Fermerët mbjellin kanabis në vend të perimeve? Panariti: Aspak e vërtetë!

Ministri i Bujqësisë, Edmond Panariti, i ka cilësuar të pavërteta akuzat e opozitës lidhur me faktin se fermerët në vend të perimeve po kultivojnë kanabis. I ftuar në emisionin “Ekopolitikë” në Ora News, Panariti tha se në fushat e Shqipërisë nuk mbillet kanabis. Ai tha se ky është një aktivitet i paligjshëm që nuk i takon bujqësisë dhe i përqënduar kryesisht në zona të maskuara, kullosore apo pyjore.

Pjesë nga intervista

Sa qëndron një akuzë e tillë? Domate apo kanabis?

Unë nuk shikoj absolutisht asnjë llogjikë, asnjë lidhje mes kanabisit dhe bujqësisë. Kanabisi, kultivimi i drogave nuk i takon bujqësisë, i takon një aktiviteti të paligjshëm që nuk zhvillohet vetëm në Shqipëri por në shumë vende të tjera dhe është subjekt i organeve përkatëse të cilat merren me luftën kundër drogave dhe bimëve të paligjshme që përbëjnë dhe bazën e prodhimit dhe shpërndarjes së këtyre drogave.

Jeni në dijeni të këtyre akuzave?

Jam në dijeni të këtyre akuzave por nuk shikoj asnjë lloj lidhje, në fushat e Shqipërisë nuk mbillet kanabis. Nëse ka mbjellje të kësaj kulture, kjo mbillet në terrene të maskuara, kryesisht në zona kullosore dhe pyjore dhe në ngastra të izoluara jashtë vëmendjes. Të thuash që bujqësia nuk kultivon domate, perime apo produkte të tjera është një e pavërtetë e madhe, lehtësisht e verifikueshme. Do kem rastin ta vërtetoj dhe përmes shifrave.

SHKARKO APP