Eurogrupi diskuton më 11 shkurt për Greqinë
Nga Kujtim Vani
Ministrat e financave të eurozonës “ka mundësi” të takohen të mërkurën, 11 shkurt në Bruksel, në prag të mbledhjes së samitit europian, me qëllim që të konkludojnë në një qëndrim të përbashkët sa i përket kërkesës së Greqisë për të patur një lehtësim të borxhit, siç deklaroi një burim pranë qarqeve që diskutojnë për këtë çështje. Takimi i jashtëzakonshëm i Eurogrupit është “shumë i mundshëm”, por pritet që të zhvillohet më parë mbledhja e Euro Working Group të enjten, ku bëhen punimet paraprake për këshillin e ministrave të financave të Eurozonës, tha për AFP burimi, që kërkoi të mbetet anonim. Takimi i Eurogrupit do të jetë i pari pas deklaratave të ministrit grek të financave, se ka ndërmend të vendosë “në tavolinë idera” për diskutim me homologët e tij. Ministri grek i financave, Janis Varufaqis do të takohet të mërkurën me presidentin e Bankës Qendrore Europiane, Mario Draghi dhe të enjten, me ministrin gjerman të financave, Wolfgang Schauble. Varufaqis, që u takua të martën me homolgun italian Pier Carlo Pandoan, deklaroi nga Roma se qeveria e re do të mbajë rendin në financat publike, se programi i saj nuk do të jetë një fotokopje e thjeshtë e angazhimeve elektorale, ndërsa sa u përket lëvizjeve të menjëhershme strategjike në lidhje me financat publike nënvizoi: “Nuk e duam këstin e 7,2 miliardë eurove, por do të kërkojmë të na jepen nga Banka Qendrore Europiane fitimet nga bondet greke me vlerë 1,9 miliardë euro”.