Fermerët dalin në protestë, Berisha: I mbështesim, të na bashkohen më 17 prill
Sali Berisha ka shprehur mbështetjen e tij për fermerët që protestuan këtë të martë në Tiranë, duke u rreshtuar krah kërkesave të tyre për ulje taksash dhe subvencionim të naftës. Ai e cilësoi gjendjen e fermerëve si të vështirë, duke akuzuar qeverinë se i ka lënë pa përkrahje. Berisha i bëri thirrje atyre që të intensifikojnë reagimin, duke iu bashkuar protestës së paralajmëruar më 17 prill dhe duke vijuar më pas me forma të tjera presioni, si bllokimi i rrugëve dhe hapësirave publike.
Sipas tij, problemet nuk kufizohen vetëm te fermerët. Kreu i PD-së theksoi se edhe pensionistët dhe shtresat në nevojë po përballen me vështirësi të shtuara ekonomike, ndërsa fondet e premtuara për bonuset, sipas tij, nuk janë shpërndarë ende.
Një nga çështjet kryesore që ai ngriti ishte çmimi i lartë i naftës. Berisha kërkoi ulje të ndjeshme të barrës fiskale për hidrokarburet, duke sugjeruar që çmimi të afrohet me atë të vendeve të rajonit, si Kosova dhe Maqedonia e Veriut, ku sipas tij është dukshëm më i ulët. Në përfundim, ai argumentoi se çdo masë tjetër përveç uljes së taksave mbi naftën nuk do të sjellë efekt real për qytetarët, por do të mbetet në favor të të ardhurave të qeverisë.
KOHA JONË SONDAZH

