Faktorët që sjellin alergji të lëkurës

Alergjitë në këtë stinë janë të shumta dhe të ndryshme. Faktorët që ndikojnë më shumë dhe që duhet të bëni kujdes janë nikeli, lateksi – llastiku, bojërat, parfumet, disa lule dhe ruajtësit e ndryshëm të hedhura në ushqime. Këtë e konfirmon edhe Doktoresha Alergologe, Valbona Denizi në një intervistë për www.tvklan.al. Denizi thekson se
 
Irritues janë edhe detergjentët, sapunët, pastruesit e duarve, veshjet sintetike, acidet etj. Sipas mjekes specialiste, Dermatiti i Kontaktit ndodh kur kapaciteti mbrojtës i lëkurës nuk është në gjendje të mbajë integritetin dhe funksionin normal të lëkurës ose kur penetrimi i i lëndeve kimike indukton një përgjigje inflamatore.
 
Testi që përdoret për të gjetur shkaktarin e alergjisë quhet Patch test.  Një patch test pozitiv paraqet eriteme dhe papul në vendin e vendosjes së alergenit, në disa raste vihen re dhe vezikula.
 
Çfarë është dermatiti i kontaktit (DK) dhe si ndahen?
 
Dermatiti i kontaktit është një term mjekësor i përdorur për reaksionet akute ose kronike inflamatore të shkaktuara nga lëndë të ndryshme irritative dhe sensibilizuese të cilat bien në kontakt me lëkurën. Ndahet në: -Dermatit irritativ të kontaktit (DIK), që shkaktohet nga nje irritues kimik dhe -Dermatit alergjik të kontaktit (DAK), që shkaktohet nga një antigen që nxit një reaksion hipersensibiliteti tip IV (reaksion i vonuar). Dermatiti irritativ ndahet në: dermatit irritativ akut i kontaktit dhe dermatit irritativ kronik i kontaktit. Dermatiti irritativ i kontaktit shkaktohet nga ekspozimi i lëkurës ndaj agjenteve kimike ose fizike që janë të aftë të irritojnë lëkurën në mënyrë akute ose kronike.
 
Cilët janë irrituesit më të shpeshtë të lëkurës?
 
Irrituesit më të shpeshtë janë: detergjentët, sapunët, pastruesit e duarve
 
-Acidet dhe bazat
 
-Veshjet sintetike, veshjet kundra zjarrit etj.
 
Agjentët fizike dhe kimike mund të jenë irritues duke shkaktuar dëmtim qelizor nëse veprojnë për një kohë të gjatë e në përqendrime të caktuara. Dermatiti i Kontaktit ndodh kur kapaciteti mbrojtës i lëkurës nuk është në gjendje të mbajë integritetin dhe funksionin normal të lëkurës ose kur penetrimi i i lëndeve kimike indukton një përgjigje inflamatore. Reaksioni fillestar zakonisht kufizohet në vendin e kontaktit me lëndën irrituese.
 
Çfarë masash parandaluese duhet të marrim për të shmangur irrituesit?
 
Masat parandaluese janë: – veshje mbrojtëse për të shmangur irrituesit
 
-nëse kontakti ndodh, të shpëlahet me ujë
 
-përdorimi i kremerave barriere
 
-në dermatitin persistent, megjithë masat e marra, duhet ndërrimi i  punës.
 
Dermatiti alergjik i kontaktit është problem i shpeshtë i lëkurës. Si shfaqet ai?
 
DAK është një nga problemet e shpeshta të lëkurës. DAK është një dermatit ekzematoz që shfaqet si pasojë e riekspozimit ndaj një substance me të cilën individi është sensibilizuar më parë. Acidet, lëndët alkaline, tretësit, sapunët e detergjentët nuk shkaktojnë DAK, ato shkaktojnë DK, janë irritues të lëkurës, por jo alergenë. Ndodh që disa lëndë të jenë njëkohësisht dhe alergene dhe irritues.
 
Si e ka pamjen lëkura në rastin e dermatitit alergjik të kontaktit?
 
Lëkura është e skuqur, edematoze, me vezikula të vogla. Vezikulat çahen duke u tharë e formuar kore më pas. Më vonë ngjyra e lëkurës errësohet dhe lëkura ashpërsohet.
 
