Fantazmat që e përndjekin marrëveshjen me Iranin

 

Nga Kai Bird, The New York Times

Marrëveshja me Iranin ka gjasa të arrihet dhe kjo është një gjë e mirë. Republika Islamike e kërkon me ngulm heqjen dorë nga gara e saj për bombën në këmbim të përfundimit të sanksioneve ekonomike. Sigurisht ka paqartësi të mëdha, por alternativa mund të ishte një përshkallëzim ushtarak që nuk do të ishte në interesin e askujt. Për herë të parë në 36 vitet e fundit marrëveshja i hap gjithashtu dyert mundësisë së një ripërqasjeje më të madhe strategjike ndërmjet Amerikës dhe komunitetit shiite islamik, duke përfshirë jo vetëm Iranin por edhe Hezbollahun e Libanit. Tekefundit, ne tani kemi një armik të përbashkët: të ashtuquajturin Shtet Islamik.

Dhe, pavarësisht se askush nuk e përmend, Irani ka nevojë të paktën për 100 miliardë dollarë investime të huaja për të modernizuar fushat e tij të naftës, dhe kompanitë amerikane janë të gatshme të garojnë për një kontratë të tillë pasi të lehtësohen sanksionet.

Por ka një problem: Thuajse janë harruar dy vendime të marra nga Gjykatat Federale amerikane. Çështjet Dammarell kundër Republikës Islamike të Iranit (2003) dhe Peterson kundër Republikës Islamike të Iranit (2007), që e ngarkojnë Iranin me përgjegjësinë e sulmit me kamionë-bombë ndaj Ambasadës amerikane në Bejrut në prill 1983, si dhe një sulm të ngjashëm ndaj kampit të marinsave amerikanë në tetor të atij viti. Shtatëmbëdhjetë amerikanë u vranë në sulmin ndaj ambasadës – përfshi tetë oficerë të CIA – si dhe 32 të punësuar libanezë. 241 njerëz që shërbenin për amerikanët u vranë në sulmin me bomba ndaj kampit të marinsave. Të dyja çështjet civile dhe një tjetër rast i punonjësve libanezë e ngarkojnë Iranin që të japë një dëmshpërblim prej shumë miliona dollarësh. Qeveria e Iranit që nuk ka dhënë asnjë përgjigje dhe as është mbrojtur në gjykim, duhet të dëmshpërblejë familjet e viktimave apo të dëmtuarve.

Këto vendime që nuk janë zbatuar ende janë një pengesë e madhe për çdo zgjidhje diplomatike në mes të marrëdhënieve të vështira mes Uashingtonit dhe Teheranit.

Është e vështirë të imagjinosh ndonjë skenar, ku iranianët ta pranojnë përgjegjësinë për një sulm kamionësh me bomba që ka ndodhur rreth tri dekada më parë. Dhe gjithashtu është e paimagjinueshme që administrata Obama t’i injorojë vendimet e Gjykatave Federale që kanë të bëjnë me shumë civilë amerikanë, punonjës dhe agjentë të inteligjencës.

Pasi embargoja ndaj Iranit të lehtësohet, avokatët që përfaqësojnë paditësit do të kërkojnë që vendimi të ekzekutohet dhe kjo do të ndikojë te çdo korporatë amerikane që do të bëjë biznese me Iranin.

Nuk ka asnjë dyshim për përgjegjësinë e Iranit. Një prej atyre që vdiqën gjatë bombardimit në ambasadën e Bejrutit ishte Robert Ames, eksperti më i mirë i CIA-s për Lindjen e Mesme. Ames ishte legjendar te CIA pasi kishte penetruar në Organizatën Palestineze të Jaser Arafatit dhe kishte lidhur një miqësi të thellë me shefin e Inteligjencës së Arafatit, Ali Hassan Salameh. Një oficer i fshehtë sezonal, Ames takohej rregullisht me presidentin Ronald Regan në Shtëpinë e Bardhë. Pas bombardimit të ambasadës, presidenti Regan shkruante në ditarin e tij: “Ne humbëm (emri i fshirë) njeriun tonë kryesor të kërkimeve në Lindjen e Mesme”. Pas gjashtë muajsh, pas një tjetër kamioni me bombë në kampin e marinsave, Regani shkruante: “Ne të gjithë besojmë se këtë bombardim e kanë bërë iranianët, ashtu sikurse bënë me ambasadën tonë në prill”.

Uashingtoni kishte dyshimet e tij, por asnjë provë të fortë se sulmet i bëri Irani. Por tani ne kemi emrat e oficerëve të Gradës Revolucionare të Iranit që janë përgjegjës për vdekjet. Njëri prej tyre është Ali Reza Asgari, një oficer i inteligjencës, i stacionuar në Balbek të Libanit gjatë viteve ’80. Asagri më vonë shërbeu si zv.ministër i Mbrojtjes. Por sipas raportimeve të shumta të mediave, Asagri në 2007 mbërriti në Shtetet e Bashkuara duke marrë me vete një laptop plot me informacione lidhur me programin e armëve bërthamore të Iranit dhe shumë informacione lidhur me trajnimin e inteligjencës së Hezbollahut në vitet ’80 dhe ‘90.

Askush në Uashingtonin zyrtar nuk mund të flasë për Asagarin. Ai është një sekret zyrtar. Ne dimë se Asagari ka qenë në Holandë në pranverë të 2013-s. Ai dha dëshminë në Gjykatën Speciale të Kombeve të Bashkuara që po heton vrasjen në 2005 të kryeministrit Rafik Hariri. Natyrisht,  nëse Asagari shkoi në Holandë, kjo nuk mund të ndodhte nëse nuk e merrte në mbrojtje ndonjë shërbim inteligjence perëndimor.

Megjithatë, si një çështje e pastër e drejtësisë, viktimat e bombardimeve të Bejrutit nuk mund të harrohen. Ne mundet vetëm të shpresojmë që diplomatët të gjejnë një zgjidhje të arsyeshme për një problem që në dukje duket i pazgjidhshëm. Kjo është puna e diplomatëve.

SHKARKO APP