Falja e borxheve ndaj shtetit/ Tatimet: Ja si të përfitoni nga ligji
Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve ka publikuar një material informues ku sqaron qytetarët dhe bizneset se si të përfitojnë nga ligji i faljes së borxheve.
Sipas Tatimeve përfitues nga ky ligj janë tatimpaguesit e regjistruar në regjistrin aktiv dhe atë pasiv ,me përjashtim të atyre që janë dënuar me vendim gjyqësor të formës së prerë për vepra penale në fushën tatimore dhe/ose doganore, në kuptim të legjislacionit të fushës.
Procedurat do të detajohen në një udhëzim të Ministrit të Financave, i cili pritet të miratohet shumë shpejt.
“Njëkohësisht, Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve, ka përgatitur një plan veprimi për zbatim nga të gjitha strukturat e saj të përfshira në këtë proces,” thuhet në njoftimin e Tatimeve. Sipas administratës tatimore nga korrespondenca dhe komunikimi i deritanishëm, rezulton se interesi i tatimpaguesve për të përfituar nga lehtësitë e këtij ligji është i lartë, ndaj dhe gjejmë rastin të kujtojmë se:
Çfarë duhet të paguhet
Një pjesë e detyrimeve që falen nga ky ligj janë të kushtëzuara me pagesën nga ana e biznesit apo qytetarit të principalit.
“Për të gjithë tatimpaguesit që përfshihen nga fusha e zbatimit të këtij ligji, me kushtin që gjobat dhe kamatëvonesat e të cilëve, fshihen pas pagesës së detyrimeve tatimore dhe detyrimeve të kontributeve të sigurimeve shoqërore e shëndetësore, e drejta e pagesës së këtyre detyrimeve (principalit) ju lind nga data 8 Maj 2017,”- informojnë tatimet
Administrata u ka bërë thirrje tatimpaguesve që të shlyejnë detyrimet e pjeshme si një kusht paraprak për të përfituar nga ligji.
“Me paraqitjen e pagesave të detyrimeve të prapambetura, në mënyrë të menjëhershme, sipas kërkesës së tyre, tatimpaguesve do t’u jepet konfirmimi sipas të cilit ata nuk kanë më detyrime kundrejt administratës tatimore,”- thuhet në njoftim.
Detyrimet që falen pa kusht
Sipas ligjit të miratuar nga Parlamenti janë një sërë borxhesh, të cilat falen pa kusht. Në këtë grup bëjnë pjesë:
-Detyrimet tatimore të papaguara, që i përkasin periudhave tatimore Dhjetor 2010 e më parë, përveç kontributit të sigurimeve shoqërore e shëndetësore, si dhe rasteve kur parashikohet ndryshe në ligj.
-Gjobat dhe kamatëvonesat për sigurimet shoqërore e shëndetësore, që rezultojnë të regjistruara në llogarinë e subjektit.
Detyrimet që falen me kusht
Sipas ligjit falen me kusht gjobat dhe kamatëvonesat, që rezultojnë të papaguara në datën e hyrjes në fuqi të këtij ligji, me kushtin që, brenda datës 31.12.2017, të paguhen të plota:
-Detyrimet tatimore, që u përkasin periudhave tatimore janar 2011-Dhjetor 2014, duke u aplikuar sipas llojit të tatimit;
-Kontributet e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore, që u përkasin periudhave tatimore Janar 2011-Dhjetor 2014;
-Taksat të papaguara, që u përkasin periudhave tatimore Janar 2011-Dhjetor 2014.
Detyrimet tatimore të papaguara me përjashtim të kontributeve të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore, si dhe të detyrimeve të vetdeklaruara dhe të papaguara të shoqërive me kapital 100 për qind shtetëror,që operojnë në sektorin elektroenergjetik , që i përkasin periudhave tatimore nga 1.1.2011 deri më 31.12.2013.
Për detyrimet e këtyre shoqërive për periudhën Janar deri në Dhjetor 2014, fshihen/shuhen gjobat dhe kamatëvonesat që rezultojnë të papaguara në datën e hyrjes në fuqi të këtij ligji, me kushtin që brenda datës 31.12.2017 të paguhet i plotë detyrimi fillestar;
-Detyrimet tatimore të papaguara, me përjashtim të kontributeve të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore, të shoqërive që operojnë në sektorin ujësjellës-kanalizime dhe janë 100 për qind me kapital shtetëror, që u përkasin periudhave tatimore nga 1.1.2011 deri më 31.12 2013.
-Gjobat dhe kamatvonesat për kontributet e sigurimeve për këto periudha fshihen, me kusht që brenda datës 31.12.2017 të paguhet i plotë kontributi. /SYRI.net/