Shkaktarët:
 
Lëndet me të cilat ka patur kontakt pacienti në punë a shtëpi vlerësohen. Ndodh që vetëm nga vendi i vendosjes së eritemës e elementeve shoqërues të përcaktohen shkaktarët. Disa nga alergenët më të shpeshtë janë: nikeli, lateksi – llastiku, bojërat, parfumet, disa lule dhe ruajtësit e ndryshëm të hedhura në ushqime.
 
Dermatiti nga nikeli
 
Nikeli është një alergen i shpeshtë në praktikën klinike. Bizhu të ndryshme kanë sasi të mjaftueshme nikeli për të dhënë reaksion alergjik (në veshë, në gishta, duar, qafë). Edhe gjilpërat e shpimit mund të japin DAK në vesh. Pas shpimit për të paktën 3 javë duhen përdorur vethë pa nikel. Kopsat metalike, rripat e mesit japin DAK në vendin e kontaktit. Tek individët e ndjeshëm ndaj nikelit djersa e përkeqëson reaksionin. 15 minuta pas kontaktit të lëkurës së djersitur me një send prej nikeli fillon pruriti i lëkurës, vezikulat dalin brenda 48 orësh. Pacientet me alergji nga nikeli i nënshtrohen imunoterapisë.
 
Latexi – llastiku
 
Shpesh prodhimet e llastikut shkaktojnë alergji, si dhe lëndet kimike që i shtohen atij. Sidomos Latex shkakton një reaksion të menjëhershëm me prurit dhe djegie të lëkurës. Rrallë ndodh dhe marrje fryme, bllokim hundësh e lotim sysh. Kjo ndodh shpesh te personeli mjekësor që përdor doreza latex. Edhe dorezat prej llastiku japin DAK. Ato pa pudër janë më pak alergjike. Llastiku i përdorur te këpucët shkakton alergji. Personat me alergji nga llastiku duhet të përdorin doreza me shtresë të brendshme pambuku, doreza hipoalergjike.
 
Bojërat e flokëve
 
Disa persona të ndjeshëm ndaj parafenilendiaminës (PPD) shfaqin reaksione alergjike gjatë lyerjes së flokëve me bojë. Më i fuqishëm reaksioni është tek ata që lyejnë flokët me ngjyrë të zezë. Kjo është një lëndë brenda bojërave të qendrueshme të flokëve. Disa rroba në bojërat e tyre përmbajnë PPD. Këta persona nuk duhet të veshin rroba të zeza të përbëra nga lëndë sintetike apo najloni. Në disa raste personat me ndjeshmëri ndaj PPD janë të ndjeshëm dhe ndaj anestetikut lokal benzokain. (Kujdes).
 
Neomicina
 
Neomicina është një antibiotik që gjendet në brendësi të shumë kremrave, pomadave etj dhe njihet për reaksionet alergjike në lëkurë.
 
Prodhimet kozmetike të lëkurës
 
Parfumet, kremrat e ndryshëm mund të shkaktojnë reaksione alergjike.  Për të gjetur elementin shkaktarë të alergjisë, duhen testuar përbërësit e kremrave, pra duhet bërë “patch test”.
 
Kromatet
 
Janë materiale që përmbajnë krom dhe që shpesh bëhen shkak për DAK. Ato gjenden në material, si çimento, lëkura, shkrepse, bojëra dhe lëndë kundra ndryshkjes. Kontakti me këto lëndë nga punëtorët e ndërtimit iu shkakton dermatit. Këto lëndë gjenden dhe tek këpucët apo veshjet e lëkurës. Dermatitet e këmbës shpesh shkaktohen nga produktet e lëkurës (këpucët) që përmbajnë  kromate.
 
Epidemiologjia
 
DAK është një dermatozë e shpeshtë. Nuk është i zakonshëm në fëmijërinë e hershme dhe në individë mbi 70 vjeç. DAK është një shkak i zakonshëm i paaftësisë për punë në industri.
 
