Festivali Mbarëkombëtar i Humorit vjen në Shkodër në Edicionin e Dytë më 4–8 Dhjetor, rikthehet të vezullojë shkëlqimin e të qeshurës

Nga Albert Vataj
Shkodra nuk është thjesht një vend; është një temperament shpirtëror, një lëvizje e pashuar e mendjes, një kategori estetike më vete. Këtu, ku humori ka qenë gjithmonë një mënyrë për të mbijetuar dhe për të sfiduar absurditetin e botës, arti bëhet armë, e qesha bëhet qëndresë dhe skena bëhet altari ku ngjitet gjuha e gjallë e këtij qyteti.
Në këtë hapësirë të bekuar, ku lumi rrjedh me ritmin e një violine të padukshme dhe ku njerëzit e thjeshtë kanë diçka prej poetëve të lindur, nis Edicioni i Dytë i Festivalit Mbarëkombëtar të Humorit. Ai vjen si një festë drite, si një fllad që ringjall kujtesën e estradës së dikurshme, si një trokitje në zemrën e një tradite që nuk pranon të shuhet. Ky festival nuk sjell vetëm emra të mëdhenj te skenws sw humorit; ai sjell jehonën e një qyteti që ka ditur ta kthejë të zakonshmen në një vepër arti dhe jetën e përditshme në një skenë të pafundme ku gjuha vesh krahë e ngrihet lart si zog i lirë.

Ky edicion i dytë vjen jo si një rastësi, por si një domosdoshmëri e një qyteti që nuk e ka harruar kurrë se arti nuk është luks, por mënyrë jetese. Shkodranët kanë ditur gjithmonë ta shndërrojnë të zakonshmen në art, të përditshmen në kujtim, të voglën në kryevepër. E pikërisht për këtë, festivali vjen të pasurojë traditën, të ngjallë vëmendjen, të rikthejë lavdinë e një Shkodre që ka qenë gjithmonë shtëpia e korifenjve të multidisciplinave, të teatrit, humorit, muzikës, letërsisë, pikturës, mendimit dhe shpirtit.
Nën drejtimin artistik të Arjan Çuliqit dhe me organizimin e Gerti Palalit, festivali ngjitet në skenë me premtimin se Shkodra do të ndihet për pesë ditë radhazi si zemra pulsante e humorit shqiptar. Muzika e Ilir Zogës dhe prezantimi magjepsës i Ketlin Pjalmit dhe Savjana Vjerdhës garantojnë një atmosferë që ngre peshë emocionet dhe argëtimin.
Ky edicion i jep nderim të veçantë disa prej ikonave të humorit shqiptar, artistëve që kanë lënë gjurmë në kujtesën kolektive dhe që kanë bërë të qeshur breza të tërë; Zyljha Miloti, Besnik Cinari, Sandër Ruçi, Dana Xhaj, Sevdai Radogoshi, Afrim Agalliu, Agron Hamo, Agron Llakaj, Muharrem Hoxha, Genc Lleshi.

Është një gjest mirënjohjeje për ata që u përpoqën të ruanin buzëqeshjen edhe kur koha ishte gri, për ata që e ndërtuan humorin si mjet rezistence dhe e shndërruan në art të pashuar.
Edicioni i këtij viti sjell frymën e re të humorit modern, me stand-up, improvizim dhe satirë bashkëkohore. Në skenë ngjiten emra si; Agron Llakaj, Gent Hazizi, Akili (Shkodër), Edi Oga (Tiranë), Valina Muçolli (Prishtinë), Hasim Sopi Memishi (Tetovë), Avni Shkodra (Gjilan), Kushtrim Qerimi (Gjilan), Erand Sojli dhe Marin Orhanasi (Tiranë).
Ky është dialogu midis brezave të humorit, ku tradita takon risinë, ku eleganca e estradës përqafohet me ironinë e kohës moderne.
Një orkestër profesioniste, Fatmir Mesi, Erjon Lishi, Daniel Prendi, Dritan Mika, Indrit Kodraliu dhe Rudolf Çeklijaj, krijon sfondin muzikor që e ngre eventin në një nivel tjetër. Të ftuarit e skenës, Mukades Çanga, Orjeta Kelaj, Rezarta Smaja, Laorjan Ejlli dhe Savjana Vjerdha, do t’i japin festivalit ngjyrën melodike të emocioneve të gjalla.
Ky festival nuk është vetëm një aktivitet. Është një rikthim te rrënjët, një peshë e re në peshoren kulturore të Shkodrës, një dëshmi se qyteti i humorit nuk ka reshtur kurrë së qeni vatër shpirtërore e artit shqiptar.
Nga data 4 deri më 8 dhjetor, Shkodra kthehet sërish në kryeqendrën e humorit, në qytetin ku e qeshura është traditë, ku arti është ritëm jete dhe ku çdo skenë, çdo fjalë dhe çdo duartrokitje ngrihet në lartësinë e një festimi kombëtar.
Dhe kur dritat të fikën, kur perdja të mbyllet me atë pluhur të artë që vetëm skena e vërtetë e krijon, Shkodra do të mbetet përsëri aty, e bukur, e mençur, duke ruajtur në shpirt tingujt e qeshjes, të këngës, të fjalës së gjallë. Ky festival nuk mbaron me pesë netë; ai shtrihet në mendjet e njerëzve, në kujtesën e qytetit, në pulsimin e jetës së përditshme. Sepse humori, ky art i lashtë dhe i pavdekshëm i shkodranëve, është një mënyrë për të thënë se jeta vazhdon, se shpirti i njeriut nuk dorëzohet kurrë, se e bukura dhe e qeshura janë gjithmonë gati ta ringrenë njeriun aty ku realiteti përpiqet ta rrëzojë.
Shkodra, edhe një herë, dëshmon se arti nuk është dekor, por frymëzim; nuk është stoli, por drejtim; nuk është argëtim, por një mënyrë për ta parë botën me sy më të pastër e me zemër më të gjerë. Ndaj ky festival nuk është thjesht ngjarje, por një rit, një përkujtesë e asaj që jemi dhe mund të jemi. Një fener që ndriçon një qytet që e ka dashur gjithmonë skenën, një qytet që e ka ushqyer me zemër të vet çdo aktor, çdo këngëtar, çdo krijues.
Për pesë netë, Shkodra do të qeshë, do të këndojë, do të shpërthejë në jetë, dhe pastaj, e kthyer në ritmin e vet të përditshëm, do të ruajë në heshtje bekimin e këtij festivali. Sepse Shkodra nuk zbret kurrë nga skena. Ajo është skena vetë.

Swiss Digital Desktop Reklama
Swiss Digital Mobile Reklama

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

Pas vendimit të gjykatës kushtetuese a duhet liruar Erion Veliaj dhe të gjykohet në gjëndje të lirë?