Ermonela Jaho: Flas me gjuhën e zemrës, ju prezantoj partnerin e jetës

Nga Roland Qafoku

Znj. Ermonela, unë kam pasur fatin t’ju intervistoj shtatë vjet më parë, kur ylli juaj ishte në ngjitje. Për mua është shumë e rëndësishme kjo intervistë. Çfarë ka ndryshuar në këto shtatë vite, sepse sot, ju jeni një yll atje lart?

Mund të them se si të gjithë njerëzit ne jemi çdo ditë ndryshe. Si të gjithë, ndryshojmë. Nga ana fiziologjike ndryshojmë, sepse siç kemi qenë mbrëmë nuk jemi sot. Është një ditë e re edhe në përkushtimin dhe përballimin me jetën e përditshme. Në rastin konkret, ndryshimi që ka qenë me Ermonelën, nga 2007-ta e deri më tani. Mund t’ju them se ka qenë një rrugë e gjatë është një kërkim i vazhdueshëm për të përmirësuar veten. Si çdo majë, megjithëse nuk dua të them se jam në majë, sepse po të kap majën, duhet të them se ku të shkoj më. Kam gjëra për të dhënë akoma. Ndryshon nga ana shpirtërore, psikologjike, sepse jeta të jep një lloj eksperience që të shenjojë. Kjo ka bërë që Ermonela të ndryshojë, t’i shohë gjërat me një sy tjetër edhe përballimin me karrierën. Mund të marr një shembull më konkret: Po të marrim operën “La Traviata” është opera që nisën ëndrrat e mia për t’u bërë këngëtare dhe e kam kënduar mbi 200 herë deri më sot. Nga viti 2007 deri në 2015 është kënduar shumë here dhe shoh që është e njëjta muzikë, i njëjti person që e këndon, por emocioni është ndryshe. Është një Ermonelë me një eksperiencë tjetër dhe këtë ndryshim tek vetja e shoh në rezultatin që kam në skenë dhe mënyra sesi më pret spektatori. Është një rrugë e gjatë, që është bërë dhe vazhdon të bëhet. Kam dëshirë të jap akoma gjëra të reja. Është ky ndryshim, kjo punë e palodhshme, e vështirë, sepse një rezultat optimal të shijon më shumë nëpërmjet mësimit të jetës dhe rrugës së mundimshme. Vetëm kështu e shijon më tepër edhe suksesin.

Ju jeni një model për ne shqiptarët që kemi zgjedhur që punën tonë ta bëjmë në Shqipëri. Ndryshe nga ju, që punën tuaj e bëni jashtë…

Jam e emocionuar për dy arsye. Fillimisht nuk mund ta kuptoni kur merr një vlerësim në gjuhën tënde, nga vendi yt. Nuk është e kotë shprehja “guri i rëndë në vend të vet”. Nuk ëshë prezantim vetëm për Ermonelën, por edhe për të gjithë artistët e tjerë që kanë dalë nga Shqipëria. Është një dritë shprese për brezat e rinj. Nuk ka vend pa vështirësi. Unë jetoj në largësi, por zemrën e kam këtu. I imagjinoj vështirësitë që kanë të rinjtë, por nuk ka asgjë në botë që nuk mund ta arrish kur e do me shpirt. Në rastin tim ka qenë e vështirë. Ermonela nuk ka lindur artiste e madhe, nuk ka lindur këngëtare, nuk ka lindur me të gjitha oportunitetet. Më duket sikur kam jetuar dy-tre jetë në çdo hap që kam arritur. Vështirësitë kanë qenë të jashtëzakonshme, por edhe nga ky vend ku kishte vështirësi që ti të merrje edhe  një vizë që të konkurroje në një konkurs, apo një biletë avioni. Gjë që tani nuk është. Shqipëria tashmë nuk i ka këto probleme. Por perla më e çmuar del nga fundi i detit. Ylli del në ato vende ku ka vështirësi, aty ku ka probleme. Një artist që nuk ka provuar vuajtjen, nuk mund të jetë kurrë artist. Mund të jetë thjesht një fotografi e bukur, por kurrë artist. Muzika është gjuha e shpirtit, gjuha e zemrës. Edhe kur u krijua teatri në kohën e lashtë ishte si një lloj katarsisi. Të shkarkohesh nga ana shpirtërore është një dashuri midis artistit, atij që ta jep këtë emocion dhe publikut. Unë kam pasur dy prindër të jashtëzakonshëm që kanë besuar shumë tek unë dhe kanë qenë dy ingridientët më perfektë. Një baba idealist, në një moment kur çdo gjë ishte e fshehtë. Ishte rrezja e diellit në fund të tunelit. Dhe xheneroziteti i madh i nënës sime i nënave shqiptare. Prandaj edhe kur erdha herën e kaluar dhe këndova “Butterfly”, ia dedikova atë titull grave shqiptare, sepse kanë bërë sakrifica të jashtëzakonshme. Madhështia shpirtërore e të qenit prindër jep diçka të veçantë. Unë mendoj se nga ky vend kanë për të dalë gjithmonë artistë.

