Ervin Salianji pritet me entuziazëm nga demokratët e Elbasanit: PD-ja duhet të zgjohet se nuk rrëzohet Rama me këta drejtues!
Gjatë fjalës së tij përpara një salle të mbushur me demokratë, në Elbasan, Ervin Salianji përcolli mesazhe të drejtpërdrejta për kryetarin e Partisë Demokratike, Sali Berisha, i cili nuk i mbështet këto takime dhe i ka cilësuar ato si “kafe”, si edhe për Flamur Nokën, me të cilin Salianji u përplas në mbledhjen e fundit të Kryesisë së PD.
Salianji theksoi se drejtuesit e partisë nuk duhet t’u kërkojnë llogari demokratëve pse takohen me strukturat, por duhet të përqendrohen te organizimi i protestave dhe mobilizimi i opozitës në sheshe. Sipas tij, nëse këto takime do t’i zhvillonte çdo përfaqësues i PD-së, ato do të ishin vetëm në favor të forcës politike.
Ai u ndal edhe te mbledhja e fundit e Kryesisë, të cilën e cilësoi si një “gjyq” ndaj tij dhe demokratëve që marrin pjesë në këto takime, ndërsa sipas tij, çështjet që lidhen me qeverinë u trajtuan vetëm sipërfaqësisht.
“Mbledhjet tona shndërrohen në gjyqe ndaj demokratëve, në vend që të diskutohet strategjia për përfaqësimin e opozitës në terren. Mbledhja e fundit ishte katër orë gjyq për mua dhe për ju, dhe vetëm 15 minuta për Edi Ramën dhe Belinda Ballukun,” u shpreh Salianji.
Ai theksoi se largimi i Edi Ramës nga pushteti mund të ndodhë vetëm në dy mënyra: përmes protestës dhe kutisë së votimit, duke nënvizuar se opozita duhet të dalë nga retorika e justifikimeve dhe të ndërtojë një alternativë reale.
“Me dy rrugë largohet Rama: protesta dhe vota. E vetmja mënyrë për ta bërë këtë është të çojmë në këmbë popullin opozitar. Nuk mund të vazhdojmë duke qëndruar çdo natë duke qarë. Fitorja arrihet me njerëz që përfaqësojnë vlera dhe humbësit duhet të bëjnë një hap pas,” tha ai.
Salianji kritikoi edhe drejtimin e partisë për qëndrimin ndaj takimeve me strukturat, duke theksuar se askund në statut nuk ndalohet një veprim i tillë.
“Në vend që të mblidhen njerëz për protesta, na kërkohet llogari pse mblidhemi ne. Nëse çdo përfaqësues i PD do të bënte këtë që bëjmë ne, PD do t’i kishte sheshet plot,” u shpreh ai, duke shtuar se është e papranueshme etiketimi i demokratëve që prej 13 vitesh ndodhen në opozitë.
Ai foli edhe për çështjen e Avokatit të Popullit, duke e cilësuar si një gabim të PD-së dhe duke kërkuar përgjegjësi politike. “Nuk mund të thuhet çdo herë ‘bëmë gabim’ pa pasur një akt konkret. Për këtë arsye kam kërkuar dorëheqje,” theksoi Salianji.
Në këtë takim foli edhe anëtari i FRPD-së, Arbër Kola, i cili u shpreh se Partia Demokratike ka sot figura që riciklohen dhe se premtimet për reformim të brendshëm nuk janë mbajtur.
“Zgjedhjet e brendshme nuk kanë qenë asnjëherë të rregullta. Pastaj themi se Rama vjedh dhe manipulon, por a kemi dhënë ne një alternativë ndryshe? Rama mposhtet vetëm me të kundërtën e tij,” u shpreh Kola.
Pedagogu i Arteve, Ardian Isufi, tha se i është bashkuar PD-së në protestat kundër vjedhjes së votës dhe padrejtësive, por theksoi se sot kërkohen alternativa të reja.
“Nuk mund të ecim me rrena për shëndetësinë falas, kur qytetarët paguajnë. Duhet të lëvizim drejt një kapitalizmi social, ku shoqëria dhe partia shkojnë tek individi,” u shpreh Isufi.
Fjalën e morën edhe të rinjtë demokratë të Elbasanit, të cilët kërkuan hapje të PD-së ndaj gjeneratës së re dhe reflektim për humbjet e njëpasnjëshme zgjedhore. Sipas tyre, mungesa e një alternative fituese ka detyruar shumë të rinj demokratë të largohen nga vendi.
Ndërkohë, kryetari i Forumit të PD-së në Librazhd e cilësoi si “tradhti” dhënien e firmave nga deputetët e opozitës për Avokatin e Popullit.
“Ky qark nuk nxjerr asnjë deputet. Ndaj duhet t’u themi stop këtyre praktikave dhe të ecim përpara me rininë,” u shpreh ai.
KOHA JONË SONDAZH
A veproi drejt Gjykata Kushtetuese për rastin Balluku?
Results
Vota totale: 9332

