Fakte të panjohura për plakun e maleve, Bajram Curri

Për momentin u befasova dhe u hutova, pasi nuk kuptova se çka fshihej në atë mbështjellëse letre të trashë. Aq foli, e iku për t’u takuar të nesërmen për t’ia kthyer pakon, siç u shpreh ai. Kur shfletova atë mbështjellëse , më doli e m’u duk si ëndërr, një pasaportë paksa e zhubravitur nga vitet (e lëshuar në vitin 1924, para 90 vjetësh), ku shkruante me një shkrim me bojë dhe kaligrafi shumë të bukur, siç shihet në foto: z. Bajram Curri, me nr .269, me 24 faqe, dygjuhësh, e me shkrimin e shtypit në faqen e parë: “N’emën të Shtetit Shqyptar, gjithë auktoritetet civile e ushtërore janë të lutun me e lanë të kalojë lirisht”. Përsëri me kaligrafi dore shumë të bukur, shkruhet: “Tiranë, më 4 / IX / 1924, i vjefshëm përnjëmot. Nënshkrimi i kryetarit të zyrës, B. Rusi, vula.

Në faqen e dytë janë gjenealitetet e mbajtësit të pasaportës 1-vjeçare për Europë, në vitin 1924. Në të shkruhet

Bajram Curri;

Emni i t’et: Shaqir

Emni i s’amës: Hava

Data e lindjes: 1866

Vendi i lindjes: Gjakova

Banimi: Tirana

Profesioni: pronar

Udhëton për: Europë

Qëllimi i udhëtimit: Për shëndetësi

Më poshtë është vula e prefekturës së Tiranës. Në faqen e tretë, shënime, janë të dhëna për shtatin, moshën, ballin, sytë, hundën, gojën, mjekrën, mustaqet dhe ngjyra, të cilat janë shkruar për 58 vjeçarin Bajram Curri. Në faqet në vijim, te faqja 4 dhe 5, udhëtojnë bashkë me mbajtësin, ka një vulë dhe firmën e B. Rusit. Në faqet 6, 7, 8, 9 ndodhen vulat dhe firmat.

Gjatë lëvizjeve nëpër Europë si Itali, Francë, etj., nga data 7. 9. 1924, deri më 14.10.1924, pra 5 javë. Nga faqja 11 deri në 24 nuk ka të shënuar asgjë. Kjo pasaportë për jashtë shtetit e njërit prej figurave më të ndritura të historisë sonë kombëtare, është një relike historike e pazëvendësueshme. Është interesant fakti që pasaporta nxirret për arsye shëndetësore, ndërkohë kur periudha shtator-dhjetor 1924 është e mbarsur me ngjarje historike dhe aktiviteti i Bajram Currit është i gjithanshëm për çështjen kombëtare, duke qenë përkrahës i qeverisë së Nolit. Pikërisht në fillim të shtatorit 1924 mori pasaportën njëvjeçare për të udhëtuar nëpër Europë për propagandimin e çështjes shqiptare, duke vajtur edhe në Francë, ku siç dihet ajo e kishte lënë në harresë. Udhëtimi i fundit në Europë i Bacë Bajramit, Garibaldit shqiptar, siç e kishte quajtur Halim Xhelua, ishte 12 tetori 1924, për t’u vendosur në Krasniqe, afër Gjakovës së tij të dashur, e për të qëndruar dimrit të ashpër, deri më 28 mars 1925, kur pushoi së rrahuri zemra e tij. E vajtojcja Xhufe Sylja prej Geghyseni e qau: “Qajo pushkë, vlla, si muer ty, muer Krasniqen shpi për shpi, Gash, Bytyç, deri në Dri, Muer Kosovën bytevi…” . Një e dhënë historike që duhej studiuar nga historianët dhe që kërkohej përgjigje nga lexuesit, ishte data e lindjes. Në të gjitha dokumentet historike për jetën e Bajram Currit, lindja e tij daton viti 1862, kurse në pasaportën e zbuluar origjinale, ai është i vitlindjes 1866.

Asnjë nga studiuesit apo Akademia e Shkencave nuk u mor me studimin e këtyre fakteve që dilnin në dritë për Heroin e Popullit, Bajram Curri.

2) Fotografia

Një tjetër fakt interesant për Bajram Currin: një foto shtrirë vetëm pak çaste pasi kishte vdekur. Akoma nuk është studiuar (për sa jemi në dijeni ), se kush është autori i fotografisë, e kush kishte aparat me vete në shpellën e Dragobisë në momentet kur Bajram Curri i dha fund jetës, por kjo foto vlen sa njëmijë fjalë dhe duhet vlerësuar si material historik dhe me vlera.

Në një intervistë të para disa vitesh, Nehat Zherka nga Gjakova, flet për gjyshin e tij fotograf dhe negativat e filmave të ruajtur, e ku Ahmet Zherka ka fiksuar në celuloid këto pamje të Bajram Currit vetëm pak çaste pas vetëvrasjes. Por ky fakt mbetet i pazbuluar.

Gjyshi i Nehatit, Ahmet Zherka, konsiderohet si një nga fotografët e parë të Kosovës që me aparatin e tij ka bërë të përjetshëm shumë personalitete, por edhe ngjarje të rëndësishme historike.  Në një nga negativat e pazhvilluar ndonjëherë, tregon për një njeri të shtrirë, që sipas Nehatit është pikërisht Bajram Curri i vrarë. Sidoqoftë u mbetet historianëve të eksplorojnë më shumë në gjenezën e Bajram Currit, “Heroit të Vegjëlisë”siç e ka cilësuar populli.

Familja Curri etnogjenezën e ka nga malësitë e veriut të Shqipërisë e që lidhet me pinjollin e saj Hysen Kurt Currit,i cili ka vepruar në Nikaj me fisin e Krasniqes që ishte veprimtar dhe njeri me ndikim të madh në krahinë e më gjerë. Për këtë arsye, ende sot në fshatin Curraj gjenden toponimet që nxjerrin në dritë prejardhjen e tij,si “Ara e Hysen Kurtit,”Shkalla e Currit”,etj. Mosbindja e familjes Curri ndaj pushtetit osman ,e detyroj Hysenin të marrë rrugën e kurbetit. Ai,pas shumë peripecish,largohet nga malësia e Nikajve dhe vendoset në Gjakovë,ku gjeti dhe përkrahjen e gjakovarëve. Kështu,me ndihmën e tyre e ngritën kullën rrëzë Çabratit që u bë kala , duke mos u përkulur para armiqve që në atë kohë ishin të shumtë, si Perandoria Osmane,Serbia dhe Mali i Zi.

 

 

SHKARKO APP