Facebook bllokon faqen e politikanit, që u tall me shqiptarët

Rrjeti më i njohur social, Facebook, ka bllokuar profilin e deputetet nacional nga SVP-ja, Christoph Mörgeli, duke e cilësuar atë si një profil me “përmbajtje të papërshtatshme“.

Këtë bllokim e kane sjellë ankesat e shumë shfrytëzuesve të Facebook-ut. Vetë Mörgeli e ka konfirmuar për radion SRF se profili i tij kryesor në Facebook nuk është më i qasshëm.

Në Facebook, nga ana tjetër deklarojnë se profili i politikanit zviceran është mënjanuar nga rrjeti pasi që ai përbënte shkelje të standardeve të përbashkësisë që proklamon rrjeti social në fjalë, transmeton albinfo.ch.

Por, në këtë sqarim nuk është dhënë shkasi konkret i shlyerjes apo bllokimit të profilit.

Megjithatë, arsyeja e gjithë kësaj është e njohur nga opinioni.

Në profilin e tij, deputeti dhe politikani i njohur kishte publikuar një fotografi që tregon anijen e stërmbushur me refugjatë shqiptarë që zbarkonin në Itali në vitin 1991.

Ajo që kishte shkaktuar indinjatë te lexuesit kishte qenë mbishkrimi: “Profesionistët po vijnë”, që në mënyrë ironike u referohej refugjatëve në fjalë.

Vetë Mörgeli ka paralajmëruar mundësinë e ankesës. “Bllokimi është një shenjë katastrofike për lirinë e mendimit në Zvicër” ka thënë ai me këtë rast.

SHKARKO APP