Eurostat: Shqipëria, me pagat më të ulëta në Europë
Për t’i dhënë një shpjegim eksodit të shqiptarëve në tërë këto 24 vjet drejt perëndimit, ku fluksi i largimeve sa vjen e shtohen, përveç papunësisë si shkak kryesor që përmendi pak kohë më parë INSTAT, është edhe një tregues tjetër po aq dëshpërues. Ata që punojnë në Shqipëri, të ardhurat i kanë ndër më të ulëtat në kontinent. Nga vlerësimet e fundit të bëra nga Eurostat, paga minimale në vendin tonë nuk i arrin 157 euro në muaj. Ky nivel pagese, e rendit të fundit Shqipërinë, edhe mes vendeve të Ballkanit. Sipas Eurostat, paga minimale në Maqedoni është 45 euro më e lartë se në Shqipëri, në Serbi i kalon 235 euro, dhe në Mal të Zi është gati dyfishi i pagës minimale, krahasuar me Shqipërinë. Por nuk mund të krahasohemi kurrsesi me Greqinë, ndonëse kjo është prej vitesh në krizë të thellë, apo me vende të tjera të Ballkanit si Sllovenia e Kroacia.
Të dhënat e fundit të Eurostat, vënë në dukje se rritja e pagës minimale në Shqipëri është pothuajse e padukshme. Ajo u rrit me vetëm 0.07 euro këtë vit krahasuar me vitin 2014.
Kjo vlerë të ardhurash është e pakrahasueshme me vende si Britania e madhe, Holanda apo Luksemburgu. Në këtë të fundit, të ardhurat mujore për një të punësuar janë minimalisht 1.923 euro.
Paga minimale në Shqipëri, mund të shihet me interes nga investitorët për të shfrytëzuar krahun e lirë të punës. Aktualisht, industria e prodhimit të veshjeve dhe këpucëve, ka hapur numrin më të madh të vendeve të punës, me këtë nivel pagash. Ekonomistët shqiptarë prej kohësh kërkojnë që të mos jetë paga e ulët një avantazh për të tërhequr investimet. Paga 156 euro sipas tyre, nuk përkon me çmimet për shpenzimet bazë, e rrjedhimisht nuk siguron kushtet e jetesës. Megjithëse ata i japin shpjegime teorike këtij fenomeni, praktikisht asgjë duket se nuk shkon në drejtimin e duhur në këtë vend.
Përballë mirëqenies së një shqiptari, krahasuar me atë të çdo qytetari tjetër të rajonit apo evropian, tingëllon disi ironike edhe shprehja e famshme e tifozëve Kuqezi, “O sa mirë me qenë shqiptarë!” Në ekonomi kjo shprehje do të ishte: “O sa mirë, me qenë më mirë se Maqedonia e Mali i Zi!”