiptarë.

Sipas kujtimeve e fakteve të bëra publike vetëm pas rënies së diktaturës, duket se Enver Hoxha ka pasur vetëm një rol anësor dhe të parëndësishëm në lëvizjen komuniste, deri në themelimin e Partisë Komuniste Shqiptare.

Në atë kohë vepronin tri grupe kryesore komuniste në Shqipëri. Grupi i Korçës, ai i Shkodrës dhe Grupi i të Rinjve në Tiranë.

Në kto grupe vepronin njerëz që e njihin mirë marksizmin që kishin pasur veprimtari dhe njohje edhe jashtë vendit, si dhe që kishin qenë aktivë prej vitesh në Shqipëri. Krahasuar me ta Enver Hoxha ishte një i ardhur i vonë dhe ende i pasigurtë sesa do të mbetej i angazhuar.

Tri grupet komuniste refuzonin të bashkëpunonim duke pretenduar rolin udhëheqës. Bashkimi tyre në një parti u bë me ndërmjetësimin dhe imponimin e një faktori të huaj, dy të dërguarve nga Partia Komuniste Jugosllave. Këta, Miladin Popoviçi, një komunist malazez i internuar në  Shqipëri dhe i liruar nga komunistët shqiptarë dhe Dushan Mugosha një nga ata serbët e rrallë që kishin mësuar gjuhën shqipe, organizuan në Tiranë në 8 nëntor 1941, një mbledhje me nga pesë përfaqësues të secilit grup komunist. Nga kjo mbledhje u themelua Partia Komuniste Shqiptare që më vonë (me emrin Partia e Punës) do të qeveriste vendin për gjysëm shekulli.

Koço Tashko, një komunist që kishte jetuar edhe në Bashkimin Sovietik drejtonte Grupin e Korçës. Vite më vonë, kur ndodhej në burg i dënuar pikërisht nga regjimi për të cilin punoi që të triumfonte, ai ka treguar edhe sesi ndodhi që Enver Hoxha hyri në histori.

Kur i kishte paraqitur emrat e përfaqësuesve të Grupit të Korçës, Miladin Popoviçi e kishte kritikuar që të pestë ishin të fesë ortodokse. Shqipëria ishte me shumicë myslimane dhe ishte me rëndësi që kë kishte aty të paktën një musliman.

Koço Tashko thotë se u mendua dhe vendosi të merrte Enver Hoxhën, një ish-profesor të Liceut të Korçës, që e njihte që nga Korça e që kishte hapur biznes në Tiranë. Ishte një zgjidhje e shpejtë dhe e thjeshtë për Koçon që e shihte veten si të pazëvendësueshëm në lëvizjen komuniste.

Enver Hoxha mund të ketë hyrë nga “dritarja” në mbledhjen themeluese, por “myslimani sa për numër” dëshmoi aftësitë e tij sociale për të fituar zemrën dhe besimin e Miladin Popoviçit që luajti rolin e kryetarit të pashpallur në partinë e re. Shumë shpjet si i besuari i Popoviçit, rëndësia e Enver Hoxhës në organizatë u rrit.

Enveri ishte i pashëm dhe i gojës, ishte më i lexuar se shumë prej aktivistëve dhe mund të shkruante lehtësisht. Ndonëse tekstet e tij ngjajnë naive sot, ato ishin normale për atë kohë dhe shumë më të mira se çfarë mund të prodhonin shokët e tij në parti. Enver Hoxha mund të mos ishte një komunist i vërtetë dhe mund ta ketë ndihmuar fati që të ngrihej aq shpejt në partinë e re, po ai dëshmoi se ishte politikan i zoti dhe manipulator i suksesshëm.

Në fund, ky “mysliman në numër” që hyri në mbledhjen themeluese të partisë, pa hyrë më parë në asnjë xhami të vendit, siguroi që për disa dekada të mbetetj i vetmi profet që adhurohej publikisht në vend, i vetmi zot me të vetmen fe, komunizmit stalinisto-enverist. Librat e tij, zakonisht me kapak të kuq, zëvendësuan kuranët dhe biblat dhe u kthyen në lexim të detyrueshëm për shqiptarët e të gjitha moshave.

“Konvertimi” në fenë e kuqe fillonte bashkë me jetën në kopshtet e fëmijëve dhe klasën e parë në shkollë. Ashtu si feja, edhe komunizmi enverist ofronte një jetë pas vdekjes, në formën “jeton në zemrat dhe mendjet tona”.

Kjo fe e re që premtonte se po e çonte popullin drejt një parajse komuniste pa para, prona e konflikte, krijoi në të vërtetë një ferr në tokë, mes një lumi mëkatesh që u ndjehen pasojat edhe sot e kësaj dite.

Illyria

SHKARKO APP