Ju flisni me shumë dashuri për vendin tuaj edhe pse në skenat e botës shkëlqeni. Ju u bëtë e famshme në Shqipëri, pasi u bëtë e famshme në botë…

Të gjithë e kemi ndjekur filmin “Odisea” të Homerit, ku thoshte se rruga për në shtëpinë tënde vjen përmes botës. Ndoshta, asnjë nuk është profet në vendin e tij. Mbaj mend në kohën time, mënyrën sesi trajtoheshin talentet. Talente në kohë time ishte ai që e kapte mësimin shpejt. Ai ishte gjeni. Ti, që kishe nevojë për më shumë kohë, nuk do të bëheshe gjë. Në rastin tim, kjo nuk ka funksionuar. Të gjithë kemi lindur me diçka, të gjithë e kemi brenda vetes, por mendoj që 10% është dedikim. Ndoshta nuk kam qenë e talentuar sa duhet, që të dilja në fillim nga Shqipëria, të bëja rrugën e kundërt. Tani, të gjithë mund të thonë se “Ermonela do të bëhej e madhe”, se “Ermonela ka qenë talent që atëherë”… Nuk është e vërtetë.

E ke dëgjuar këtë?

Po. Unë studioja. Asnjë nuk lind i madh. Ti bëhesh në momentin që i vë detyrë vetes. Kam mësuar sesa më shumë të punoj, aq më shumë fat kam.

Më kujtohej një frazë e juaj, në intervistën që ju kam marrë në vitin 2007, se më ofronin një copë akull…

Që të çosh gjithë botën të shohë atë ndjenjën tënde, me sytë e Ermonelës kërkon një punë shumë të madhe. Çdokush që kishte dëgjuar për Shqipërinë kishte dëgjuar gjëra negative, por megjithatë ishim nga ato vende që nuk kishim shumë të njohur për çdo gjë. Kjo ka qenë ajo thyerja e akullit.

A veçoni dikë që ishte i pari, që u afroi ju pas suksesit që morët në skenat botërore?

Ata që më ka mbështetur më shumë kanë qenë prindërit e mi.  Ata më kanë shtyrë që unë të njihesha në Shqipëri. Ndoshta ka qenë mentaliteti i vendit të vogël, por konkurrenca në vendin tonë s’e kuptoi. Ai që ka kaluar me ty një lloj eksperience shkolle nuk e pranonte dot.

Pse?

Nuk e di. Disa gjëra i kam akoma sot e kësaj dite. Ndoshta nga mentaliteti.

Ju e vuani këtë?

Më përpara, po. Për shkak të tim eti, sepse thoshte: “Ti ke bërë këtë, ke bërë atë… Përse të mos i tregojmë?” I thashë se nuk do të tregojmë asgjë. Do të vijë momenti, që jehona nga jashtë do të vijë në Shqipëri dhe kisha të drejtë! Pritshmëria ishte shumë e madhe për të kënduar dhe zhgënjimi po ashtu. Ne kohët e fundit, kemi filluar një lloj bashkëpunimi, që të jap më tepër eksperiencën time, se çfarë ka arritur Ermonela. Vendi është i hapur ndaj çdo informacioni.

Si ia del Ermonela? Në komunikimet tona, më thoje: “Jam në Londër, jam në Milano, jam në Vienë”… (?)

Është pasioni. Për mua, të kënduarit është ideal. Është katarsis.

Sa do të zgjasë ky pasion?

Pasioni, nëse është i vërtetë zgjat gjithë jetën. Po të flasim nëse do të zgjasë gjithmonë në këto nivele, në këto role të vështira është të gënjej veten. Asgjë nuk zgjat përgjithmonë.

A e keni arritur majën, apo synoni gjëra të reja?

Synoj akoma. Nëse do të kisha arritur majën, tashmë duhet të isha duke rënë. Kam frikë të them se kam arritur në majë. Kam akoma gjëra për të dhënë.

Ju e përmendët më lart që nuk shërben vetëm zëri, por si aktroni?

Sepse besoj në atë që bëj. Kur jam në skenë jam vetvetja. Aktori më i mirë është ai që të prek.

Si është jeta juaj në Neë York?

Unë shpenzoj shumë pak në shtëpi. Mund të them se duke mbledhur ditët, 2 muaj në vit i kaloj në shtëpi. Është shumë e vështirë, do doja që të shpenzoja pak kohë më shumë me shokun tim të jetës, me të cilin kam studiuar.

Mund të na thuash diçka më shumë për të?

Quhet Ervin Stafa. Kemi studiuar bashkë muzikë, kemi qenë në pallatin e pionerve në Tiranë. Jeta na ndau. Unë vajta në Itali, ai shkoi në New York. Jeta na bashkoi përsëri. Mendoj që po nuk pate një mbështetje, një dashuri nga personi që ke në krah do të ishte edhe për mua e vështirë të bëja këtë profesion. Ai ka mbaruar për Muzikologji dhe e kam kritikun më të ashpër. Bëjmë edhe një shkëmbim idesh të dy shokëve që kanë studiuar muzikë. Do doja të kaloja më shumë kohë me të në New York.

