Festivali Mbarëkombëtar i Fotografisë; sfidë, promovim, festë dhe çmime në Lezhë dhe Shëngjin
Nga Albert Vataj
Festivali Mbarëkombëtar i Fotografisë, një ngjarje që synon të ndërthurë artin vizual me promovimin e territorit, hapi dje siparin e tij në Lezhë, duke mbledhur 32 fotografë nga Shqipëria dhe hapësira mbarëshqiptare, Kosovë, Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi. Ky takim krijues, i mbështetur nga programi URBACT dhe bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian, shndërroi qytetin në një laborator të hapur të vëzhgimit dhe interpretimit artistik.
Dita e parë u karakterizua nga një lëvizje e gjallë në terren, ku fotografët eksploruan me syrin e tyre kërkues peizazhet, monumentet dhe ritmet e jetës lokale. Nga dritëhijet e brigjeve deri te teksturat historike të qytetit, çdo shkrepje synoi të kapte jo vetëm pamjen, por edhe shpirtin e Lezhës, një dialog mes natyrës dhe trashëgimisë kulturore.

Ky udhëtim vizual vijon sot, ku në orën 11:00, në shëtitoren Shëtitorja Wilson në Shëngjin, publiku do të ketë mundësinë të përballet drejtpërdrejt me rezultatet e kësaj përvoje artistike. Ekspozita e hapur sjell përpara vizitorëve një përzgjedhje të kujdesshme të punimeve, ku peizazhi dhe fotografia e jetës së egër (wildlife) ndërthuren në një narrativë të fuqishme vizuale.

Fotografia e kadegorisë “Wildlife Photography”, e Ridvan Sokolit, e cila u vlerësua me çmimin e parë
Në përmbyllje të aktivitetit, u organizua edhe një ekspozitë konkurruese, ku vetë pjesëmarrësit votuan për veprat më të arrira. Në kategorinë “Wildlife Photography”, çmimi i parë iu akordua Ridvan Sokoli, ndërsa vendi i dytë shkoi për Lutfi Muharremi. Në zhanrin e peizazhit, triumfoi Arben Berisha me vendin e parë, i ndjekur nga Bajrush Ahmeti në vendin e dytë.
I gjithë organizimi u drejtua nga Renaldo Xhani, drejtor i turizmit në Bashkinë Lezhë, i cili e konceptoi këtë festival si një urë bashkëpunimi mes artistëve dhe territorit, duke synuar jo vetëm promovimin e vlerave turistike, por edhe krijimin e një identiteti të ri përmes imazhit.
Ky festival nuk është thjesht një aktivitet artistik, ai është një dëshmi e gjallë se si fotografia mund të shndërrohet në gjuhë komunikimi, në mjet zhvillimi dhe në një formë të re rrëfimi për vendin.
KOHA JONË SONDAZH

