Farmacistët, UFSH: Kuotizacionet të paguhen deri në fund të vitit

Të gjithë farmacistët, ndihmësfarmacistët dhe drejtuesit teknikë të Agjencive Farmaceutike duhet të paguajnë kuotizacionet apo tarifën e anëtarësisë pranë Urdhrit të Farmacistëve të Shqipërisë deri në datën 31 dhjetor të këtij viti”. Përmes një njoftimi, UFSH u kujton të gjithë këtyre profesionistëve të shëndetësisë, detyrimin për të shlyer këtë tarifë në afatin e përcaktuar, në zbatim të ligjit “Për Urdhrin e Farmacisteve”.

Po ashtu, UFSH bën me dije se brenda të njëjtit afat duhet të bëhen pagesat edhe për detyrimet e prapambetura, për të gjithë ata që nuk i kanë likuiduar. Rreth 2 vite më parë, Këshilli Kombëtar bëri disa ndryshime në statutin e Urdhrit, dokumentin që ka për qëllim rregullimin e gjithë veprimtarisë së tij. Ndryshimet prekën 5 nene, ndërkohë që një nga pikat që u prek lidhej pikërisht me shlyerjen e kuotizacionit, që është një pagesë e detyrueshme për të gjithë anëtarët e Urdhrit. Kështu, sipas vendimit të ri, afati i fundit i kësaj pagese është muaji mars i vitit pasardhës, ndërkohë që sipas statutit të mëparshëm, ky afat ishte 6-mujor. Po ashtu, më herët nëse kjo pagesë nuk kryhej brenda afateve të përcaktuara, shoqërohej me paralajmërim për përjashtim nga Urdhri.

Ndërkohë që, sipas statutit të ri, mospagimi i detyrimit të kuotizacionit përbën shkelje, me pasojë pezullimin e menjëhershëm të lejes së ushtrimit të profesionit deri në pagimin e plotë të detyrimit. “Shlyerja e kuotizacionit është e detyrueshme dhe kushtëzon anëtarësinë në Urdhër. Detyrimi për pagesën e kuotizacionit është detyrim mujor dhe duhet të paguhet brenda vitit kalendarik. Afati i fundit i pagesës së kuotizacionit është muaji mars i vitit pasardhës. Mospagimi i detyrimit të kuotizacionit përbën shkelje, me pasojë pezullimin e menjëhershëm të lejes së ushtrimit të profesionit deri në pagimin e plotë të detyrimit”, thuhet në statutin e ri. Sa i takon vlerës së kuotizacionit, ajo nuk pësoi ndryshim, duke mbetur 500 lekë në muaj për farmacistët dhe 1 000 lekë në muaj për drejtuesit teknikë të farmacive.

Prej korrikut, deri në dhjetor të vitit 2015 Urdhri i Farmacistëve të Shqipërisë vazhdoi procesin e ricertifikimit për ata farmacistë, të cilët kanë aplikuar më vonë. Kjo pasi, 2015-a ishte një vit që përkoi me mbylljen e ciklit të parë të edukimit në vazhdim dhe me dhënien e licencave të reja. Në total numri i farmacistëve, të cilët kanë kaluar me sukses procesin e ricertifikimit dhe që janë aktivë arrin në 2200 farmacistë, nga të cilët 1145 farmacistë në rajonin e Tiranës dhe 1055 farmacistë në rajonet e tjera të vendit.
/GSh

SHKARKO APP