Eurostat: Hotel-restorantet në Shqipëri, më të lirat në Europë

Me çmimet e hoteleve dhe restoranteve në Shqipëri, që janë më të lirat në 37 vende të Europës, turizmi kulinar mund të kthehet në një atraksion të fortë për turistët. Këta të fundit mund të konsumojnë një vakt në restorant e të flenë në hotel, duke paguar më pak se gjysmën e shumës që do të shpenzonin në pjesën më të madhe të Europës.

Sipas të dhënave nga Eurostat, Indeksi i Çmimeve për Hotelet dhe Restorantet në Shqipëri është sa 42% e mesatares së 28 vendeve të Bashkimit Europian.

Në këtë nivel renditet edhe Maqedonia, duke qenë të dyja më lirat në Europë (përjashtuar disa vende që nuk janë pjesë e studimit të Eurostat).

Pas Shqipërisë dhe Maqedonisë, më lirë është Bullgaria, me 44% të mesatares europiane, e ndjekur nga Serbia me 50% dhe Bosnja me 57%. Më i shtrenjti në rajon rezulton Mali i ZI, me çmimet e hoteleve e restoranteve, që janë sa 60% e mesatares europiane.

Rezultatet janë bazuar në një vëzhgim çmimesh, që mbulon më shumë se 2400 mallra konsumatore dhe shërbime dhe që është bërë në 37 shtete europiane, që janë pjesë e programit të barazisë së fuqisë blerëse mes Eurostat dhe OECD. Grupi i vendeve pjesmarrëse përfshin 28 shtetet e Bashkimit Europian, tre shtete të EFTA (Islanda, Norvegjia dhe Zvicra), pesë shtete kandidate (Mali i Zi, Maqedonia, Shqipëria, Serbia, Turqia) si dhe një kandidat potencial (Bosnja dhe Herzegovina).

Në Europë, shteti që do t’jua masë kokën me pe për të konsumuar një vakt apo fjetur në hotel është Norvergjia, me 177% të mesatares së BE-së, e ndjekur nga Zvicra me 153%.

Në Itali, një destinacion mjaft i frekuentuar nga shqiptarët, ushqimet dhe fjetja kushtojnë sa 109% e mesatares europiane.

Shqipëria është më e lira edhe për shërbimet e transportit, me 34% të mesatares europiane, ndërsa pajisjet e transportit personal janë sa 79% e mesatares. Edhe komunikimi është ndër më të lirët, me 52% (më I liri është Lituania, me 49% të mesatares europiane).

SHKARKO APP