Fermerët nuk do marrin më naftë pa taksa, Rama: Po përdorej për qëllime që nuk kishin lidhje me bujqësinë
Kryeministri Edi Rama nga Berati thotë se qeveria do të vijojë të mbështesë me më shumë vendosmëri iniciativat në bujqësi, duke theksuar nevojën për uljen e kostove, krijimin e masës kritike për negocim dhe rritjen e eksporteve. Rama u ndal te rëndësia e organizimit të fermerëve në struktura të përbashkëta, të cilat ai i cilësoi si “kooperativa kapitaliste”, duke nënvizuar se janë forma bashkëpunimi që rrisin fuqinë konkurruese në treg.
Në lidhje me sfidat në sektorin bujqësor, kryeministri u ndal te çështja e naftës, duke pranuar se ajo ka qenë një problem më vete. Sipas tij, skemat e mëparshme kanë krijuar hapësira për abuzim, pasi përfitimet nuk kanë shkuar gjithmonë te ata që realisht prodhojnë. Rama theksoi se rimbursimi i TVSH-së me 10% për naftën është shoqëruar me një numër shumë të lartë përfituesish, mbi 60 mijë, ndërkohë që sipas tij baza reale prodhuese nuk është në atë nivel. Ai shtoi se ndryshimet në skemë synojnë të ndalojnë keqpërdorimin e naftës për qëllime jo-bujqësore.
Një tjetër problem i evidentuar ishte fakti që në disa raste, fermerët që punonin tokat e të tjerëve detyroheshin të dorëzonin naftën te pronarët, duke deformuar qëllimin e mbështetjes. Sipas Ramës, këto praktika nuk kanë ndikuar në rritjen e prodhimit. Në përfundim, ai theksoi se reformat e ndërmarra janë pjesë e një procesi për të rritur formalizimin dhe ndërgjegjësimin në sektorin e bujqësisë, duke synuar një përdorim më efikas të fondeve publike.
Pjesë nga fjala
Nafta ka qenë sfidë më vete për bujqësinë, kemi provuar ta kthejmë në disa anë dhe në fund kemi dalë në rezultat të thjeshtë. Rezultati i thjeshtë është ky, ne jemi më shumë për të shpenzuar për bujqësinë, por nuk kemi aq shumë sa të shpenzojmë pa problem, të shpenzojmë për të shtuar.
Rimbursimi i TVSH-së me 10%, që do të thotë, kemi pasur mbi 60 mijë që kanë marrë naftë, ndërkohë që ne e dimë shumë mirë që fuqia prodhuese dhe bazat prodhuese nuk e kanë këtë lloj proporcioni.
Nuk kanë 60 mijë aktorë. Në këtë sens, ne nuk kemi hequr mbështetjen për asnjë që ka nevojë edhe për naftë, por kemi hequr mundësinë që nafta të abuzohet dhe përdoret për qëllime që nuk kanë lidhje me bujqësinë, kjo është e vërteta.
Kemi dalë në atë konkluzion edhe për një fakt tjetër, që shumë njerëz që punojnë tokat e të tjerëve, kanë qenë të detyruar të marrin naftën dhe të ua japin të tjerëve, është dhënë për sipërfaqe, sipërfaqja është dhënë për hektar, ai tjetri ka pasur një Mercedez në qytet dhe ka marrë naftën nga ai që punon atje.
Ata të cilët kanë prodhuar në tokat e të tjerëve dhe naftën ia kanë dhënë atyre të tjerëve kanë vazhduar të rriten, nuk është kjo ajo që e rrit prodhimin. Ne kemi qenë të detyruar që të provojmë disa rrugë, ndërsa kjo rrugë tani, vjen edhe si rezultat i rritjes së vetëdijes së formalizimi.
KOHA JONË SONDAZH

