Eurogrupi, “dritë jeshile” qeverisë greke për listën e reformave

Nga Kujtim Vani

 “Dritën jeshile” për listën e reformave që prezantoi Greqia ka dhënë edhe zyrtarisht – me anë të një komunikate- Eurogrupi, që diskutoi nëpërmjet një telekonference që zgjati një orë. Në komunikatën përkatëse të Eurogrupit, thuhet se u shqyrtua lista e parë e reformave, që paraqitën autoritetet greke mbi bazën e marrëveshjes ekzistuese, e cila do të konkretizohet më tej dhe do të dakordohet me institucionet më e vona deri në fund të muajit prill. Sipas komunikatës, “institucionet tona dhanë vlerësimin e tyre të parë, me të cilin konsiderojnë se lista e masave është mjaftueshmërisht e plotë. Kështu që të përbëjë një pikënisje kredibël për konkludimin e suksesshëm të inspektimit. Rrjedhimisht, ramë dakord të vazhdojmë me procedurat kombëtare, me objektiv arritjen e vendimit përfundimtar për shtyrjen deri në katër muaj të afatit të Marrëveshjes Kryesore të Asistencës Financiare të Greqisë”- (Master Financial Assistance Facility Agreement)  kumton Eurogrupi. Eurozona thekson më tej se “ftojmë autoritetet greke të zhvillojnë dhe të zgjerojnë më shumë listën e masave reformuese mbi bazën e marrëveshjes ekzistuese në koordinim të ngushtë me institucionet, me qëllim që të mundësohet konkludimi i shpejtë dhe i suksesshëm i inspektimit”. Ndëkohë mësohet se gjatë diskutime në mbledhjen e këshillit qeveritar ka pasur edhe rezerva nga anëtarë të kabinetit. Një diskutim konstruktiv, me epiqendër listën e reformave që i dërgoi qeveria partnerëve institucionalë, u zhvillua në këshillin qeveritar, sipas një burimi të qeverisë. Gjatë diskutimit u shprehën rezerva të pjesshme. Sipas burimeve të tjera, ministri i mjedisit, Panajotis Lafazanis, shprehu kundërshtime, ndërsa më parë kryeministri Aleksis Cipras dhe ministri i financave Janis Varufalqis, informuan gjithë pjesëtarët e organit qeveritar lidhur me negociatat dhe hartimin e listës. Mjaft ministra u drejtuan pyetje sqaruese zotërinjve Cipras dhe Varufaqis, ndërsa gjatë diskutimit pati një shkëmbim të gjerë pikëpamjesh lidhur me prioritetet e qeverisë ditët e ardhshme dhe punën legjislative që pason. Qeveria pret më përpara votimin e marrëveshjes nga parlamentet e vendeve anëtare të BE dhe në vazhdim do të vendosë procedurën në parlamentin grek, tha i njëjti burim.

Ndërsa drejtoresha e FMN ChristineLagarde shprehet se lista e reformave është e mjaftueshme. “Besojmë se është e mjaftueshme (lista greke e reformave), kështu që të jetë një pikënisje me kredibilitet për konkludimin e suksesshëm të revizionimit”, thekson drejtoresha e përgjithshme e Fondit Monetar Ndërkombëtar, Christine Lagarde, në një letër drejtuar presidentit të Eurogrupit, Jeroen Dijsselbloem. Shefja e FMN shkruan në letrën e vet se stafi i saj e shqyrtoi në fundjavë listën që paraqitën autoritetet greke, duke nënvizuar se “besojmë se u përgjigjet çështjeve më kryesore që duhet të përmbahen në axhendën e re të qeverisë. Në këtë sens, jemi në gjendje të themi se lista është e mjaftueshme, kështu që të përbëjë një pikënisje me kredibilitet për një konkludim të suksesshëm të inspektimit”.

Kancelarja gjermane Angela Merkel deklaron se, negociatat me Greqinë do të vazhdojnë. Merkel është në favor të zgjatjes së programit të asistencës ndaj Greqisë, por paralajmëroi se “përpjekja nuk ka mbaruar në asnjë rast”, duke folur në mbledhjen e grupit parlamentar të partisë së vet, Unioni Kristiano Demokrat (CDU), në Berlin. Qeveria greke dalëngadalë po pranon realitetin, por negociatat me Greqinë do të vazhdojnë, sillet të ketë deklaruar Angela Merkel. Por gjithsesi çeshtja e listës së reformave nuk i ka shpëtuar luftës së opozitës greke. Ka qenë i pari ish kryeministri Samaras, i cili ka shigjetuar me kritika qeverinë për listën e reformave. Ai ka kritikuar ashpër qeverinë, të cilën e akuzon se “e ka kthyer vendin më mbrapa nga sa ishte vjet në nëntor”, pas dërgimit të propozimeve për reformat. Në një deklaratë të zotit Samaras theksohet se “pasi qeveria pranoi zgjatjen e memorandumit, dhe ndërsa ka pranuar faktikisht qëndrueshmërinë e borxhit, sot, me emailin e Varufaqit, u pranua edhe emaili i Harduvelit” (shënimi ynë: i referohet një emaili të muajit dhjetor ku ministri i atëhershëm i financave Harduvelis, pranonte zbatimin e disa masave shtrënguese për 2015).  “Emaili i Varufakit iu dërgua trojkës (“institucioneve” për t’u aprovuar. Me qëllim që të finalizohet edhe inspektimi i fundit i memorandumit (që tashmë do të quhet “kontratë”). Kjo është e vërteta”, nënvizon Samaras dhe përfundon: “U takuam përfundimisht me SYRIZA-n në dalje të memorandumit: ne po dilnim, ndërsa ata po hynin me vrull”. Gjithashtu, kritikat e ashpëra ndaj qeverisë nuk kanë munguar as nga kreu i PASOK-ut, Evangelos Venizelos, duke thënë se po e kthen vendin shumë hapa mbrapa. Duke marrë shkas nga lista e reformave, por edhe zhvillimet aktuale, Venizelos shprehu keqardhjen e tij “sepse po bëjmë kaq hapa mbrapa, sepse ndërsa ishim gati që të dilnim nga memorandumi dhe në hynim në linjën preventive të kreditimit me kushte shumë komode, do të qëndrojmë për muaj të tjerë në memorandumin e vjetër dhe nga korriku e tutje përgatitemi për një memorandum 3”. Venizelos i faturon qeverisë “përthyerje dhe zbrapsje” në atë shkallë, siç thotë, “që tashmë trojka- institucionet sipas emrit të ri-, po e detyron tani qeverinë e re greke që ta shkruajë me duart e veta memorandumin”.

 

Lista Lagarde: Fillon gjyqi ndaj ish ministrit të financave

Të mërkurën pritet të fillojë gjyqi ndaj ish ministrit të financave, Jorgos Papakonstantinu, i cili do të përballet me dy vepra penale për shkak të, siç sillet, heqjes së tre emrave të personave të afërt të tij nga “Lista Lagarde”. Ish ministri i financave akuzohet për veprën penale të manipulimit të dokumentit shtetëror si dhe të veprës për tentativë abuzimi me detyrën. Sipas akuzës, Papakonstantinu”me qëllim manipuloi një dokument (shënim: Lista Lagarde), tek i cili kishte akses për shkak të postit të tij, duke i shkaktuar shtetit një dëm që e kalon shumën 150.000 euro.

SHKARKO APP