Patogjeneza: DAK është reaksion i hipersensibilitetit qelizor të vonuar, tip IV. Ekspozimi ndaj një sensibilizuesi të fortë mund të çojë në sensibilizim të shpejtë. Ekspozimi ndaj një alergeni të dobët mund të kërkojë muaj për sensibilizim. Antigeni kapet nga qelizat Langerhans në epiderme, të cilat e përpunojnë dhe e migrojnë drejt limfonodujve. Anigeni i përpunuar i shoqeruar me molekulat MHC të klasës II-të, i paraqitet qelizave T. Qelizat T të sensibilizuara hyjnë në qarkullimin e gjakut, popullojnë lëkurën dhe pasi janë paraqitur nga qelizat e Langerhansit me të njëjtin antigen specifik, prodhojnë dhe nxisin çlirimin nga qelizat e tjera të citokinave të ndryshme. Lëkura kështu bëhet hypersensitive ndaj alergenit të kontaktit dhe në këto kushte do të reagojë sa herë që alergeni shfaqet në kontakt.
 
Çfarë shenjash klinike shfaq DAK?
 
Shenjat klinike, eriteme, papul, vezikul, prurit, shfaqen 48 orë apo më shumë pas kontaktit me alergenin. Ekspozimet e përsëritura çojnë në një reaksion më të fuqishëm, erupsioni përkeqësohet. Zakonisht lokalizimi i erupsionit është i kufizuar te vendi i kontaktit, më vonë lezionet mund të perhapen.
 
Në një rast të tillë çfarë ndien pacienti?
 
Pacienti ndien:
 
-prurit
 
-shpime
 
-djegie
 
-dhimbje
 
Lezionet kutane varen nga graviteti, lokalizimi dhe kohëzgjatja.
 
AKUT – eriteme e kufizuar mirë dhe edeme ku ka dhe vezikula të mbivendosura, papula. Në reaksionet e rënda vihen re dhe bula, erozione konfluenet eksudative dhe krusta.
 
SUBAKUT – pllaka me eriteme të lehte, me skuama, të thata, nganjëherë të shoqëruara me papula të vogla të kuqe me majë ose të rrumbullaketa, me konsistencë të fortë.
 
KRONIK – pllaka të likenifikuara, skuama me papula satelite, të vogla, të forta, të rrumbullaketa ose te sheshta, eskoracione, eriteme dhe pigmentim.
 
Sa zgjat kjo situatë, pra kur mund të sherohet?
 
Kohëzgjatja është e ndryshme, në disa individë sherohet brenda 1- 2 javësh. Nëse kontakti me alergenin vazhdon, gjendja përkeqësohet. Në DAK buzët e lezionit janë të kufizuara qartë, por ai përhapet në periferi përtej kufijve të lokalizimit aktual të ekspozimit. Nëse ka ndodhur sensibilizim i fortë, ndodh përhapja në pjesët e tjera të trupit dhe gjeneralizimi.
 
Si përcaktohet diagnoza dhe cili është testi që përdoret për të gjetur shkaktarin e alergjisë?
 
Diagnoza – vihet me anamnezë, me të dhënat klinike duke përfshirë vlerësimin e lokalizimit dhe përhapjes së lezioneve që na orientojnë për diagnozën. Me vlera është histopatologjia dhe një rëndësi shumë të madhe ka identifikimi i shkaktarit alergjik që bëhet me PATCH TEST (alergeni i aluduar apo një bateri me disa alergene vendosen në lëkurën e kurrizit dhe leximi bëhet pas 48 -72 orë më pas). Një patch test pozitiv paraqet eriteme dhe papul në vendin e vendosjes së alergenit, në disa raste vihen re dhe vezikula.
 
Diagnoza diferenciale bëhet me; DIK, DA (dermatitin atopik), dermatitin seborreik, psoriazis etj,.
 
Çfarë mjekimi përdoret për alergjinë e lëkurës apo format e ndryshme të saj?
 
Në alergjinë e lëkurës, si në të gjitha format e alergjisë gjetja dhe eliminimi i kontaktit me alergenin shkaktar është mjekimi më i mirë.
 
-Evidentimi dhe evitimi i alergenit shkaktarë është një masë shumë e rëndësishme. Mbrojtja ndaj tij kur është i pamundur eliminimi i kontaktit.
 
-mjekimi lokal -glukokortikoid pomade, lyerje lokalisht. Janë efikas dhe imunomodulatoret, takrolimus dhe pimekrolimus.
 
-mjekim sistemik – anti histaminike të gjeneratave të ndryshme dhe në raste të rënda glukokortikoide sistemike për afro 2 javë (orale apo injektabël), duke respektuar skemat e përdorimit dhe të ndërprerjes së kortizonikut.
 
Intervistoi: Vilma Kërçiku TV Klan

SHKARKO APP