Faturat dhe kamatat, OSHEE arkëton 50 miliardë lekë në 10 muaj

Mbledhja e detyrimeve të prapambetura për energjinë elektrike dhe pagesat për faturat korrente kanë sjellë në arkën e Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike 50,6 miliardë lekë, ose rreth 2 miliardë lekë më shumë se plani paraprak. Sipas të dhënave zyrtare nga OSHEE, treguesit e 10-mujorit të aktivitetit të Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike konfirmojnë ecurinë pozitive, duke shprehur rritjen e nivelit të arkëtimeve totale. Ecuri pozitive vazhdon të ketë edhe treguesi i nivelit të arkëtimit të faturave korrente, që për këtë vit ka arritur në 47,4 miliardë lekë, 1,4 miliardë më shume se e njëjta periudhë e vitit 2015.

Arkëtimet
Ecuria e arkëtimit për faturat e vitit 2016, e raportuar në Enti Rregullator i Energjisë, ka arritur në 40,1 miliardë lekë. Arkëtimi për faturat e 2007-2015 ka arritur vlerën 9.2 miliardë lekë, duke përshirë vlerën e paguar në AKM dhe arkëtimin e viteve pararendëse, pa përfshirë kamatëvonesat. Sipas të dhënave, mësohet se arkëtimi në përqindje i faturave të 10-mujorit për vitin 2016 arrin në 86.2%. Gjatë 10-mujorit të vitit 2016 janë faturuar rreth 2.6 miliardë lekë më tepër se e njëjta periudhë e vitit të kaluar, e cila reflektohet edhe në arkëtime të faturave të vitit, të cilat janë rreth 379 milionë lekë (2016/ 40,1 mld dhe 2015/39,7 miliardë). Ndërkohë, matja e performancës së arkëtimeve lidhet me arkëtimet totale, të cilat arrijnë në 49.2 miliardë lekë dhe faturimin 51.3 miliardë lekë, të cilat shprehen një realizim total për 10-mujorin 95.88%.

Sektorët problematikë
Ujësjellës-Kanalizimet dhe ndriçimi publik janë sektorët që nuk paguajnë në rregull faturat e energjisë. Këta dy sektorë zënë rreth 12% të mosarkëtimeve për Sistemin e Shpërndarjes së Energjisë.

Humbjet në rrjet
Reduktimi i humbjeve është përkthyer në kursim të miliona eurove nga OSHEE. Kompania ka shpenzuar shumë më pak për importin e energjisë, me synim mbulimin e humbjeve. Nëse në vitin 2013 shpenzoheshin për 10 muaj ishin 116.2 milionë euro, për të njëjtën periudhë të këtij viti janë shpenzuar vetëm 47 milionë euro. Ndërkohë, aktmarrëveshje (AKM) të lidhura deri më tani janë rreth 448 mijë, nga të cilat: 426 mijë AKM janë të lidhura me abonentë familjarë, 220 mijë abonentë që kanë paguar, kanë përfituar 70-80% reduktim kamate, 66 mijë AKM janë lidhur me abonentë të kategorive: ndihmë ekonomike, pensionistë, invalidë.
/GSh

SHKARKO APP