Festoni fort për një 2016 të ashpër
Nga Ilir Levonja
Ka filluar një fllad nervash. Më saktë një mësymje ndryshe. Dhe kjo jo për shkak të idealeve. Por të gjendjes. Për shembull revolta e parë vjen nga të papunët e “Agon Chanel. Shumë prej tyre habiten që janë të papunë. Që kanë mbetur pa punë. (Megjithëse, shëndet plot i pohojnë kamerave se ashtu thatë nuk janë, bëjnë ndonjë punë aty këtu.) Një vend vërtet është dramë, kur ka gazetarë të papunë. Por është tragjedi, kur ka ashtu, të papunë, një popull të tërë. Se ku bën pjesë vendi ynë, nuk është nevoja ta theksojmë.
Megjithatë, edhe ata që punojnë i përkasin një informaliteti të madh.
Ka filluar një mllef gazetarësh, që më shumë se idealit të profesionit i ngjan politikës së padronëve të tyre në këtë treçerek shekulli të përpjekjes së një shoqërie për të qenë e barabartë me simotrat e saja në Perëndim. Ndaj them se duhet të festoni fort këtë fund viti. Për të qenë të përgatitur në 2016.
Mbaj mend kështu ndodhi edhe në 96-ën. Hëngrëm shumë sa nuk mbante. Pastaj protestuam deri në shpërbërje. Megjithatë heronjtë dhe anti-heronjtë dekoruan njëri-tjetrin. Kurse masat morën kush malet dhe kush detin.
Ka shumë pikëpyetje që shqiptarët për një ose dy arsye janë duarlidhur. E para dhe më brutalja është fakti i ekzistencës së politikanit njëzet e pesë vjeçar. Nuk e di se si akoma vazhdoni të besoni se mund të ketë të tilla, reforma të ndershme, të drejta dhe të domosdoshme nga njerëz që kanë njëzet e pesë vite në pushtet.
Mund të ketë manovra. Por asesi reforma. Reforma është diçka jashtë konceptit të atij që fle me shuma eurosh apo dollarësh tek koka. Që mban lekë kesh në shtëpi për ditën e zezë. Nga ata që i kanë fëmijët e tyre jashtë, në universitetet më të mira. Kurse juve u privohet e drejta për t'u arsimuar. Se si mund të ketë reforma në shëndetësi, nga ata që vetë kurohen jashtë shtetit, kurse ju në mizerjet e shëndetësisë publike ''falas'' shqiptare. Në atë shëndetësi që nuk kap as 00001% të diktaturës së djeshme. Dhe normalisht as klasin e asaj të pardjeshmes. Nuk e di se si akoma vazhdoni të besoni në reformat në drejtësi, kur edhe pse kanë kaluar njëzet e pesë vjet, ngërçi qëndron tek siguria që duan nga njëri-tjetri baronët e politikës shqiptare. Prokurorët dhe avokatët flenë me dyshekë të mbushur me euro e dollar. Dhe ju nuk u besohet. Nga ana tjetër janë militantë që përdoren nga politika. Ngasin makina me aromë meshini dhe hukamë livandoje. Kanë vila dhe super vila. Janë ata që bëjnë sehir kur ju vriteni e digjeni nëpër sheshe.
Të jeni të bindur se reforma e vetme dhe e drejtë në drejtësi, është ajo që do bëni ju me Venecian. Jo politika…. Ajo që po bën politika është manovër. Nuk është reformë.
E gjitha kjo në fakt është luftë-manovër midis pushteteve. Atij njëzet e pesë vjeçar. I përbërë nga një shpurë gazetarësh të kënaqur me nga një makinë markë. Ca fonde për t'u mbajtur gjallë edhe pse informalë. Nga një tufë politikanësh tmerrësisht të pasur…dhe përjetësisht në pushtet. Nga një shpurë ligjbërësish, që veprojnë dhe i bëjnë ligjet ashtu si i duan ligjet kapot. Me një popull muhaxhir, por krenar.
Arsyeja e dytë është një pikëpyetje e vonuar. A do ta fitojnë gazetarët këtë luftë? Pas gjasave jo… Ka indinjatë personale tek-tuk. Nuk ka lëvizje në sharmin e pushtetit të shtypit. Tek-tuk do të thotë ndonjë lule. Dhe proverb ballkanas thotë, që ''pranvera me një lule nuk vjen''.
Ka vetëm kaos. Dhe vështrim social që kënaqen me lëvizjet midis Metës, Ramës dhe batalionit të Berishës.
Ndaj festoni fort, pasi nuk është e qartë se kush do e fitojë betejën e 2016-s. Kështu që, radha është për ju.