Fëmijët e paprekshëm të elitave politike shqiptare
Shoqëria shqiptare në Kosovë ka mbetur peng e mendësisë politike se shteti është pronë e përjetshme e atij që i pari e zapton pushtetin, e ku rriten gjeneratat që mezi presin ta braktisin vendlindjen, mbase duke u ndje si banorë në pronë të huaj- në atë që do u mbetet trashëgimi pasardhësve të ‘hajdutokratëve’ të sotëm!
Shqiptarët e Maqedonisë e jetojnë përbuzjen e dhembshme që është e pashmangshme për një popull që fatin e vet ua dorëzon injorantëve dhe ‘tenderokratëve’ të pangishëm politik, për një popull që shtiret se nuk e sheh kriminalizimin dhe akulturimin që i bëhet shoqërisë së këtushme shqiptare, e ku rriten gjenerata e shkolluara në një sistem të rrënuar arsimorë, në një sistem arsimor ku mjafton të kesh librezën e BDI-së e që të mundesh të ligjërosh edhe lëndën e muzikës edhe atë të matematikës!
Pra shoqëritë shqiptare vuajnë mëkatin e kalbëzimit të thuajse të gjitha vlerave që gjatë shekujve kanë mbajtur në këmbë shqiptarinë, e mbi të gjitha- familjen, ndershmërinë dhe moralin e lartë shqiptarë! Andaj, shumë nga fëmijët e sotëm të shoqërive shqiptare, trashëguan mallkimin më të tmerrshëm të cilit nuk mund t’i iket- turpin dhe mëkatin e prindërve të tyre!”