Faleminderit për këtë çast!

Nga Entela Binjaku

Në kërkimin sociologjik historitë e jetës kanë një vlerë shumë të rëndësishme, sepse ato ofrojnë mundësinë e mbledhjes së biografive të personave çfarëdo lidhur me shoqërinë ku jetojnë apo ku kanë jetuar. Historitë e jetës reflektojnë shoqërinë prej së cilës kanë ardhur. Kur kërkuesi mbledh biografi apo autobiografi, tashmë të shkruara, për t´i studiuar, këto quhen histori të jetës të dokumentuara. Të tilla janë shumë biografi apo autobiografi të njerëzve nga fusha të ndryshme të aktivitetit, pjestarë të kulturave të ndryshme që janë bërë pjesë e njohjes së shqiptarëve, falë botimeve në gjuhën shqipe. Pak javë më parë shtëpia botuese “Morava” në kryeqytet solli falë punës së përkthyeses Marjeta Thomaj botimin me titull: “Faleminderit për këtë çast”, autobiografinë e ish-gruas së parë të Francës znj. Valeri Triervëler. Ky libër është shkruar në korrikun e vitit të kaluar, disa muaj pasi për Valerinë kishin dalë mbi 20 botime nga autorë të ndryshëm, artikuj të panumërt në revista e gazeta që kishin folur për të, duke krijuar një figurë siç Valeri pohon: “i ngjante asaj gjithmonë e më pak”. Ky libër u përgatit në kushte të posaçme të fshehtësisë deri sa njohu dritën e botimit pasi mund të ndikonte mjaft në reputacionin e vet të figurës s ë presidentit francez, i cili siç autorja pohon “ishte mjaft i interesuar që ajo të mos shkruante”.  Libri nis me tronditjen që përjetoi Valeri kur mësoi se media do të publikonte përmes fotove lidhjen e presidentit francez me aktoren Zhyli Gaje. Fotot e presidentit Holondë me kaskë në kokë ndërsa dilte nga apartamenti i aktores, bënë xhiron e botës. Valeri e gjendur në mes të një stuhie mediatike kuptoi se ishte tronditur i gjithë raporti i tyre, i cili nuk gjeti më asnjë pikë të takimit. Ndërsa mësoi se lidhja e Holondit me aktoren franceze kishte gati një vit që kishte nisur ajo pohon se “pushteti e gërreu si acid dashurinë e tyre”.  E nxitur nga ndershmëria profesionale e gazetares, e gjendur nën presionin e shkrimeve që e kishin tjetërsuar mjaft figurën e saj, në respekt të lëndimit që kishte përjetuar me largimin nga “Elizeja”, Valeri mposhti heshtjen, theu kufijtë e mbylljes brenda historisë së saj dhe i dhuroi popullit francez por dhe të gjithë lexuesve të saj, historinë siç ajo e kishte jetuar dhe të vërtetat e saj siç kishin ndodhur. “Faleminderit për këtë çast” tronditi mjaft politikën franceze dhe u shit me shpejtësi të madhe; Vetëm në 3 ditë arriti të shiste mbi 300.000 mijë kopje. P ërmes kujtimeve t ë Valeris ë, libri hedh dritë mbi shumë aspekte të figurës së presidentit francez që nga ato të aksioneve politike deri tek ato të jetës familjare.  Valeri Triervëler qëndroi pranë presidentit francez Holondë thuajse 20 vjet, nga të cilat në 9 vitet e fundit si gruaja e tij. Ky libër rrjedh qartë duke u shtrirë në kohë dhe në të dhëna që nga koha kur ajo nisi si gazetare pranë partisë socialiste në Francë.

E dërguar nga revista “Paris-Match” për të cilën punonte, Valeri ndërsa njihej me aktivitetin partiak të z.Holondë, me betejat dhe ambiciet e tij politike, flet njëkohësisht edhe për jetën e saj private si një bashkëshorte dhe si nënë e tre fëmijëve. Rrëfimet e njëkohshme të ngjarjeve nga politika franceze, të aktorëve që dalin e përfshihen në të, si dhe rrëfimet nga jeta e saj private ku dashuria për familjen, origjinën, divorci me bashkëshortin, kujdesi për fëmijët e plotësojnë më mirë të gjithë portretin e kësaj gruaje, jeta e së cilës “ndryshoi brenda një nate”.   “Do të vijë koha kur do të hapen letrat”, nis Valeri rrëfimin duke cituar shkrimtarin dhe njeriun e mediave Filip Labro, fjalë që ai ja kishte thënë menjëherë pas zgjedhjes se Holondit president në 6 majin e vitit 2012. Libri është interesant jo vetëm sepse të krijon mundësinë e njohjes me figurën e gazetares, të presidentit aktual, të personazheve të tjerë që përmenden në të, të klimës politike por edhe sepse falë tij mëson sesi ndryshon jeta e një njeriu. Vajza modeste e periferisë, u bë pjesë e pallatit “Elize” ku nuk u ndje asnjëherë e mirëpritur dhe ku pas 18 muaj të qëndrimit në të u gjend e vetme, e pakuptuar dhe e përbaltur. “Shpesh më dukej vetja si në reportazh” thotë ajo ndërsa përshkruan nevojën për të shkruar të vërtetën sado çmenduri të dukej. Një rrëfim i kësaj natyre i shërben mjaft njohjes së lexuesit me kulisat e pushtetit, presionin e publikut mbi nj ë njeri të vetëm, lidhjet e politikës me median, kompleksiteti i marrëdhënieve familjare, nevoja për të qenë i kuptuar dhe i mirëpritur, dobësitë e njerëzve të pushtetshëm, ftohtësia në raportet ndërpersonale, solidariteti mes kolegësh, të trajtuarit e njeriut “si dosje”. “Faleminderit për këtë çast” është një rrëfim sa kurajoz, aq dhe mbresëlënës, duke treguar se njerëzorja dhe pandjeshmëria qëndrojnë aq pranë sa mund të “shkatërrojnë brenda natës” atë që kishte “kërkuar” vite të tëra jete. 

SHKARKO APP