Europë, na prit!

Ku po shkojmë me këtë minimum jetik, ai që ndihmon të papunët por edhe ata që punojnë me një rrogë minimale të mbajnë frymën gjallë?

Marion Kazazi

Ndërkohë që vendi ynë po përpiqet me çdo kusht të marrë statusin si vënd kandidat për në Bashkimin Europian,veshur plot me propagandë të stilit komunist revolucionar, ku ajo që s’ështe do të bëhet se s’bën dhe ajo që u bë, u bë si u bë; ku ajo që është e dukshme nuk është e vërtetë dhe ajo që nuk duket nuk duhet të duket në asnjë mënyre; atëherë unë, si çdo qytetar i këtij vëndi më lind një pyetje e thjeshtë:

Në ç’mënyrë do të ndihemi ne të barabartë me nje popull tjetër pjesë e BE-së?

Jo ne vlera sigurisht, por në mënyrën se si po trajtohemi nga ata që na drejtojnë.

Çfarë kemi bërë ne mirë deri tani që ta meritojmë vërtet statusin kandidat?

Do të nisemi të gjithë për në Europë bashkë me fshatrat edhe më të thella, apo ato do ti qëndrojnë në shtëpi’?

Pa dashur të kaloj tek shtresa e pasur ku futen edhe pushtetaret dhe tek ajo e mesme që është zbehur akoma më shumë, dua ta çojmë të gjithë vëmendjen tonë tek shtresa e varfër.

Çfarë kushtesh ka plotësuar politika e deritanishme për këta njerëz në mënyrë që ata të ndihen të barabartë përpara europës?

Drejtësi? Shëndetësi? Arsimim? Ndihma sociale? Minimum jetik të pranueshëm?

Për ta nuk ka drejtësi për sa kohë nuk kanë para për të mbushur xhepat e ‘maliqit’.Mjeksia akoma më keq se drejtesia, sepse përveç mjekëve me diploma fallso, ilaçeve që gjithmonë janë në mungesë, dhe ku ‘kollitja’ e vërtetë fillon që tek roja e spitalit. Pra shteti është paksa ngushtë me ‘mjeksinë falas’.

Çfarë arsimimi do ti sigurojë ai parlament  i pa arsimuar në tërësi atyre të rinjve të cilët marrin guximin mes shumë vështërsive për t’u pajisur me libra, veshje dhe me dyshimin për të vazhduar shkollën, për të emigruar, për të gjetur një punë apo të shkojnë në shkollë?

Pse sakrificat e tyre dhe të prindërve janë heroizma në kushtet ku ndodhen, në fund as nuk fitojnë të drejtën të shkollohen sepse sistemi arsimor në vendin tonë është një dështim i vazhdueshëm ,një salcë e gatuar keq që ne fillimet e saj.Ata nuk kanë para të mbushin shkollat private, edhe pse shkollat shtetërore janë bosh akoma.

Çfarë ndihme sociale i ofron kjo qeveri njerëzve që jetojnë në skamje totale, ku thesi i miellit përfitohet falas vetëm nëpër fushata zgjedhore! Edhe pse dritat duhen të paguhen qindarkë për qindarkë sepse përndryshe përfundon në të njëjtën qeli me një kriminel.

Ku po shkojmë me këtë minimum jetik, ai që ndihmon të papunët por edhe ata që punojnë me një rrogë minimale të mbajnë frymën gjallë?

Ç’është kjo shifër qesharake do të thoshte një qytetar i europës. Bëhet fjalë për vetëm 1.9 dollarë në dite për rreth 30% të popullsisë. Me këtë shifër do të talleshin edhe fqinjët tanë. Por edhe kësaj here siç ndodh rëndomë ne na fshihen shifrat. E vërteta nuk del kurrë në shesh.

Si pretendojmë të shkojmë aty ku duhet? Si do i dalim perpara ne një qytetari të Parisit, Hollandës, Suedisë..?

Jam i sigurtë se zgjidhja nuk është marrja e një statusi që po e kërkojmë ashtu si ato nuset e mbuluara në  martesat me shkuesi. Zgjidhja është realiteti ,e vërteta të ballafaqohet ashtu siç është mirë apo keq dhe të luftohet për ta bërë të ardhmen me punë dhe jo shpresë. Zgjidhja është çlirimi i çdo institucioni publik nga qëllimet personale të disa individëve, ç’rrënjosja e tyre nga skllavët e partive edhe aty ku është futur më thellë. Është dëbimi një herë e përgjithmonë i kesaj klase politike të ndrryshkur të mbetur në çerdhe akoma.

Zgjidhja është ndërgjegjësimi qytetar për të kërkuar me anë të votës dhe lëvizjes qytetare atë që i është privuar gjithmonë, liria, barazia, drejtesia dhe dija. Ne s’mund të na duan të tjerët pa filluar të punojmë të gjithë bashkë për një qëllim të vetëm, pa dashur vendin tonë më shumë se cdo ngjyrë, flamur politik apo interes.

Kështu që Europë, do duhet të na presësh edhe pak përsëri! 

SHKARKO APP