A ka ndonjë të veçantë në intervistat që të ka bërë një gazetar i huaj me të një gazetari shqiptar?

Ka më shumë emocion kur e jep në shqip. Ata janë më të stakuar. Të pyesin ndryshe për jetën e artistit. Janë më të detajuar në operan që po vihet në skenë. Në një intervistë për BBC më kanë mirëpritur me një këngë shqiptare arbëreshe. Aq e bukur dhe më thanë që a e njihni këtë pjesë? I thashë që jo.

Si ka mundësi që perlat e kryeveprës klasike janë shkruar 200 vjet më parë?

Kjo nuk është e vërtetë. Është vëmendja e spektatorit edhe në zhanret e tjera, por për mua muzika klasike dhe opera mbetet diçka shumë e thellë. Një javë më parë këndova “Dialogun e Karmelitave”, e shkruar në 1956. Kryevepër! Kjo është edhe diçka që do të bëjmë me teatrin e Operas dhe Baletit. Do të vendosim një lloj repertori.

Unë u kënaqa kur ju dhanë një vlerësim nga kryeministri. Por a ke frikë që kur merr famë shqiptari, të gjithë vijnë aty?

Unë jam artiste dhe flas me gjuhën e zemrën e artistes. Për mua është një ndjenjë e madhe kur ndjehesh e vlerësuar nga kryeministri. U respektova si artiste. Unë do të jap kontributin tim gjithmonë, pavarësisht se çfarë partie është në pushtet. Nuk e prisja cmimin që më dhanë. Një moment shumë i bukur.

E lidhni faktin që kryeministri është artist, i dyti kryeministër në Shqipëri pas Fan Nolit?

Edhe ajo ndikon. Artisti me artistin kupton detajet, mënyrën e të shprehurit. Jeni e madhe, sepse jeni modeste. Të gjithë ne kemi pasur vështirësi në jetë. E dimë shumë mirë që nuk do të na duan të gjithë, kur jemi në karrierë publike. Ma ka thënë që e ke difekt që je modeste, por nuk do të isha unë, nëse do ta bëja. Nuk ka gjë më të bukur t’i urosh më të mirën.

Ju nuk do ndyshoni?

Nuk do të jem unë ndryshe.

Ju folët për rolet tuaja, do të vij pak tek ai roli tjetër: kur jeni në sallë ju, si funksionon? Kur ndiqni kolegët?

Shkoj shumë rrallë, sepse vuaj bashkë me kolgët. Nuk është aq e kollajtë, sepse i njoh të gjithë ato sikletet që përjeton një artist kur ështe në skenë përditë dhe e vuaj jashtë mase, ndaj qëndroj rrallë nga ana tjetër e skenës dhe shkoj shumë rrallë. Dhe shkoj më tepër në balet, sepse është një formë tjetër arti, ku ti shprehesh pa vënë fjalën dhe këndimin siç është në rastin e operës, është një tjetër ekspresion ndjenjash, një lloj tjetër arti brenda trupit, brenda gjesteve. Ato i shoh më me qetësi, në opera shumë rrallë shkoj, sepse vuaj bashkë me kolegët.

Përveç baletit, çfarë lexoni, se ju e përmendët pak më lart se lexoni, shikoni lajmet… Çfarë lexoni?

Më pëlqen psikologjia, filozofia, historia.

Ndonjë gjë që veçoni nga historia e Shqipërisë, kur u çlirua me 28, apo 29, si i jeni përgjigjur kësaj?

Këtë pyetje s’ma kanë bërë. Më 28 është ngritja e flamurit, Pavarësia, por nuk ma kanë bërë shumë jashtë, si pyetje. Por lexoj me tepër, sidomos kur je duke interpretuar role që kanë qenë historike, përpiqem të lexoj shkrimtarin që ka shkruar romanin, të gjej gjëra të përbashkëta të asaj periudhe historike, më të cilën unë do të këndoj rolin që më përket, por është një lexim i shumanshëm dhe i koncentruar tek gjërat psikologjike.

 Besoni në Zot?

Besoj! Është Një, e di se është një definicion, nuk e ndiej veten të bëj një definicion me dy-tri fjalë, e di që në gjithë këtë hapësirë nuk jemi të vetmit, mendoj kështu që ekziston.

Cilit besimi i përkisni ju?

Unë i përkas besimit bektashi, nga të dyja palët edhe nga mami edhe nga babi.

Ju e vëreni këtë që ne e quajmë një vlerë të madhe të shoqërisë shqiptare, harmoninë fetare?

Absolustisht dhe jam shumë krenare! Unë jam rritur për këtë gjë, kur është folur për këtë tolerancë të feve, është një gjë shumë e bukur dhe mendoj që të gjitha fetë kanë diçka të përbashkët; është një filozofi e jetës, për të përmirësuar jetën tonë…

 

 

SHKARKO APP