Erion Braçe: Në Shqipëri bëhet pastrim parash nga mëngjesi në darkë, sidomos në ndërtim!
Deputeti i PS-së, Erion Braçe ka thënë se në Shqipëri bëhet pastrim parash të pista.
“Unë nuk kam dëgjuar kënd që të thotë se në Shqipëri nuk pastrohen para të pista. Nëse del ndonjë që thotë se nuk pastrohen para të pista, duhet të jetë anormal. Sepse nuk ka vend në Europë dhe botë që nuk pastrohen para të pista. Edhe Vatikani ishte në listën gri të pastrimit të parave të pista. Unë vazhdoj të them që po në Shqipëri pastrohen para të pista, nga mëngjesi deri në mbrëmje dhe nuk e mohon dot kërkush këtë gjë.
Ka akte të qarta të agjencive që ligji i ka ngarkuar të merren me këtë fenomen, po ka. Ka, siç ka Agjencia e Parandalimit të Pastrimit të Parave kallëzime në drejtim të organit të akuzës. Ka kallëzime të qarta për këtë fenomen për kompani apo pronarë kompanish që merren me këtë gjë dhe që infiltrojnë edhe në sektorin e ndërtimit para të pista. A duhet të ushtrojë Parlamenti kontroll mbi këto institucione për ta forcuar këtë luftë? Po duhet ta forcojë”, tha mes të tjerash Braçe.
Me tej deputeti Braçe tha se duhet hetuar shumica e oligarkëve, dhe sidomos ata që bëjnë kulla të larta në Tiranë, por jo vetëm.
KOHA JONË SONDAZH

