Femra nudo, surpriza e radhës për Ruhanin në Francë
Vizita e presidentit iranian në disa vende në Evropë pas heqjes së sanksioneve po pritet në mënyra të ndryshme. Teksa në Itali, tërhoqi vëmendjen vendimi i autoriteteve për të mbuluar statujat nudo, në shenjë të respektit të presidentit të republikës islamike, në Francë nuk ndodhi një gjë e tillë.
Dy episode që mund të marrin përmasat e incidenteve diplomatike ndodhën në Francë, ku vijoi turin Hassan Ruhani.
Pasi refuzoi të drekonte me presidentin Hollande, pasi në tryezë kishte verë, një veprim edhe më i pakëndshëm ndodhi në një urë të Parisit.
Një grua anëtare ë lëvizjes “Femen”, u var simbolikisht në një urë këmbësorësh e zhveshur, ndërkohë në kraharor kishte të vizatuar flamurin iranian.
Përgjatë urës ishte vendosur edhe banderola “Mirë se vjen Rouhani, ekzekutor i lirisë”.
Zëdhënësja e Lëvizjes, tha se më shumë se 800 njerëz dënohen me vdekje çdo vit vetëm për faktin se janë “mendimtarë të lirë”.
Zëdhënësja akuzoi presidentin francez, Francois Hollande, se i intereson vetëm biznesi dhe aspak të drejtat dhe liritë e njeriut.
“Mes të dënuarve ka gra, feministe, homoseksualë dhe mendimtarë të lirë që kanë marrë si dënim vdekjen vetëm sepse janë të tillë. Ndërsa Francois Hollande nuk ka marrë asgjë nga këto parasysh”, thuhet në deklaratë.