Facebook zbulon fushatën keqinformuese të financuar nga Moska
Facebook ka zbuluar një fushatë të financuar nga Rusia për të promovuar mesazhe përçarëse në rrjetin e saj.
Sipas kompanisë, 100.000 dollarë janë përdorur për më shumë se 3.000 reklama përgjatë një periudhe 2-vjeçare që përfundoi në maj 2017.
Reklamat nuk mbështesnin asnjë figurë politike në mënyrë specifike, por trajtonin çështje si emigracioni, raca dhe të drejtat e barabarta.
Për të zbardhur detaje të mëtejshme të kësaj çështjeje, Facebook po bashkëpunon tashmë me prokurorin e posaçëm Robert Mueller, i cili po udhëheq hetimin mbi ndërhyrjen e pretenduar ruse në zgjedhjet presidenciale amerikane të vitit të kaluar.
Reklamat i drejtuan përdoruesit drejt 470 llogarive që përhapnin informacione të rreme ose shkelnin termat dhe kushtet e Facebook.
Kompania beson paraprakisht se llogaritë janë krijuar nga e ashtuquajtura Internet Research Agency, një grup me bazë në Shën Peterburg, i njohur për përhapjen e mesazheve pro-Kremlinit në mediat sociale.
Sipas shefit të sigurisë së Facebook, Alex Stamos, këto llogari tashmë janë mbyllur.
Fushata ruse u zbulua si pjesë e një hetimi të brendshëm të Facebook për mënyrat si rrjeti mund të jetë abuzuar gjatë zgjedhjeve të kaluara presidenciale.
Faqja dhe themeluesi i saj Mark Zuckerberg u kritikuan ashpër pasi nuk e morën seriozisht këtë çështje pas fitores së Presidentit Donald Trump. Zuckerberg e konsideroi si “të çmendur” lajmin e rremë se Facebook kishte ndikuar në zgjedhjet presidenciale.