Erjola Braha, e rritur në vreshtat e Italisë, pasioni për verën që u shndërrua në sipërmarrje shqiptare
Një ëndërr e nisur nga një fëmijëri mes vreshtave në Veneto të Italisë, është shndërruar sot në një prej historive frymëzuese të sipërmarrjes në fushën e prodhimit të verës shqiptare.
Pronaren e kantinës “Braha”, Erjola Braha, jeta e çoi larg Shqipërisë që në moshën 10-vjeçare, mbi bordin e anijes “Vlora”.
Atje, në Valdobbiadene, në qytetin e bulëzave, lindi pasioni që e çoi drejt rrugëtimit të prodhimit të verës.
Në një bisedë me kryeministrin Edi Rama në podkastin “Flasim”, ajo kujton se çdo ditë zgjohej mes vreshtave dhe që atëherë nisi ëndrra e saj, e cila u forcua nga dëshira për t’u kthyer dhe për të ndërtuar diçka në vendin e saj.
“Mendova se nuk do të kthehesha më, por kuptova shpejt që Shqipëria ofron mundësi dhe ëndrrat që ndërtova në Itali mund t’i realizoja këtu, falë njerëzve që besuan tek unë”, rrëfen ajo.
Kantina “Braha” nisi nga prodhimi i pak shisheve në Veneto, për t’u transferuar në Shqipëri, duke u zgjeruar gradualisht dhe sot është kthyer në prodhimin vendas me një vizion të qartë, të garojë me verërat më të mira botërore dhe të ndërtojë vreshtat e veta, duke e shndërruar këtë pasion në një zinxhir të plotë, nga vreshti te gota.
Për momentin ajo përzgjedh rrushin nga fermerë dhe zona të ndryshme, ndërsa bashkëpunon me enologë të njohur për të garantuar cilësi.
Prodhimi i parë nga rrushi i vreshtave të zgjedhura edhe me ndihmën e enologëve dhe Riccardo Cottarellas, në Berat, Librazhd, etj, ka arritur në disa mijëra shishe, ndërsa kërkesa në treg është disa herë më e lartë, deri në 100 mijë shishe në vit, vetëm në Shqipëri, përveç kërkesës për eksport.
Ajo pranon se vera shqiptare shpesh shihet si e shtrenjtë, por sqaron se në krahasim me tregun italian dhe francez, ku sipërfaqja e vreshtave është shumë e madhe, çmimi është mesatar, rreth 15 euro për shishe, ndërsa thekson se vlera që marrin konsumatorët është e krahasueshme me kantinat prestigjioze të Bordosë (Bordeaux) apo Burgonjës (Bourgogne).
“Jemi duke investuar vazhdimisht në cilësi dhe në rritjen e vreshtave. Duhet punë dhe kohë për të siguruar lëndë të parë shqiptare me standarte të larta”, shton ajo.
Synimet janë ambicioze. Deri në vitin 2030, kantina “Braha” synon të arrijë një prodhim mesatar prej 300 mijë shishe, të mbulojë plotësisht kërkesën në tregun vendas dhe të eksportojë, duke e shndërruar verën si një produkt që kontribuon drejtpërdrejt në imazhin e Shqipërisë turistike.
Ajo vlerëson edhe ecurinë e prodhimit vendas të kantinave të tjera shqiptare, duke e quajtur “një mrekulli”, ecurinë e tre viteve të fundit.
Përmend këtu disa nga kantinat që po bëjnë një punë të jashtëzakonshme në tregun e verës shqiptare, si Bardha, Nurellari, Arbri, Belba, Çobo, Duka, duke theksuar se prodhuesit janë kolegë dhe se suksesi i secilit ndikon në njohjen dhe besimin për verën shqiptare në tërësi.
Kryeministri Edi Rama theksoi se tregu i verës shqiptare nuk po njeh vetëm rritje në sasi dhe cilësi, por edhe në formimin profesional që qëndron pas këtij zhvillimi. Ai vlerësoi vizionin e prodhuesve vendas, të cilët kanë investuar në arsimimin e fëmijëve të tyre jashtë vendit, duke i pajisur ata me dije bashkëkohore që sot po kthehen në vlerë të shtuar për industrinë e verës në Shqipëri.
“Në këto sipërmarrje familjare nuk është investuar vetëm në teknologji dhe kapacitete prodhuese, por edhe në dijen e brezit të ri, i cili është kthyer për të kontribuar me profesionalizëm dhe pasion”, u shpreh Rama, duke e konsideruar këtë si bazën e suksesit për të ardhmen e tregut të verës shqiptare.
Sot, me krenari, ajo sheh se vera shqiptare është e kërkuar, jo vetëm nga turistët që vizitojnë vendin, por edhe nga të huajt që habiten me cilësinë e saj.
Dhe ndërsa prodhimi vendas rritet me hapa të sigurt, sipërmarrëse si ajo po ndërtojnë historinë e re të verës shqiptare, një histori suksesi, pasioni dhe kthimi në rrënjë. ATSH
KOHA JONË SONDAZH

