Europa e Bashkuar dhe e ndarë

Nga Sadedin Çeliku

Arkitekti i krijimit të Bashkimit Europian ishte Robert Schuman, idetë e të cilit u pasuruan më vonë nga të tjerë. Kanë kaluar kaq shumë kohë dhe ngjarjet kanë pasuar njëra-tjetrën, dhe mund të themi se vetë organizata e unionit ka mjaft probleme të pazgjidhura, që me sa duket i mungon performanca e duhur. Mjafton të analizojmë tri shtyllat kryesore të unionit si liria, siguria dhe drejtësia. Në se analizon veç e veç dalim në përfundimin se ka mjaft probleme që cenojnë ato parime të cilat nuk funksionojnë si duhet. Vonesat disa dekadëshe në zgjerimin e organizatës së unionit, kushtet dhe kriteret shpesh të tepërta e pa vend dhe selektive në zbatim, e kanë agravuar situatën e BE. Po kontinenti ynë pse ka vështirësi dhe nuk është në gjendje ta bëjë tërë Europën të bashkuar?

Në se kriteret dhe kondicionet bëhen bardhë e zi, nëse Ballkani i tremb dhe kushtet shikohen si qëllim në vetvete për ti lënë pa integruar gjykoj se është gabim i madh. Ballkani është gadishulli  ku bashkëjetojnë 20 popuj me popullsi 60 milionë banorë (pa përfshirë Turqinë që bashkë me të shkon rreth 130 milionë banorë) dhe me një sipërfaqe 550 kilometra katror. Secili ka gjuhën dhe kulturën e vet dhe ato që bashkojnë është bashkëpunimi ekonomik dhe ato që ndajnë konfliktet e vjetra nacionaliste që burojnë nga gjeopolitika dhe gjeostrategjia. Por ato dallojnë dhe nga origjina etnike, besimi fetar. Këto dallime e kanë bërë Ballkanin vatër konfliktesh burimi i të cilave është historia e shkruar keq. Nëse i referohemi hartës etnike bien në sy goxha mospërputhje. Harmonia fetare në Shqipëri ka lozur rol të rëndësishëm. Sigurisht që ky faktor ka qenë jo vetëm brenda kufijve tanë por ka rezultuar edhe përtej këtyre kufijve. Ballkani është Europë gjeografikisht dhe në se ka mbetur gadishull me probleme është dhe përgjegjësi e organizatës europiane dhe e strukturave të saj. BE nënkupton më shumë siguri, më shumë stabilitet politik dhe ekonomik, zhvillim, lëvizje të lirë, më shumë demokraci e zbatim ligji, zgjedhje të drejta e të lira, dinjitet, prosperitet, identitet, bashkëpunim ekonomik, investime me interes reciprok dhe mirëkuptim socialekonomik e politik. BE është aspirate, një ëndërr  e të gjitha vendeve ballkanike. Futja e këtyre vendeve në BE do të reduktonte e zgjidhte mjaft çështje, të cilat sot janë mjaft të mprehta dhe nesër kthehet në një situatë të pamenaxhueshme. Zgjerimi i BE nuk duhet të jetë thjesht një ide, një dëshirë, por një mundësi reale që kërkon nxitim dhe implementim të menjëhershëm. Aderojnë në BE vende që nuk janë faktor në kontinent si Luksenburgu, një shtet me popullsi 300 mijë banorë, Andorra, Letonia, Estonia, Lituania, pse jo dhe vende me probleme trafiqesh e korrupsioni si Rumania e Bullgaria e ndonjë vend tjetër. Vendet e mëdha europiane kanë përgjegjësinë e tyre për integrimin e Ballkanit sepse të gjitha shtetet e gadishullit kanë pretendime ndaj njëri-tjetrit diku janë imagjinare diku të mbështetura. Kështu Hungaria pretendon Vojvodinën; Greqia pretendime ndaj Maqedonisë, Turqisë dhe Shqipërisë, Bullgaria pretendime ndaj Maqedonisë, Serbia ndaj Rumanisë, Bosnjës e Hezegovinës, Maqedonisë dhe Kosovës; vendet balltike ndaj Rusisë dhe anasjelltas; Shqipëria ndaj Kosovës, Malit të Zi, Maqedonisë, Serbisë dhe Greqisë (vend që kufizohet vetëm me shqiptarë pra bashkëkombës) ; Kosova pretendime ndaj Serbisë, Malit të Zi dhe Maqedonisë etj. Këto probleme të cilat nuk janë të vogla i di shumë mirë organizata e Bashkimit Europian. Gjykoj se Europa e Bashkuar ka problemet e veta të ekzistencës disa prej të cilave janë : Traktati i Mastrihtit nuk u ratifikua nga të gjitha vendet anëtare të Bashkimit Europianë. Në Zonën Shengen nuk merr pjesë Britania e Madhe. Në zonën e euros nuk është pjesë Britania e Madhe dhe me pikëpyetje edhe Greqia. Problemi  i veriut të Mitrovicës ende i pazgjidhur nga BE dhe tashmë ka mbetur vatër konflikti. Konflikti i Ukrainës dhe embargo ndaj Rusisë jo frytdhënëse. Disa nga vendet e BE ende se kanë njohur realitetin Kosovar. Korrupsioni brenda vendeve të BE shqetësues nga ku spikat burgosja e dy kryeministrave rumun,kroat,dorëheqja e presidentit gjerman etj. Kriza ekonomike-financiare në vendet e unionit si Portugali, Spanjë, Itali, Greqi e gjetkë, papunësia, stanjacioni dhe mungesa e rritjes ekonomike probleme jo të vogla. Kufizimi emigracionit dhe politikat e ashpra nuk do sjellin asgjë të re. Politikat globaliste në ekonomi kanë krijuar plagë të mëdha sociale. Mbështetja financiare në Ballkan bëhet në mënyrë selektive. Problemet e luftës kundër terrorizmit ndërkombëtar jo e menaxhuar  me efektivitet. Lufta kundër ISIS-it e rrezikshme dhe pa mbështetur nga të gjitha vendet. Pabarazia sociale si dhe në zhvillimin ekonomik po bren vetë sistemin. Komunitetin europian e mundon ideja e shtetit nacional,nacionalizmat dhe mentalitetet politike të vjetruara. Banka Qendrore Europiane në kundërshtim me Gjermaninë apo ndonjë vend tjetër vendosi të blejë 1,1 triliard euro obligacione me qëllim tejkalimin e krizës ekonomike. Fitorja e pritshme e Syrizias në Greqi është një paralajmërim serioz për ato që me politikat e tyre kërkojnë të dominojnë mbi popujt më të vegjël dhe vendet më të varfra që ekspertët thonë se janë në krizë. Fitorja e ekstremit majtë siç e quajnë, duhet ta bëjë Europën më të arsyeshme e më të përgjegjshme, që si asnjë herë tjetër të marri përsipër hapjen e dyerve për zgjerimin e unionit edhe për vendet e Gadishullit Ballkanik, si dhe përgjegjësitë që burojnë nga ky zgjerim, ndryshe mund ti detyrojë disa vende të pjellin të tjera Syriza, të cilat nuk do ti bëjnë nder proçesit.

SHKARKO APP